(E plotësuar 14:23) - KEDS ka mohuar shpërfilljen e orareve të reduktimeve gjatë këtyre ditëve. Kompania e distribuimit të energjisë elektrike ka theksuar se aplikimi i reduktimeve ka filluar kur janë shtjerrë të gjitha resurset. Megjithatë, zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala para mediave ka thënë se sot ka përmirësim të gjendjes me furnizim të energjisë elektrike.
Sipas tij, sistemi elektro-energjetik në Kosovë është duke u përballur me vështirësi të mëdha. Viktor Buzhala ka theksuar se në përkeqësim të kësaj gjendje ka ndikuar konsumi i lartë, pamjaftueshmëria e prodhimit dhe kriza ndërkombëtare që ka rritur çmimet në nivel të lartë.
Buzhala: Konsumi ka arritur deri në 1400 megavat orë, i cili nuk është shënuar asnjëherë në historinë e korporatës
“Konsumi ka arritur deri në 1400 megavat orë, i cili nuk është shënuar asnjëherë në historinë e korporatës. Prodhimi shkon deri në 600 megavat, e kemi edhe jashtë njësinë e B të termocentralit “Kosova B”, që e ka vështirësuar edhe më tepër këtë krizë. Pra, po flasim për një mungesë që në kohë të pikut maksimal shkon në 800 megavat, apo më tepër se 50 për qind të kërkesës. Sikurse edhe çmimet e importit po shkojnë deri në 600 euro për megavat, që është më tepër se dhjetëfish në krahasim me vitin e kaluar”, tha ai.
Megjithatë, Buzhala tha se sot ka përmirësim të gjendjes së furnizimit me energji elektrike.
Buzhala: Po flasim për një përmirësim madh të situatës nga dje
“Po flasim për një përmirësim madh të situatës nga dje, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë rënë, ka rënë edhe kërkesa pasi sot temperaturat janë 7-8 gradë plus ndërsa para dy-tri ditësh kanë qenë 7-8 gradë minus. Këtu ka rënie të konsumit dhe këto dy elemente e kanë përmirësuar gjendjen”, ka thënë ai.
Këto reduktime, siç tha Buzhala, po ndodhin për herë të parë në historinë e kompanisë pas tetë vjetëve.
Ai shtoi se për disa muaj e kanë mbajtur barrën e furnizimit me energji për konsumatorët dhe se nuk kanë aplikuar reduktime deri në momentin kur janë shtjerrë resurset.
E, drejtori i Sistemit të Operimeve në KEDS, Bujar Jupaj shtoi se ka pasur probleme me rikthimin e energjisë, si pasojë e mbingarkesave të mëdha. Ai mohon që nuk është përfillur planifikimi me reduktimet, sepse sipas tij në shumë vende ka pasur edhe djegie të nënstacioneve.
Jupaj: Planifikimi është duke u zbatuar në përpikëri
“Ajo çfarë ne garantojmë është se planifikimi është duke u zbatuar në përpikëri, por çfarë ka ndodhur pas planifikimit, në moment që ke kërkesa të mëdha, për shembull dalja në fjalë ka qenë e mbingarkuar dhe nuk ka pranuar. Pas aktivizimit të daljes pas disa minutave përsëri fillojnë ngarkesa të mëdha që qojnë deri te djegia e kabullit, nën-stacioneve, djegia e transformatorëve. Këtë për t’ia dëshmuar ne mund të shkojmë bashkërisht në Kodër të Trimave, ku është djegur nga mbrëmë një nën-stacion i njëjtë për herë të tretë. Po ashtu kemi edhe në Fushë Kosovë nënstacioni është djegur dje”, shtoi ai.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë ditës ka paralajmëruar dërgimin e një dosje në Policinë e Kosovës me rastet e pranuara nga qytetarët kur energjia elektrike po ju ndalet më shumë se dy orë. Për këtë Jupaj deklaroi se nuk është privilegjuar askush.
Jupaj: Nuk është privilegjuar askush përveç institucioneve spitalore
“Nuk është privilegjuar askush përveç institucioneve spitalore që kanë qenë ato që jemi munduar. Përndryshe nuk ka mundësi, sepse sipas planifikimit 20 diçka orë, konsumatori të mos ketë rrymë të ndërprerë të planifikuar. Por, mund të ndodhë në ato raste që ka pasur mungesë të fazave për një moment derisa ka mbërri ekipet pse djegie”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Zyra Ligjore në KEDS është duke u marrë edhe me pretendimet e kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj se dy blloqe të KEK-ut janë prishur në mënyrë të qëllimshme nga KEDS-i, menaxhmenti i ri i KEK-ut dhe Qeveria e Kosovës.
Buzhala: Me këto konstatime është duke u marrë zyra jonë ligjore
“Sa i përket Dardan Molliqajt, me këto konstatime është duke u marrë realisht zyra jonë ligjore. Ne nuk kemi kapacitete e as mundësi teknike t’i rrëzojmë blloqet dhe është konstatim absurd. Mirëpo, për më tepër do të merret zyra jonë ligjore dhe do të sqarohen këto çështje edhe me sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar ai.
Më tej, ai ka thënë se sot ka filluar importi prej 300 megavat dhe se kjo shifër mund të transformohet meqë janë në resurse të shtjerrura financiare. Buzhala ka mohuar që nuk ka pasur transparencë në këtë kohë, meqë sipas tij janë trefishuar edhe kapacitetet në qendrën e thirrjeve.
