Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka bërë të ditur se sot në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, Departamenti i Mikrobiologjisë të IKSHPK, janë testuar 22 mostra pozitive në SARS-CoV-2, të periudhës kohore 15-25 dhjetor 2021, ku 9 prej tyre kanë rezultuar pozitive në prani të variantit Omicron.
Nga hulumtimi epidemiologjik, ka rezultuar se nga këto raste: dy raste janë të importuara nga SHBA, dy nga Londra Mbretëria e Bashkuar, një nga Franca dhe
4 raste me variantin Omicron të detektuar janë në komunën e Mitrovicës, të cilët mohojnë historinë e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë.
Testimi është kryer me RT PCR dhe kit-e shtesë të pranuar përmes OBSH-së.
Pas paraqitjes së Omicron në botë, Evropë, rajon e tashmë edhe në Kosovë, parashikohet që të rëndoj situatën epidemiologjike. Ky variant, në bazë të të dhënave të deritanishme nga bota, ka një përhapje edhe më të shpejtë se varianti delta plus.
MSH dhe IKSHPK u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë masat në fuqi dhe që të vaksinohen dhe t’i inkurajojnë tjerët për vaksinim.
Kosova disponon me vaksina të miratuara për përdorim nga trupat më relevant botërorë. Vaksinimi mund të bëhet kurdo, pa termin, pavarësisht vendbanimit e shtetësisë, thuhet në njoftim.