Kryeministri i Kosovës dhe njëherit edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka mbledhur Këshillin e Përgjithshëm të VV-së për t’iu folur rreth 9 muajve në pushtet të Qeverisë Kurti.
Kurti në këtë fjalim përmendi krizën me energji nëpër të cilën po kalon vendi ku fajtor la qeveritë e kaluara, fitoren në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, miratimin e buxhetit, të hyrat nga ATK-ja, rritjen e eksporteve, shkallën e vaksinimit e edhe shtetasit afganë që janë në Kosovë.
Për krizën energjetike, Kurti ka thënë se e ka të trashëguar nga qeverisjet e kaluara dhe se edhe vet ai është i frustruar për reduktimet të cilat po i vuajnë qytetarët e Kosovës. Ai foli për rëndësinë e tranzicionit energjetik, ku tha se Kosova do të kërkojë edhe burime tjera të energjisë, krahas asaj me qymyr. Kurti tha se edhe prodhimi i rrymës me qymyr do të bëhet në atë mënyrë që të mos lëshohet dioksid i karbonit në ajër mbi nivelin e lejuar nga BE-ja.
Kryeministri përmendi si sukses zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, por në fjalimin e tji la pa folur për zgjedhjet lokale të 14 nëntorit ku partia e tij fitoi në vetëm 4 komuna.
Tutje, i pari i VV-së ia la meritat qeverisë së tij për rritje të buxhetit të shtetit, të hyrave tatimore nga ATK-ja dhe rritjen e eksporteve.
“Eksportet janë rritur për 60% e investimet e huaja e direkte janë rritur për 52% që përbëjnë po ashtu rritjen më të madhe që nga shpallja e pavarësisë. Kemi regjistruar mbi 10,000 vende të reja të punës”, tha ai në fjalimin para bashkëpartiakëve.
Kurti përmendi edhe shkallën e lartë të vaksinimit në vend, sigurimit e arsimit publik falas e menaxhimin e pandemisë.
Ai tha se do të kërkohen fusha tjera ku do të vihet masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, përpos asaj me targa.
Si sukses, ai përmendi edhe emërimin e komandantit të ri të FSK-së dhe emërimin e bordeve të reja, si dhe nisjet e projekteve për autostradën Prishtinë-Tetovë e hekurudhën Durrës-Prishtinë.
Ky është fjalimi i plotë i tij:
Fjala e plotë e kryeminstrit dhe njëherit kryetar i LV-së Albin Kurti në mbledhjen XLV të Këshillit të Përgjithshëm:
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,
I nderuari kryetar Hydajet, sekretare Vlora,
Të dashur aktivistë,
Mirë se ju gjej në këtë takim të fundvitit, në mbledhjen e 45-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që na e përkujton se janë bërë 10 vjet e gjysmë nga mbledhja e parë më 25 qershor 2011, e që do të thotë që kishim mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm më shpesh sesa njëherë në tre muaj – gjë që padyshim është e pashembullt në Kosovën e pasluftës për një subjekt politik, por mbase edhe më gjerë se kaq.
Si Kryeministër i Kosovës, me 23 dhjetor të këtij viti, pra para 3 ditësh, bëra një raportimin para qytetarëve të Republikës në mbledhjen e kabinetit qeveritar për 9 muaj të qeverisjes në mbledhjen jubilare të 50-tën me radhë ku treguam të arriturat dhe sfidat që kishim gjatë këtyre 9 muajve.
Sot jam këtu që të raportoj sërish por në cilësinë e Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i propozuar e mbështetur nga ky organ i lartë i subjektit tonë që përfaqëson të gjithë anëtarët e qendrat e Lëvizjes e rrjedhimisht mbulon gjithë vendin.
