Infektologu: Në rajon Kosova prin me numrin e rasteve me variantin Omicron

Aktuale

Infektologu: Në rajon Kosova prin me numrin e rasteve me variantin Omicron

Më: 27 dhjetor 2021 Në ora: 19:47
Shemsedin Dreshaj

Në Kosovë tashmë zyrtarisht janë regjistruar nëntë rastet e para të infektimit me variantin “Omicron” të coronavirusit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në fuqi do të mbesin masat e tanishme, por nëse rriten numrat mund të ketë ashpërsim të kufizimeve.

“Aktualisht në fuqi janë disa masash të cilat duhet të zbatohen në përpikëri dhe të vazhdojë vaksinimi i plotë, ndërsa në varësi prej aspekteve që u theksuan më lartë, Komisioni jep rekomandime nëse masat në fuqi janë të mjaftueshme, apo duhet ndryshuar diçka, qoftë në drejtim të shtrëngimit apo lirimit të tyre. Pra çdo lirim i tyre lidhet me zbatimin e tyre dhe vaksinimin”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për RTV Dukagjinin.

Nga ana tjetër infektologu Shemsedin Dreshaj ka ngritur alarmin se Kosovë prin në rajon sa i përket infektimeve me variantin Omicron.

“Me paraqitjen e nëntë rasteve me Omicron, kjo nënkupton se Kosova prinë në regjion me infektimet nga varianti Omicron. Realisht Ministria e Shëndetësisë bashkë me ekipet e saj do të duhet të marrin masa për të parandaluar këtë situatë”, deklaroi Dreshaj.

Infektologu Dreshaj i cili është edhe deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës thotë se nga mesi i shkurtit mund të ketë shtim të rasteve me coronavirus në Kosovë.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj ka thënë se gjatë së martës do të ketë më shumë detaje në lidhje me situatën epidemiologjike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat