Përfundon seanca, ​Kuvendi vazhdon punimet nesër në orën 11:00

Aktuale

Përfundon seanca, ​Kuvendi vazhdon punimet nesër në orën 11:00

Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 11:49
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 19:36) - ​ Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës në të cilin u debatua mbi gjendjen energjetike në vend, do të vazhdojë nesër në orën 11:00.

Propozuesi i debatit parlamentar, deputeti i AAK-së Ramush Haradinaj ka shprehur qëndrimet dhe masat e nevojshme që qeveria duhet t’i aplikojë për dalje nga kriza aktuale energjetike me të cilën po përballet vendi.

Ai ka kërkuar që të bëhet një kosto e çmimit të importit të energjisë elektrike deri në kalimin e krizës dhe njëherësh të nisë faturimi i energjisë elektrike në veri. 

Haradinaj: S’kam mocion sepse e shoh se s’do të kuptohem nga Qeveria

“Nuk kam mocion sepse e shoh se s’do të kuptohem drejt sidomos nga qeveria dhe ata që marrin vendime. Këtë debat kur e kemi ftuar, nuk e kemi bërë për vete, por e kemi problemin serioz - kemi familje në terr, dhe ftesën për këtë debat para dy jave ka qenë ta bëjmë një alarm për qeverinë se do të jetë një problem me të cilin do të përballemi... Nëse sasia e rrymës nuk mjafton, duhet të angazhohemi që të sigurojmë sasinë që na mungon. Ta bëni një para-llogari të kostos së importit deri në kalimin e krizës dhe të sigurojmë buxhet dhe të garantojmë të kenë likuiditet... Është rrezik ta qesim dilemën a ta rritim çmimin apo reduktimet. Bëni llogari se kaq na kushton deri në prill dhe të mos e lëmë popullin në terr. S’kemi kah t’ia mbajmë se s’guxojmë t’i lëmë njerëzit në terr. Filloni ta shtrini autoritetin në veri dhe t’i jepni një datë të caktuar dhe të filloni t’ua çoni faturat atyre njerëzve dhe e keni kohën më të mirë të mundshme duke u bazuar në këtë krizë”, tha Haradinaj.

Me propozim të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca seanca plenare do të vazhdojë nesër në orën 11:00, ku pritet të votohen edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

***

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka mbajtur sërish një fjalim në Kuvend për krizën e rrymës në Kosovë.

Ajo ka sulmuar ashpër KEDS-in duke thënë se nuk po i respekton “rregullat e lojës”. 

“Për çështjen e gazit kemi folur shumë dhe besoj që është shtjerrur. Unë nuk di nëse nuk po e kuptoni këtë me të vërtetë apo qytetarët të besojnë në këto përralla. Për të zbutur ndikimet e çmimit të importit në tarifa, qeveria subvencionoi miliona euro. Pavarësisht këtij fakti, Kosova vazhdon të devijojë sepse KEDS nuk po respekton rregullat e lojës. KEDS që nga data 20 dhjetor nuk e blenë tërë energjinë e nevojshme. Kësisoj, KOSTT po detyrohet të urdhërojë reduktime apo edhe subvencionim”, tha ajo

Tutje, ajo tha se pret nga ZRRE dhe KOSTT që të veprojë sipas legjislacionit në fuqi dhe se sipas saj KEDS po e trajton interesin e tij komercial para interesit publik.

“Presim nga ZRRE që të trajtojë këtë çështje sipas legjislacionit në kufi. KEDS dhe KESCO po e trajtojnë interesin e tyre komercial para interesit publik. Për reduktimet do të ketë përgjegjësi. Me KEK do të punojmë që të evidentojmë problemet teknike. U bëj thirrje KOSTT-it dhe ZRRE-së që të saktësojnë të gjitha devijimet për energjinë”, tha ajo

Murati fton prokurorinë ta hetojë kontratën e shitjes së rrymës nga “Ibër Lepenci”

Ministri i Financave, Punës dhe Tranfereve, Hekuran Murati, gjatë seancës ku mbahet debati për krizën energjetike, ka ftuar prokurorinë ta hetojë kontratën, siç tha ai të lirë të ndërmarrjes ‘Ibër Lepenci” për shitjen e rrymës në këtë kohë krize.