Në këtë Lëvizje, për një kohë të gjatë kemi rrahur këmbanat e alarmit për shumë tema e shumë probleme që kanë ndodhur të bindur se zgjidhjet që na ofroheshin nga të tjerët ishin shkurtpamëse e të gabuara. E pikërisht kjo na bënte Lëvizje sepse dëshironim të ecnim përpara dhe në këtë mënyrë stagnimin e prapavajtjen ta zëvendësonim me progres. I konsideronim të gabuar të mëhershmit sepse në vend të një qasje sovrane që flet për të drejta e për tërësinë, ata flisnin për pozita e për pjesë; një qasje që për të ruajtur pozitat e tyre bënin koncesione me vendin tonë, e në vend të vendimeve strategjike që sigurojnë të ardhmen tonë, ata vepronin veçse në të tashmen e tyre e për veten e tyre.
Pikërisht sepse e dinim ne të Lëvizjes që një qasje e tillë e varfëronte dhe e dobësonte vendin, dhjetëra e qindra aktivistë tanë rraheshin e burgoseshin. Andaj fitorja e VETËVENDOSJE!-s me 14 shkurt të këtij viti ishte e domosdoshme pra më shumë sesa e nevojshme, për ta shpëtuar vendin.
Por ajo që gjetëm në shumë pjesë ishte edhe më keq sesa e mendonim. Një shtet përtoke që gjakonte në të gjitha anët e tërësisht i papërgatitur për sfidat e shekullit 21. E në kulmin e këtyre problemeve këtë vit kishim edhe luftimin e vazhdueshëm të pandemisë COVID-19 dhe një ndërmarrje masive sikurse vaksinimi i popullsisë - sfidë të cilën e kaluam me sukses duke përmbushur premtimin për vaksinim të mbi 60% të popullsisë së vaksinueshme sipas parashikimeve të shkurtit të këtij viti.
Në kohën që po mbajmë këtë mbledhje të 45-të të Këshillit të Përgjithshëm, po përballemi me një sfidë tjetër. Një krizë energjetike e shkaktuar sa nga faktorë të jashtëm e jashtë kontrollit tonë, po aq nga mungesa e vizionit për të marrë vendime për të ardhmen nga ata që qeverisën për dy dekada. Derisa kërkesa për energji nga qytetarët dhe ekonomia jonë është rritur çdo vit, prodhimi nga KEK-u ka mbetur i njëjtë e ndërkohë ka pasur edhe vjedhje edhe vendime të gabuara që e kanë sjellë sektorin energjetik buzë kolapsit.
Unë e kuptoj sot frustrimin e secilit qytetar me mungesën e energjisë elektrike, më besoni se edhe unë jam i frustruar. Por le të jetë ky një rikujtim për gjendjen në të cilën ata që qeverisën për dy dekada na e lan shtetin, sepse si njerëz të territ që ishin e që punët i bënin natën e larg syve të qytetarëve, ata s’kishin se si ta linin Kosovën ndryshe pos në terr e në skëterrë.
Por ajo epokë ka përfunduar.
Rrugëtimi që kemi filluar së bashku është me plot sfida por do të na dërgojë në ditë më të mira.
Gjatë vitit që vjen do të dalim me propozime për zgjidhje afatgjate, e cila do të marr parasysh kërkesën tonë për rritje për energji në dyzet vitet e ardhshme dhe burimet tona energjetike për të plotësuar këtë kërkesë.
Në botë sot ka alternativa të ndryshme për prodhimin energjisë por duke ditur se energjia është pjesë e sovranitetit tonë shtetëror ne duhet të bëjmë një zgjedhje e cila nuk cenon pavarësinë tonë për të marrë vendime. Fatkeqësisht vendi ynë nuk është në një pozitë ideale që në një të ardhme të afërt të gjenerojë energji nga burimet e ripërtëritshme duke e mbuluar kërkesën ekzistuese dhe atë të ardhme por strategjia jonë duhet të jetë që vit pas viti të investojmë në energji të ripërtëritshme.
