Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për veprimet që do t’i marrë Policia e Kosovës ndaj grupit kriminal të Zvonko Veselinoviqit, i cili u sanksionua edhe nga Thesari Amerikan.
Sveçla tha se Policia e Kosovës është duke punuar që t’i riaktualizojnë dosjet e këtyre individëve dhe këto dosje janë duke u plotësuar, në mënyrë që pasi të grumbullohet informacioni, këta persona të arrestohen.
“Policia e Kosovës është duke punuar që të riaktualizojë dosjet e këtyre individëve, në mënyrë që çfarëdo dëshmie të kemi, policia të vihet në veprim. Presim edhe nga bashkëpunëtoret tanë, shtetet aleate, të na japin informata për të gjithë kriminelët në mënyrë që ne të arrestojmë, jo vetëm këta, por të gjithë. Jemi duke i plotësuar dosjet e tyre”, është shprehur Sveçla.
“Tash jemi duke riaktualizu të gjitha hetimet ndaj këtyre personave. Do të shohim edhe pse ka pasur ngecje në të kaluarën. Përkundër fletarresteve dhe asnjëherë nuk janë arrestuar. Të gjitha këto do të jenë pjesë e hetimeve”, ka thënë Svelça.
Tutje, Sveçla tha se ky është zotim i institucioneve të Kosovës. Gjithashtu, Sveçla siguroi se Policia e Kosovës do të marrë edhe më shumë përkrahje nga qeveria e Kosovës.
“Këta kriminelë nuk kanë hapësirë veprimi në territorin e Kosovës. Ky është zotim i institucioneve të Kosovës”, ka thënë Sveçla.
“Ne do t’i luftojmë të gjitha krimet në të gjithë Kosovën, pa kursyer askënd, pandalshëm. Këtë jemi duke e bërë në një nivel të shtuar. Policia e Kosovës do të marrë edhe më shumë përkrahje nga qeveria e Kosovës”, shtoi Svelça.