Ai tha se duhet verifikuar se kush e ka nënshkruar kontratën siç u shpreh ai, korruptive dhe çfarë procesi është zhvilluar.

Murati: Duhet të hetohet kontrata e shitjes së rrymës 38 euro për MWh

“Në lidhje me angazhimin e prokurorisë pajtohem, që prokuroria do të duhej të fillonte hetimet për ndërmarrjen publike “Ibër Lepenci” dhe kontratën që është nënshkruar për shitjen e energjisë nga Ujmani me çmim 38 euro. Duhet shikuar se kush e ka nënshkruar atë kontratë dhe çfarë procesi është zhvilluar në atë kontratë korruptive. Kur ne blejmë me çmim marramendës, kurse energjinë e që e prodhon Ujmani shitet me çmim 38 euro me MWh”, theksoi ai. 

***

​​Kriza me energji, Tahiri thotë se duhet kërkuar dorëheqjen e Qeverisë

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, në debatin e thirrur nga partia që ai vjen, e ka quajtur gabim kërkimin e shkarkimit të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sipas tij duhet të kërkohet shkarkimi i gjithë qeverisë.

Ai kërkoi përgjegjësi edhe për thirrjen e qeverisë për ndaljen e dritave në institucionet e vendit.

Tahiri: S’duhet kërkuar dorëheqjen e Rizvanollit, por të qeverisë

“Qeveria ka kërkuar ‘një-dy’ ndalni dritat, por pyetja shtrohet a jemi në Kuvend këtu kush e merr përgjegjësinë nëse ndodhin një vjedhje serioze në dokumente kur kamerat e sigurisë nuk e evidentojnë ndonjë hajn, a e merr Qeveria e Kosovës, a policia që janë te dera apo kryetari i Kuvendit, a sekretari? Kush e merr atë përgjegjësi në të gjitha institucionet publike, pra në këtë kuptim duhet parë këtë pjesën më të gjerë sesa që po e trajtojmë me rekomandim ndalni dritat. Mendoj që kërkesa për dorëheqje të ministres doktor i shkencave që ka studiuar në Angli, kolege e jona për dorëheqje, është gabim dhe nuk është e drejtë për arsye se kjo ka marr një detyrë dhe portfolio të cilën realisht po mundohet të bëjë diçka. Nëse kërkojmë dorëheqje, duhet kërkojmë dorëheqje tek organi kolektiv, te qeveria, sepse qeveria është ajo që e ka emëruar Bordin e ZRRE-së e jo ministrja, nuk jam avokat i ministres, vetëm të kuptohemi”, tha ai. 

***

Kastrati e quan Bislimin hipokrit e humorist

Deputeti nga PDK-ja Ardian Kastrati, në debatin për krizën energjetike, e ka quajtur humorist dhe hipokrit zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, për dështimin e projektit për gazin.

Duke kritikuar qeverinë Kurti për dështimin e zgjidhjes së krizës energjetike, Kastrati tha se qeveria aktuale është duke u ankuar dhe vajtuar.

Kastrati: Bislimi është humorit e hipokrit

“Sot është situatë shumë e qartë, ka terr dhe terrin ju s’e gjetët mes jush, po e sollët ju terrin, sepse nga 2008 e tutje këtu s’ka pasur reduktime. Pra, terrin e keni sjellë ju. Kjo është e sigurt. Në këtë situatë, bizneset janë me gjenerator, njerëzit vuajnë në këtë ftohtë, ju kukatni. Jeni bërë qeveri e ‘kukamave’ sikur ato bebet ku qajnë. Ankoheni, qa është bërë 20 vjet. Ndaluni more se është situatë emergjente, njerëzit kanë nevojë për të gjetur zgjidhje. Situatën e keni pasur në dorë. Keni dështuar në afatshkurtër, po dështoni në afatmesëm dhe jeni para një zgjidhje ose terr ose duke vajtuar “ue-ue”, ose duke rritur çmimin e rrymës. Përveç kësaj, edhe projektet afatgjate me një hipokrizi të pa konkurruese, i arsyetoni që gazi amerikan. Me litra ka matur ky Besnik Bislimi, që vërtet është një hipokrit i pa konkurrencë. Dorën në zemër prej që ka ardhur ky (Bislimi), unë “Stupca” s’po i shikoj kurrë, kërkoj falje Vedatit, por po i bën ky shumë konkurrencë”, tha ai.