Na nevojitet një zgjidhje e atillë që mundëson prodhim të energjisë duke mos e kaluar asnjëherë tavanin e ndotjes me dioksid karboni të vendosur nga Bashkimi Evropian dhe duke eliminuar maksimalisht ndotjen në ambient, e rrjedhimisht në shëndetin tonë. Mjedisi ku jetojmë dhe shëndeti përgjatë jetës janë ngushtë të lidhura me njëra tjetrën. Një gjë e tillë është e mundur dhe do të propozohet vitin që vjen në mënyrë që sa më shpejtë të fillojmë investimet që na garantojnë stabilitet energjetik dhe një tranzicion të shëndetshëm si për ekonominë ashtu edhe për shëndetin.
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,
Qeveria që kemi zgjedhur pas fitores me 14 shkurt ka punuar me përulje e përkushtim në përmbushjen e premtimeve për punë dhe drejtësi.
Gjatë këtyre 9 muajve në qeverisje, prej atëherë kur u votua me 22 mars në Kuvendin e Republikës dhe morëm detyrën një ditë më pas me 23 mars, ekonomia jonë është kthyer përditë e më shumë drejt zhvillimit.
Kemi kaluar një buxhet për vitin 2022 në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë euro, që përbën buxhetin më të madh ndonjëherë me një rritje prej 12% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar dhe vitin po e mbyllim me një rritje ekonomike prej 9,9% të Bruto Produktit Vendor sipas projeksioneve të BQK-së.
Të hyrat nga ATK janë në vlerë të 552,5 milionë euro, një rritje prej 125,8 milionë euro apo 29,5% me shumë sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Të hyrat nga Dogana janë në vlerë të 1 miliardë e 238,8 milionë euro, që paraqet një rritje prej afro 32% apo rreth 300 milionë euro më shumë.
Pra, në njërën anë qeveria pa korrupsion dhe në anën tjetër shpresa e qytetarëve kanë bërë që të ketë më shumë shpenzim dhe më shumë kontribut. Më shumë shpenzim të qytetarëve sesa kursim të tyre dhe më shumë kontribut përmes tatimeve dhe taksave për shtetin.
Janë emetuar me sukses Bono të Diasporës me dy lloj maturitetesh (ato 3 vjeçare me 1,2% interes dhe 5 vjeçare me 2,2% interes). Vlera e financimit nga këto Bono ka arritur në afër 10 milionë e gjysmë euro të cilat i dedikohen kredive investive për bizneset prodhuese dhe përpunuese të vendit.
Eksportet janë rritur për 60% e investimet e huaja e direkte janë rritur për 52% që përbëjnë po ashtu rritjen më të madhe që nga shpallja e pavarësisë. Kemi regjistruar mbi 10,000 vende të reja të punës.
Po menaxhojmë me sukses vaksinimin e popullsisë ndaj COVID-19. I kemi tashmë 1,65 milionë doza të administruara, ku 48,6% të popullsisë së përgjithshme janë vaksinuar me të paktën një dozë, ndërkaq 43,2% me dy doza, si dhe kemi filluar dhënien e dozës përforcuese të dozës së tretë. Me këtë rast duhet theksuar që për popullsinë mbi moshën 18 vjeçare tashmë e kemi tejkaluar 2/3 e tyre të vaksinuar me një dozë ndërkaq mbi 60% me të dy dozat.
Kosova sot është prijëse në rajon me shkallën e vaksinimit dhe shembull i reagimit ndaj pandemisë falë punës së mirë të qeverisë dhe menaxhimit të suksesshëm të ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe mjekëve e infermiereve, stafit mbështetës e vullnetarëve tanë.
Por ky sukses në menaxhim dhe në vaksinim nuk na bënë të paprekshëm nga vala e re, aq më tepër që tash kemi këtë variantin më të ri Omicron dhe kjo në veçanti nëse nuk jemi të kujdesshëm me marrjen e dozës së tretë dhe përforcuese si dhe duke respektuar në vazhdimësi masat në fuqi.
Kemi operacionalizuar 23 nga 26 masat, apo 88% të Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga e cila deri më tani kanë përfituar gati 445 mijë qytetarë. Kemi mbështetur familjet, punëtorët, bizneset, kulturën e sportin, pensionistët, përfituesit e skemave sociale, mërgatën, mjekët e infermierët, si dhe nënat lehona e fëmijët.
