(E plotësuar 12:09) - Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar punët e Qeverisë, të cilat ai i quan të mëdha, përpara anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku është edhe kryetar.
Në mbledhjen e sotme të partisë, Kurti tha se me qeverinë e tij, “imazhi i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, asnjëherë nuk është ngritur sikurse sivjet”, ndërsa te çështjet ‘e papërmirësueshme’, Kurti ka theksuar krimin e organizuar, që sipas tij, “ka zbarkuar në nivel lokal”, duke folur për dështimin në zgjedhjet lokale, ku LVV-ja arriti të fitonte në vetëm 4 komuna.
“Në vitin që vjen, do të punojmë në zhvillimin e ekonomisë që do të hapë vende të reja të punës, dhe në zhvillimin e drejtësisë që lufton krimin e korrupsionin dhe sjell sundimin e ligjit”, tha kryeministri.
Kreu i Qeverisë tha se partia të cilën e udhëheq është organizatë relativisht e vogël në rrafshin lokal, duke marrë shkas nga rezultati zhgënjyes nga zgjedhjet e fundit.
“Gjatë diskutimit tonë me siguri se do të mund t’i shqyrtojmë shumë gjëra që lidhen me mësimet e nxjerra nga zgjedhjet lokale, e ku natyrisht që do të kisha theksuar që në raport me mbështetjen elektorale të fillimvitit, organizata jonë ngelet relativisht e vogël, me struktura pak të shtrira në terren dhe me jo mjaftueshëm detyra të hollësishme të ndara për rrjetin e aktivistëve tanë”, tha Kurti.
Përveç organizimit të dobët, Kurti e gjeti edhe krimin e organizuar fajtor që LVV-ja nuk arriti ta merrte rezultatin e synuar në zgjedhjet lokale. Sipas tij, krimi i organizuar ka zbarkuar në nivel lokal.
“Na duhet ndihma e të gjithëve për çkapjen përfundimtare të shtetit, sepse edhe zgjedhjet lokale kanë treguar që një pjesë e konsiderueshme e krimit të organizuar nga niveli qendror, ku s’kanë vend sikurse dikur, kanë zbarkuar në atë lokal, dhe duhet të pamundësohet kapja e komuniteteve nga fondet, mjetet, kapitali i zhvatur, i ekstraktuar në këto dy dekata, i cili fatkeqësisht edhe më tej vazhdon t’i ketë pronarët e njëjtë, pa iu kthyer shtetit”, tha ai.
Në detyrat e përshkruara përgjithësisht për aktivistët e partisë në fillim të mbledhjes, Kurti tha se në pjesën e parë të vitit duhet të fokusohen në zgjedhjet e brendshme, ndërsa theksoi “organizimin e mërgatës”, si detyrën më kryesore partiake për pjesën e dytë të vitit 2022
“Pjesa e parë e vitit që vjen, fokusin tonë duhet ta kemi në zgjedhjet e brendshme dhe dy rregullore shtesë që na nevojiten. Zgjedhjet e brendshme të përgjithshme të bëhen aktiviteti kryesor i vitit 2022… Pjesa e dytë e vitit, nevojitet organizim më i mirë i mërgatës, me rregullore të posaçme për ta”, tha ndër tjerash, kryetari i LVV-së.
Kurti: Ky ishte vit i Kosovës sovrane
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për të arriturat e Qeverisë të cilën ai e udhëheq.
Kurti ndër të tjera tha se qeveria ka punuar me përulje dhe përkushtim në përmbushjen e premtimeve në drejtësi e ekonomi.
“Ekonomia është kthyer drejt zhvillimit. Vitin po e përmbyllim me një rritje prej 9.9 përqind të bruto produktit vendor, sipas vlerësimeve të BQK. Këto kanë bërë që të ketë më shumë shpenzim dhe më shumë kontribut. Kemi zhvilluar gjithashtu edhe mbi 10 mijë vende të reja të punës”, u shpreh ai.