Ndaj tij, ka reaguar deputeti nga LVV-ja, Halil Thaçi, i cili tha se punonjësit emëruar pa konkurs në KEK janë duke e sabotuar qeverinë e Kosovës dhe kompaninë në fjalë.

Thaçi: Disa punëtorë po e sabotojnë KEK-un dhe Qeverinë

“Jam I bindur që edhe sot po e sabotojnë KEK-un, dhe jam shumë i bindur që Blloku B2 është një sabotim. Shumë i bindur jam për këtë punë dhe do të dalin faktet për këtë punë. Pra, ky është sabotim që po mundohet t’i bëhet kësaj qeverie, ndaj një ministre të suksesshme dhe drejtorit të suksesshëm të KEK-ut”, tha ai.

***

Rexhaj i LVV-së e quan Abdixhikun praktikant

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj e ka quajtur praktikant liderin e LDK-së Lumir Abdixhiku, i cili paradite i kërkoi kryeministrit Albin Kurti që ta dorëzojë diplomën e fakultetit.

Rexhaj tha se Abdixhiku është praktikant imitues i verbër i Kurtit, ndërsa shtoi se kryetari i LDK-së foli kundër shefit të vetë imitues falë të cilit u bë kryetar i partisë që tani drejton.

“Njëri prej praktikantëve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit ia mohoi diplomën e inxhinierit tha le ta kthejë në universitet, foli të pavërteta linçime e gënjeshtra, realisht ai foli kundër shefit të vet imituesit të skajshëm të tij. Fundja në jetën e vetë pikërisht Kurti e bëri ministër dhe i dha mundësi menaxhimi”.

“Iu kujtohet ky praktikant imitues i verbër i Kurtit pati refuzuar të bëhej ministër i Avdullah Hotit, sepse e dinte se ishte qeveri e paligjshme. Kompetencën e fitoi në kohën e Qeverisë Kurti madje edhe kryetar i subjektit u bë pikërisht fal kësaj kompetence. Madje nuk jam i sigurt se a bëri Kurti apo partia e tij kryetar”, theksoi ai.

Kriza energjetike, Haradinaj: Kurti po rrezikon shëndetin dhe mirëqenien sociale të qytetarëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj ka kritikuar se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka neglizhuar zgjidhjen e krizës energjetike.

Në seancës plenare për debatin parlamentar në lidhje me krizën energjetike në Kosovë, të iniciuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së, Haradinaj theksoi se për mbi 9 muaj qeverisje, Lëvizja Vetëvendosje nuk mori masa me kohë për të mos përfunduar në reduktime të ashpra të energjisë elektrike, që po rrezikojnë shëndetin dhe mirëqenien sociale të qytetarëve.

“Sektori i energjisë ndër vite është viktimë e jo-stabilitetit politik. Ndërrimi i shpeshtë i politikave të institucioneve ndërkombëtare relevante edhe në pamundësi të një ambienti të favorshëm në realizimin e projekteve kapitale në funksion dhe të adresimit të sigurisë së furnizimit. Këta janë disa nga faktorët kryesor që e kanë sjell vendin në këtë gjendje. Njëkohësisht sot secili mund ta drejtojë gishtin kah secili dhe modeli i amnestimit për mosveprim është bërë model i qeverisjes ndër vite, duke e fajësuar tjetrin. Kulmin e ka arritur me qeverinë aktuale, e cila duke qenë 10 vjet në opozitë dhe pjesë e institucioneve i ka ditur problemet me të cilat ballafaqohet Kosova në këtë sektor. Por u dashtë mbi 9 muaj për të kuptuar sa emergjente është situata dhe se kërkoheshin ndërmarrja e masave emergjente për të mos përfunduar në reduktime të ashpra të energjisë elektrike, duke rrezikuar shëndetin dhe mirëqenien sociale të qytetarëve”, theksoi ai.

Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se Qeveria e ka për detyrë që për çdo ditë të japë sqarime për mungesë të rrymës.

“Dëgjova shumë diskutime më herët, e pash që shumica kanë ardhur këtu me hequr faj nga vetja. Pra, u mundojshin me heq faj nga vetja, ndërsa më mirë është që kohën ta shfrytëzojmë me diskutu e t’iu tregojmë qytetarëve të vendit se si do të jetë situata me reduktimet, sa orë do t’i kenë rrymë në ditë, dhe sa herë në ditë. Pra, mos harroni është një ndërprerje disa orëshe, por nuk është e vetmja brenda 24 orëve… Çdo ditë duhet me dalë me u dhënë një shpjegim qytetarëve, mos me i lënë vetëm me njoftimet ku ka reduktime. Kjo situatë është e ngjashme me kohën pandemisë kur kishim deri 40 të vdekur në ditë, edhe s’kishim një zyrtar qeveritar që del me shpjegu çka ka ndodhur sot”, tha Haradinaj.

Nis seanca për debatin parlamentar për krizën energjetike

Nis vazhdimi i seancës plenare, për debatin parlamentar në lidhje me krizën energjetike në Kosovë, debat ky i iniciuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së.

Në këtë seancë plenare pritet të votohen edhe 5 marrëveshje ndërkombëtare.

Derisa në seancën e jashtëzakonshme që u mbajt sot nuk pati kuorum për ta shpallur gjendjen emergjente të energjisë. 

***

Kuvendi i Kosovës nuk i ka miratuar sot masat e emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlenin maksimalisht 60 ditë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se nuk kanë kuorum.

“Vetëm 55 deputetë kanë votu”, tha ai.

Votimi u bojkotua nga deputetët e Listës Serbe.

Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

Qeveria do të mund të fillonte me zbatimin e masave menjëherë, porsa vendimi të miratohej nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.

Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast Qeveria është e obliguar t’i ndërpresë ato.

Masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Kosova po përballet me krizë energjetike. Për pasojë, qytetarët që nga 22 dhjetori po përballën me reduktime të rrymës.

Kokaj: Jam para jush për të ulëritur, eksperti gjerman i meriton 25 mijë euro

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, në seancën e jashtëzakonshme për krizën energjetike në vend, foli për hulumtimet e tij shkencore lidhur me energjinë dhe avancimin e shkencës dhe siç pohoi ai nanoteknologjinë.

Para kolegëve të tij, deputeti Kokaj tha diçka të pazakontë.

Kokaj: Unë jam këtu para jush për të uluruar

“Unë jam këtu para jush për të ulëritur, do të vazhdoj edhe në të ardhmen të ulërij kështu që të avancojmë zhvillimin shkencor, të kultivojmë nanoteknologjinë, të kultivojmë energjinë për së mbari, por në mënyrë shkencore dhe duke shfrytëzuar potencialet mendore e shkencore të cilat I kemi brenda dhe jashtë vendit”, theksoi Kokaj.

Deputeti Kokaj ka arsyetuar angazhimin e ekspertit gjerman për riparimin e dëmeve të krijuara në turbinën e shtypjes së ulët të njësisë “B2” në Termocentralin “Kosova B”.

Ai tha se eksperti gjerman meriton 25 mijë euro.

Kokaj: Eksperti gjerman i meriton 25 mijë euro

“Ne jemi vend i bekuar nga Zoti që faktikisht jemi vendi i tretë me potencialet energjetike thëngjillore. Fatkeqësisht ato nuk i zbatuam, nëse flasim deri nesër nuk mund ta zgjidhim pa ditur se ku jemi ne. Sot, pas 50 vitesh, pas qindra doktoratave, ne të strukur në dhoma të ftohta presim një gjerman të vijë ta rregullojë gjeneratorin. Dhe, tani pyesim ne pse atij duhet t’i paguajmë 25 mijë euro. Me gjithë respektin, se ai e meriton”, theksoi Kokaj.