Është avancuar korniza ligjore për luftimin e korrupsionit duke iniciuar një sërë ligjesh sikurse ai për Deklarimin e pasurisë së Zyrtarëve Publik, për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Legjislacioni për Zhvillimin e Vetingut në Sistemin e Drejtësisë. Është miratuar Strategjia për Sundim të Ligjit, Koncept-dokumenti për Vetingun në Drejtësi, Projektkodi i Procedurës Penale si dhe është finalizuar Ligji për Byronë Shtetërore dhe për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili do të miratohet këtë vit.
Sa i përket Dhunës në Familje, në mesin e shumë iniciativave dhe veprimeve të ndërmarra është finalizuar Strategjia dhe Plani i Veprimit dhe është miratuar Projektligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Në kuadër të ballafaqimit me të kaluarën, si njëra nga objektivat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, është miratuar Koncept-dokumenti për Themelimin e Mekanizmit për Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë si dhe është miratuar plotësim ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale i cili mundëson gjykimin në mungesë për krimet e kryera gjatë luftës. Në këtë drejtim, gjithashtu janë shtuar kapacitetet njerëzore dhe profesionale të Prokurorisë Speciale, për të mundësuar ndjekje më efikase dhe profesionale të veprave të krimeve të luftës.
Lidhur me reformat tjera në drejtësinë civile dhe atë penale, vlen të përmendet miratimi i Projektligjit për Gjykatën Komerciale dhe gjithashtu kanë filluar reformat përmbajtësore në sistemin prokurorial, përmes ndryshimeve të nevojshme ligjore.
Është luftuar krimi e korrupsioni duke zhvilluar 509 operacione policore, 893 bastisje, e duke goditur 42 grupe kriminale.
Është luftuar kontrabanda dhe krimi i organizuar në tërë territorin e Republikës që ka rezultuar me arrestime dhe konfiskime. Janë iniciuar në total 1,111 raste, prej tyre janë hetuar 1,780 persona të dyshuar, janë arrestuar 1,130 prej tyre dhe janë ushtruar 799 kallëzime penale.
Me kërkesë të ShBA-së, kemi strehuar përkohësisht 1,341 shtetas afganë ku mbi 1000 prej tyre tashmë lëshuar Kosovën.
Ka filluar aplikimi i reciprocitetit në targa me Serbinë dhe në vazhdimësi do të identifikohen fusha të tjera të reciprocitetit në përputhje me përgatitjet e brendshme për zbatuar atë me sukses.
Janë ndërmarrë reforma në administratë përmes rekrutimit të niveleve të larta nëpër institucione publike që përfshinë, Sekretarë të Përgjithshëm të Ministrive, Anëtarë Bordi dhe Drejtorë Ekzekutiv të Agjencive publike.
Për herë të parë kemi bërë edukimin FALAS në të gjitha nivelet në sektorin publik.
2,153 mësimdhënës janë pajisur me licencë të karrierës.
Kemi filluar investimet në çerdhe në funksionalizimin e shkollave me hapësira përkatëse.
Kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian.
Kemi ngritur në 15 gjithsej numrin e Qendrave të Karrierës duke themeluar 5 shtesë.
Për arsimin e lartë kemi ndarë 1.799 bursa për studentë elitar që studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë në vlerë prej 700 € (vlera totale e ndarë nga MAShTI është 1.259.300 €).
Kemi filluar de-partizimin e politikës së jashtme duke emëruar ambasadorë të rinj ku është bërë e mundur që nga të gjithë shefat e misioneve, 3/4 të jenë diplomatë karriere, ndërkaq vetëm 1/4 të emëruar sipas çelësit politik.
Janë realizuar mbledhje të përbashkëta qeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe si kurrë më parë këtë vit kemi pranuar dhe zhvilluar vizita të nivelit të lartë.
Kemi forcuar FSK-në duke ndarë buxhet shtesë prej 32 milion euro gjatë këtyre 9 muajve dhe 100 milionë euro për vitin që vjen që është buxheti më i lartë që është ndarë ndonjëherë për Ministrinë e Mbrojtjes apo përmbi 2/3 më i lartë së buxheti i vitit të kaluar.