Kryeministri Kurti gjithashtu tha se qeveria ka bërë një menaxhim të mirë të pandemisë COVID-19.
“Kemi filluar dhënien e dozës perforëcuese, pra të dozës së tretë të vaksinës antiCOVID. Kosova është prise në rajon për shkallën e vaksinimit dhe menaxhimin e pandemisë”, tha Kurti.
Megjithatë, ai bëri thirrje për kujdes të shtuar, sepse vendi mund të preket nga një valë e re e virusit.
“Ky sukses nuk ka bënë të paprekshëm nga një valë e re e nga Omicroni, nëse nuk jemi të kujdesshëm në marrjen e dozës së tretë dhe respektimin e masave antiCOVID të cilat janë në fuqi”, tha ai.
Kurti tregoi të arriturat e qeverisë edhe në fusha të tjera.
"Kemi mbështetur familjet, sportin, kulturën si dhe nënat lehona dhe fëmijët. Kemi bërë miratimin e projekligjit për gjykatën komerciale. Janë realizuar 509 aksione policore dhe duke shkatërruar 42 grupe kriminale. Ka filluar reciprociteti i targave me Serbinë. Kemi bërë edukimin falas në të gjithë nivelin në sektorin publik. Kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të komunitetit RAE. Kemi mbështetur grate”, u shpreh ai.
Kurti e quajti këtë vit të Kosovës sovrane dhe tha se qeveria do të vazhdojë punën e palodhshme.
“Ky ishte vit i Kosovës sovrane. Ne do të punojmë shumë e pa u lodhur në zhvillimin e ekonomisë, për krijimin e vendeve të reja të punës si dhe do të punojmë shumë edhe në drejtësi për të luftuar krimin e korrupsionin. Viti 2022 siç e kemi thënë,do të jetë viti ku do të bëjmë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.
Kryeministri Kurti, në fund fare shfrytëzoi rastin që t’ua uronte të gjithë qytetarëve festat e fundvitit.
***
Teksa po mbante fjalim në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, kryeministri Albin Kurti foli edhe për krizën energjetike në vend. Për këtë Kurti ia hodhi fajin qeverive të kaluara, duke u shprehur se se e kanë lënë Kosovën në terr.
Kurti tha se e kanë gjetur shtetin përtoke që gjakonte në të gjitha anët “e tërësisht i papargatitur për sfidat e shekullit 21”.
Ai tha se në kulmin e problemeve kishim edhe luftimin e vazhdueshëm të pandemisë.
Ndërsa, për energjinë elektrike tha se ndjehet i frustruar njësoj sikur qytetarët.
“Në kohën që po e mbajmë këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm po përballemi edhe me një sfidë tjetër një krizë energjetike të shkaktuar sa nga faktorë të jashtëm jashtë kontrollit tonë po aq nga mugesa e vizionit për të marrë vendime për të ardhmen nga ata që qeverisën për dy dekada. Derisa kërkesa për energji është rritur çdo vit, prodhimi nga KEK-u ka mbetur i njëjtë e ndërkohë ka pasur edhe vjedhje edhe vendime te gabuara që e kanë sjellë sektorin energjetik buzë kolapsit. Unë e kuptoj frustrimin e qytetarëve me mungesën e energjisë elektrike, më besoni se edhe unë jam i frustrutar, por le të jetë ky një rikujtim për gjendjen në të cilën ata që qeverisën për dy dekada na lanë shtetin sepse si njerëz të territ që ishin që punët i bënin natën e larg syrit të qytetarëve ata s’kishin se si ta lenin Kosovën ndryshe pos në terr, por ajo epokë ka përfunduar. Rrugëtimi që kemi filluar së bashku është me plot sfida por do të na dërgojë në ditë më të mira”, ka thënë ndër të tjera Kurti.
Ai tha se vitin që vjen do të dalin me propozime afatgjate për zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike.
“Në botë ka aletrnativa të ndryshme për prodhimin e energjisë”, tha ai ndër të tjera.