Prokuroria Themelore në Gjilan, sot ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ish-drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Novobërdës, T.S., dhe pronarin e kompanisë “AWA Sh.p.k”, A.R., në Prishtinë.
Bazuar në hetimet e deritanishme, ekziston dyshimi se kompania e lartcekur, që udhëhiqet nga biznesmeni, Arjanit Rexhepi, nuk ka furnizuar Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare të Komunës së Novobërdës me barna dhe produkte tjera medicinale, por ka lëshuar fatura fiktive se kinse i ka furnizuar të njëjtat.
Mediumi online po ashtu mëson se ish-drejtori i Shëndetësisë që është ndaluar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, është Tomislav Stankoviq.
Stankoviq i cili ishte emëruar si drejtor i Shëndetësisë në Artanë më 1 mars të vitit 2016, bazuar në deklarimin e pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit, ka një shtëpi 180 m2, që prek vlerën e 200 mijë eurove.
Sipas tij, këtë shtëpi e ka të trashëguar nga prindërit.
Ish-kreu i Shëndetësisë së Artanës, i cili e dorëzoi detyrën e drejtorit më 10 mars të këtij, viti, nuk ka pasuri të luajtshme apo para të gatshme në ndonjë institucion financiar të Kosovës.
Ai ka edhe gjashtë mijë euro kredi, për shkak të renovimit të shtëpisë, siç thuhet në regjistrin e deklarimit të pasurisë në AKK, ndërkaq ka fituar më pak se një mijë euro nga subvencionet bujqësore.
Prokuroria Themelore në Gjilan, sot bëri të ditur se brenda afatit ligjor ndaj të njëjtëve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.