Kemi marrë pjesë në ndërmarrjen më të madhe ushtarake të NATO-s Defender Europe 21, në mesin e 27 shteteve, ku ne madje ishim në mesin e 16 shteteve nikoqire dhe merrnim pjesë me 330 ushtarë tanë pjesëmarrës.
Kemi rritur kapacitetet mbrojtëse me 55 autoblinda (ASV), blerje të pajisjeve ushtarak; rekrutimin e 400 të rinj dhe jemi në proces të rekrutimit edhe të 840 rekruteve të ri, që në total i bie që Kosovës i shtohen 1.240 rekrut të rinj, ushtarë të FSK-së.
Kemi dërguar dhe përmbyllur suksesshëm misionin e parë të bashkë-zbarkimit të FSK-së në Kuvajt bashkë me ushtrinë Amerikane si dhe për vitin e ardhshëm planifikojmë bashkë-zbarkime të reja.
Me 30 nëntor kemi emëruar gjeneralmajorin Bashkim Jashari komandant të ri të Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Kemi filluar hartimin e strategjisë së energjisë 2022-2031 dhe janë përfunduar auditimet dhe dizajnet detale për 74 projekte të efiçiencës së energjisë në 25 komuna të Kosovës.
Nga bisedimet për dialog parimor me Serbinë, tek fuqizimi i ushtrisë, fillimit të reciprocitetit me fqiun veriorë e deri tek luftimi i krimit e kontrabandës në tërë territorin e Republikës, në çdo aspekt ky ishte viti i një Kosove Sovrane.
Kemi themeluar Institucionin e Operës së Kosovës
Kemi themeluar Komisionin Shtetëror për Rini
Kemi dyfishuar fondin për Trashëgiminë kulturore në rrezik duke filluar ndërhyrjet emergjente në 30 asete që janë të rrezikuara.
Pas shumë vite të premtimeve më në fund do të fillojnë ndërhyrjet në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.
Kemi mbështetur ndërtimin dhe renovimin e palestrave sportive, dhe kemi subvencionuar me mbi 5,5 milionë euro artin dhe kulturën.
Në Infrastrukturë kemi nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për linjën hekurudhore Prishtinë – Durrës.
Kemi bërë rehabilitimi e rrugëve regjionale që lidhen me Brezovicën dhe zgjerimin e Pistës në Aeroportin e Prishtinës, si dhe
Është iniciuar projekti ideor për Rrugën Prizren – Tetovë.
Në Bujqësi, në kuadër te Programit për Pagesa Direkte – Subvencione për vitin 2021 janë realizuar pagesa në vlerë prej rreth 21 milionë euro.
Janë luftuar keqpërdorimet duke marrë masa konkrete sikurse: Themelimi i Task Forcës për Verifikimin e Lëndëve të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike 2020.
Dhe organet e rendit dhe ligjit kanë arrestuar 23 zyrtarë për keqpërdorime në Ministri dhe Agjenci.
Kemi ndarë mbi 70 milionë euro për fermerët për vitin e ardhshëm, çka shënon përkrahjen më të madhe ndonjëherë brenda një viti fiskal.
Janë miratuar në qeveri 22 ligje që rregullojnë politikat kombëtare për bujqësinë dhe zhvillimin rural, vendosjen e kritereve për mbështetje financiare, vendosjen e standardeve të cilësisë, mbështetjen institucionale dhe forcimin e masave të kontrollit administrativ në zbatim të masave të politikave bujqësore.
Në industri, ndërmarrësi dhe tregti janë miratuar një sërë projektligjesh e ligjesh për inspektime, për metale të çmuara, për tregti me produkte të naftës dhe karburante të ripërtëritshme, për tregti të jashtme, për konkurrencë, turizëm, për sekretet tregtare, për patenta, për marka tregtare etj.