***
Drejtori i Sistemit të Operimit në KEDS, Bujar Jupaj, ka thënë se janë munduar të punojnë sipas planit për furnizim me energji elektrike tani në kohën kur vendi është në krizë energjetike.
Ai, në një konferencë për media, tha se reduktimet kanë mundur të zgjasin më shumë se dy orë në disa vende për shkak se kanë pasur problem në rikthimin e rrymës si pasojë e mbingarkesave të mëdha.
“Sipas kërkesave që i kemi pasë, ne kemi filluar edhe me ndërprerjen e energjisë elektrike. Ndërprerjet kanë qenë të ndryshme në bazë të ngarkesave që kanë ndodhur. Ajo që ka qenë problem gjatë realizimit të planit është se ne si KEDS kemi pasë shumë probleme në rikthimin e energjisë si pasojë e mbingarkesave të mëdha çka do të thotë se pas ndërprerjes së planifikimit me fillimin e aktivizimit të daljeve ka qenë një mori e problemeve ku kemi pasë edhe dëme të ndryshme si djegie të stabilimenteve tona elektroenergjetike. Përkundër këtij fakti, KEDS-i ka angazhuar mbi 400 punëtorë që të merren në menaxhimin sa më të mirë të kësaj situate dhe që të kthejë energjinë sa më shpejt që është e mundur sipas planifikimit”.
“Planifikimin për krizën energjetike e kemi zbatuar me përpikmëri dhe realizimi i planit ka qenë gati deri në 98 përqind, pra ka shkuar sipas parashikimeve që na i ka dërguar kompania që do të thotë transmisioni. Si pasojë e mbingarkesave ka mundur të ketë mungesë të energjisë elektrike edhe për një kohë derisa ne e kemi marrë informatën dhe derisa ka shkuar ekipi”, ka thënë Jupaj
***
Buzhala: Ka përmirësim të situatës, çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë rënë
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktori Buzhala ka thënë sot se ka përmirësim të gjendjes së furnizimit me energji elektrike.
Ai në një konferencë për media deklaroi se përmirësimi ka ardhur pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë rënë dhe se ka rënë kërkesa për energji elektrike.
“Po flasim për një përmirësim të gjendjes, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë rënë, ka rënë edhe kërkesa pasi sot temperaturat janë 7-8 gradë plus ndërsa para dy-tri ditësh kanë qenë 7-8 gradë minus. Këtu ka rënie të konsumit dhe është përmirësuar gjendja”, ka thënë ai.
Buzhala tha se tani edhe reduktimet janë më të vogla krahasuar me ditët e kaluara.
“Nëse ka pasur reduktime nga dy orë, tashmë reduktimet janë shumë të vogla”, tha ai.
Deklaratat e Molliqajt për prishjen e qëllimshme të blloqeve të KEK-ut, flet zëdhënësi i KEDS-it
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala në një konferencë për media ka folur rreth deklarimeve të kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj, se dy blloqe të KEK-ut janë prishur në mënyrë të qëllimshme nga KEDS-i, menaxhmenti i ri i KEK-ut dhe Qeveria e Kosovës.
Buzhala ka thënë se pretendimet e Molliqajt janë absurde derisa ka shtuar se me deklarimet e Molliqajt po merret edhe zyra ligjore e KEDS-it.
“Me pretendimet e tij është duke u marrë zyra jonë ligjore. Është konstatim absurd. Do të sqarohet kjo çështje në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Buzhala.
Molliqaj sot në konferencë për media ka deklaruar se nga burimet brenda KEK-ut janë informuar se blloqet A3 dhe A5 janë prishur me qëllim.
“Në bazë të burimeve tona brena KEK-ut janë duke u zhvilluar tri problematika të theksuara që e rëndojnë edhe më tutje sistemin e energjisë në Kosovë. E para tashmë ka ndodhur. Sipas burimeve tona 10 ditë më parë ka pasur rënie të Bllokut A3 dhe A5, kishte mungesë të shtuar të energjisë elektrike. Sipas asaj që ne kemi informacione dhe që kërkojmë hetim të organeve përgjegjëse dhe të ekspertëve të fushave, rënia e Bllokut A3 dhe A5 brenda ditës duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS-i”, ka thënë Molliqaj sot.
***
KEDS ka mbajtur konferencë për media në lidhje me krizën energjetike në vend.
Bujar Jupaj, drejtor i sistemit të operimit në KEDS është përgjigjur ndaj ministres Rizvanolli e cila tha se janë duke përpiluar dosje për të dorëzuar në polici në lidhje me reduktimet që po zgjasin më shumë se dy orë.
“Ajo që ne garantojmë është se planifikimi është zbatu në përpikmëri. Por në moment që kemi dalje të mëdha, pas aktivizimit të daljes, vijnë deri tek djegia e kabllove dhe nënstacioneve. Këtë edhe mund t’ua dëshmojmë. Pra nuk është si pasojë që ne nuk e përfillim planifikimin. Ne 97-98 përqind e kemi pasur planifikimin”, tha Jupaj.
Ai tutje tha se konsumatori nuk ka asnjë gjasë që të ketë 20 orë mungesë rryme të planifikuar.
“Nuk ka mundësi që konsumatori me pas 20 orë mungesë rryme me reduktim të planifikuar, vetëm nëse ka djegie apo prishje tjera”, tha ai.
“Aktualisht mbi 400 punëtorë i kemi në terren për aktivizimin e energjisë”, tha ai.