Janë marrë katër vendime nga Ministrja e MINT: për masat mbrojtëse antidamping në vlerë prej 3 centë për importet e disa llojeve të koncentratit për shpezë dhe kafshë, masa mbrojtëse prej 3 centë për importin e bllokave standard nga Serbia, për vlerat kufizuese të vajrave motorike si dhe masat mbrojtëse në importe për produktet konditorike nga Serbia duke e vënë në spikamë asimetrinë që ekziston sot edhe në CEFTA.
Në bashkëpunim me projektin CETEP, janë dhënë 9 grante për certifikim të produkteve me standardet relevante. Po ashtu janë ndarë 500,000 euro për të mbështetur bizneset për blerjen e makinerive të prodhimit, 2 mil. euro për mbështetjen e bizneseve në ngritjen e kapaciteteve profesionale, si dhe 1,150,000 euro për përkrahje të projekteve Inovative.
Gjithashtu gjatë këtij viti përmes projektit digjitalizimi i NVM janë përkrahur 50 biznese, derisa përmes granteve për blerjen e makinerive prodhuese janë shpallur listat preliminare me 32 biznese.
Janë emëruar Bordet e Përkohshme në:
KPMM, pra në Komisionin e pavarur për Miniera dhe Minerale,
në KRU “Hidroregjioni Jugor” Sh. A. Prizren
KRU “Bifurkacioni” Sh. A. Ferizaj
KRU “Hidrodrini” Sh. A.
KRU “Gjakova” Sh. A.
KRU “Mitrovica” Sh. A.
KRU “Prishtina” Sh. A.
KRU “Ibër Lepenc” Sh. A.
Zëvendësdrejtori i Autoritetit Rregullator për Shërbime të Ujit,
dhe Kryesuesja e Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullues për Shërbimet e Ujit.
Më tej, janë emëruar edhe bordet në Këshillin Kombëtar të Shkencës, në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.
Është emëruar Drejtori i ASHNE-s,
Është zgjatur mandati i Sekretarit të Ministrit të Shëndetësisë.
Është emëruar dhe më pas është zgjedhur bordi i ri i AKP-së.
Kryesuesi dhe Bordi i ZRrE-së.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe kryetar i delegacionit njëkohësisht.
Bordi i Përkohshëm në “Trepça” Sh. A.
Bordi i Përkohshëm në KEK Sh. A.
Bordi i Përkohshëm në “Postën e Kosovës” Sh. A.
Bordi i Përkohshëm “Infrakos” Sh. A.
Bordi i ARKEP-it
Bordi drejtues në Telekom.
Drejtori i ri i Doganës.
Drejtori i ri i AKI-së.
Zv. Drejtori i ri i AKI-së
Zëvendësuesi i Sekretarit në ZKM-së.
Zëvendësuesi i Sekretarit në KSK-së
Koordinatori i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar me Shqipërinë,
Komandanti i ri i FSK-së,
Kryetari i ri i KQZ-së.
Bordi i ri i RTK-së
Dy anëtar joekzekutiv të Bordit të BQK-së,
Auditorja e Përgjithshme,
Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi,
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, po ashtu i ri.
Kemi mbështetur gratë. Janë përkrahur 273 biznese të vogla në pronësi të grave dhe 3 OJQ të specializuara në ofrimin e shërbimeve për këshillim dhe trajtim të dhunuesve me qëllim të parandalimit.
Kemi mbështetur personat me aftësi të kufizuara
Është funksionalizuar Grupi Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut dhe Këshilli për të Drejtat e Personave me aftësi të kufizuara.
Janë trajnuar ekipet vlerësuese pedagogjike për përdorimin e instrumentit për vlerësimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara (gjithsej 150 anëtarë të trajnuar).
Janë përzgjedhur 8 organizata përfituese të granteve të cilët do t’i përkrahin nxënësit me aftësi të kufizuara dhe ata që kanë nevojë për përkrahje psiko-sociale. Vitin 2022 e kemi shpallur vitin e personave me aftësi të kufizuara.
Në vitin që vjen, prioritetet për qeverinë nuk do të ndryshojnë, pra punë dhe drejtësi, rrjedhimisht do të punojmë shumë e pa u lodhur në zhvillimin e ekonomisë që hapë vende të reja të punës dhe në zhvillimin e drejtësisë që lufton krimin e korrupsionin dhe sjellë sundimin e ligjit.
Tashmë e kemi bërë të ditur që vitin e ardhshëm të do të bëjmë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në përputhje me reformat e brendshme dhe në realizim të perspektivës për anëtarësim në BE.
Zgjedhjet e 14 shkurtit ishin pra zgjedhje të cilat sollën legjitimitet dhe stabilitet në institucione.
Kjo ka rezultuar në besim më të madh jo vetëm në lidershipin e Kosovës por edhe në trajtimin e Kosovës nga partnerët ndërkombëtar si shtet demokratik dhe i besueshëm i cili konsiderohet i denjë për të bashkëpunuar në ndërtimin e paqes dhe të demokracisë në rajon.
Imazhi i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë asnjëherë nuk është ngritur sikurse sivjet.
Viti 2021 siç e dimë ishte vit i zgjedhjeve, vit i zgjedhjeve ku është kërkuar përkushtim maksimal nga e gjithë struktura jonë, anëtarët, votuesit dhe përkrahësit tonë.
Kësisoj me 14 shkurt i kemi pasur zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Me 25 prill, i kemi pasur zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ku Lëvizja garoi me 3 kandidatë të saj në tri qarqe: Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër.
Me 17 tetor i kemi pasur zgjedhjet lokale të rregullta, ndërkaq me 14 nëntor balotazhin përkatës.
Këtu dëshmohet përkushtimi i gjithsecilit. Në secilën fushatë kërkohet të ndahet kohë dhe energji nga të gjithë, dhe sigurisht kërkon edhe një shpenzim të madh nga organizata dhe dashamirësit.
Në janar u organizua procesi i brendshëm zgjedhor për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet në të gjitha qendrat e Lëvizjes në Kosovë.
Përkundër rrethanave me pandeminë, në janar dhe shkurt të këtij viti kemi realizuar mbi 5 mijë aktivitete, tubime e vizita në teren,
Në korrik dhe gusht është organizuar procesi i brendshëm zgjedhor për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar komune dhe atyre për asamble, ku janë përzgjedhur 28 kandidatë për kryetar komune dhe 933 kandidatë për kuvendet komunale.
Në parafushatë dhe fushatë janë realizuar përmes shtabeve lokale mbi 7 mijë aktivitete dhe janë realizuar 1054 vizita nga niveli i tretë.
Tani kemi 4 kryetar të komunave nga Lëvizja jonë dhe 195 anëtarë në kuvende komunale.
Përgjatë vitit 2021 në Lëvizje janë anëtarësuar 8786 qytetar;
Në total numri i anëtarëve në Lëvizje ka kaluar 58 mijë.
Viti i ardhshëm 2022 me këtë stabilitet institucional premton që për herë të parë prej pas luftës na jepet mundësia për planifikim më të qëndrueshëm pa urgjenca të krizave politike qendrore ose lokale. Si subjekti më i madh politik, e kemi një përgjegjësi më të madhe për krijimin dhe mirëmbajtjen e një sistemi të qëndrueshëm të punës dhe aktiviteteve, me planifikim e rutina, procedura, vendime më afatgjate dhe përcjellje të tyre.
Pjesa e parë e vitit që vjen fokusin tonë duhet ta kemi në zgjedhjet e brendshme dhe dy rregulloret shtesë që na nevojiten për organizatën e gruas së VETËVENDOSJE!-s dhe organizatën e rinisë.
Zgjedhjet e brendshme të përgjithshme të bëhen aktivitet kryesor i fillimvitit 2022 deri në përfundimin e zgjedhjeve në të tri nivelet e organizatës tonë.
Pjesa e dytë e vitit, nevojitet organizimi më i mirë i mërgatës me rregullore të posaçme për ta.
Ndërkaq gjatë tërë vitit 2022 fokusin ta kemi në fuqizimin e grupeve tona të asambleve komunale. Ashtu që aty ku nuk jemi në qeverisje duhet medoemos të bëhemi opozita kryesore ndërkaq aty ku jemi në qeverisje fokus ta kemi bashkëpunimin dhe sinergjinë mes komunës dhe qendrës sonë ku kryetari ynë i komunës mund të jetë edhe kryetar i ardhshëm i qendrës – andaj edhe sot e kemi në rend të ditës ndryshimin statutor të nenit 58 që do e parashtrojmë për ndryshim ku kufizimi për mbajtjen e këtyre dy pozicioneve propozohet të largohet.
Fokus në mbështetje më të madhe të grupeve të asamblistëve.
Angazhimi i koordinatores së asamblistëve enkas me këtë detyrë dhe planifikim të nisjes së nivelit ekzekutiv të shkollës politike posaçërisht për asamblistët e qendrave.
Fokus të shtuar të kemi te mbështetja e pushtetit lokal sidomos në 4 komunat që i kemi fituar.
Gjatë vitit 2022 do të duhej të emëronim Koordinatorin për Pushtetin Lokal.
Gjatë diskutimit tonë me siguri se do të mund t’i shqyrtojmë gjëra që lidhen me mësimet e nxjerra nga zgjedhjet lokale, e ku natyrisht se do të kisha theksuar faktin që në raport me mbështetjen elektorale të fillimvitit organizata ngelet relativisht e vogël me struktura pak të shtrira në terren dhe me pamjaftueshëm me detyra të hollësishme të ndara për rrjetin e aktivistëve tonë.
Pastaj kemi nevojë për një tëhollimi të mendimit të Lëvizjes për nivelin lokal ashtu siç e kemi edhe për nivelin qendror.
Të mos harrojmë që në historikun tonë kemi bërë tubime të vogla për tubime të mëdha e shpeshherë edhe për protesta. Në pandemi përveç se na u godit shëndeti publik na u godit edhe metoda e punës. Kishim tubime të vogla pa aso të mesme e të mëdha të cilave ende nuk ua kemi gjetur si organizatë zëvendësimin.
Në përfshirje më të madhe të anëtarëve tanë duhet të angazhohemi me të gjitha strukturat tona.
Secila qendër të ketë përqendrim në aktivitete politike siç janë rinisjen e shkollës të nivelit politiko-organizativ në Qendra, debatet për politikat qendrore dhe lokale, me theks në politikat lokale, përfshirjen e aktivistëve në komunitet në Këshille të lagjeve e fshatrave, Këshille të shkollave/prindërve, sindikatave, odave të ndryshme na duhet ndihma prej të gjithëve për ç’kapjen përfundimtare të shtetit – sepse edhe zgjedhjet lokale kanë treguar që një pjesë e konsiderueshme e krimit të organizuar nga niveli qendror ku s’kanë më vend si dikur kanë zbritur në atë lokal dhe duhet të pamundësohet kapja e komuniteteve nga fondet, kapitali i zhvatur, i ekstraktuar në këto dy dekada, i cili fatkeqësisht edhe më tej vazhdon t’i ketë pronarët e njëjtë pa ju kthyer akoma shtetit të cilit duhet t’i përkisnin qoftë si mjete financiare apo si pasuri publike e natyrore.
Të dashur anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, aktivistë të Lëvizjes, sfidat siç e dimë janë të shumta vështirësitë e pengesat të panumërta mirëpo ne si subjekt politik, si Lëvizje e si qeveri kurrë s’kemi qenë më të fortë e më të mëdhenj.
Përgjegjësia është tejet e lartë, andaj puna e angazhimi duhet të jenë si asnjëherë më parë.
Edhe ne, edhe qytetarët e duan këtë; i duhemi njëri tjetrit, dhe, duhet të fitojmë e do të fitojmë veçse bashkë. Ky zotim është edhe urim; andaj gëzuar festat e fundvitit dhe gjithë të mirat secilit prej jush në 2022!
Ju faleminderit.