***

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, derisa ka folur për gjendjen emergjente të shpallur nga Qeveria e Kosovës, ka ironizuar me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Deputeti i LDK-së ka folur për mbledhjen ku është vendosur të shpallet gjendje emergjente, por këtë e ka bërë duke supozuar se si ka rrjedhur takimi. 

“I kemi pa ato dritat ndezë, natën në Qeveri, kryeministri Kurti ulur në njërën anë, komiteti, ministrja në anën tjetër, nja 10 minuta qetësi, duke e shiku njëri-tjetrin në sy, prit kur po fillojnë me folë, me i dhënë propozimet, prit, urdhnoni, kryeministër e kemi një dilemë, qysh është e mundur me pasë krizë energjetike në Kosovë, duke të pasur ty kryeministër? Kryeministri po përgjigjet, po parafrazoj “Ishim të paralajmëruar me kohë, edhe vendet fqinje morën mara emergjente. Ministrja me komitetin, në stilin militant, edhe ata që i ka emëruar, edhe ata mbi moshën 75-vjeçare, të pakënaqur me përgjigjen, po i drejtohen: Kryeministër, nuk ka terr që të sfidon ty, sepse ti je yll që ndriçon botën, e lëre më Kosovën. Ndonëse me vonesë, por tanimë të gjithë e kanë kuptuar që terri i Kurtit është vetë drita e vendit tonë". 

Zemaj tha se Qeveria ka qenë në dijeni se vendi po shkon drejt një krize energjetike, por nuk ka vepruar asgjë. 

“Kriza nuk fillon sa hap e mbyll sytë, Qeveria e ka ditur se po shkojmë drejt një krize energjetike, çfarë keni bërë? Edhe sot deklaruat, asgjë. Çka keni reaguar, si keni reaguar? Hiç, fare”, ka deklaruar Zemaj.

***

Rizvanolli: Nuk mund të jemi 100% të sigurt se reduktimet nuk do ndodhin

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nuk ka garantuar që në ditët në vijim nuk do të ketë reduktimet të energjisë elektrike, për shkak të devijimeve që po i bënë KEDS.

Sipas saj me mjetet që kanë subvencionuar KEK-un kanë mbuluar konsumin për të gjithë konsumatorët e rregulluar shtëpiak dhe bizneset.

Rizvanolli: Nuk mund të jemi 100% të sigurt se reduktimet nuk do ndodhin për shkak të devijimeve

“Kjo lidhet me pyetjen se a mund të garantojnë se për sa mund të garantojmë që nuk do të ketë reduktime. Këtu janë dy çështja e para është që me mjetet të cilat i kemi ndarë ne kemi mbuluar konsumin për të gjithë konsumatorët e rregulluar shtëpiak dhe bizneset me përjashtim të tri bizneseve që janë të mëdha në treg të lirë e kemi mbuluar konsumin për ta, mirëpo edhe përderisa flasim KEDS është duke vazhduar të mos nominoj kërkesën e duhur dhe të mos blej energjinë e duhur për të mbuluar pjesën e humbjeve të rrjetit të vetë dhe si pasojë e kësaj ne edhe pse e kemi dhënë subvencionin për të garantuar furnizimin për qytetarët nuk mund të jemi 100% të sigurt se reduktimet nuk do ndodhin për shkak të devijimeve të cilat po i bënë KEDS”, u shpreh Rizvanolli. 

​Krasniqi-Muratit: Nuk i’a vlen as me folë me ju

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e kanë pasur një debat në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për krizën e energjisë elektrike.

Muratin e Krasniqin i përplasi çështja e kontratave “forward” dhe “future” në tregun e energjisë elektrike. Kryetari i PDK-së tha se Murati nuk po e di dallimin mes të dyjave, ndërsa Murati tha se po fliste për kontratat dhe jo për tregjet.

“Jam i dëshpëruar me faktin e mungesës bazike të njohurive të ministrit të Financave. ‘Forward markets’ edhe ‘future markets’ janë dy sene të ndryshme. Z. Murati, është përnjëmend e dhimbshme. Ti je ministër i Financave, qeto punë duhesh me i ditë”, tha Krasniqi.

‘Forward’ është kur merren vesh jashtë bursës dy palë, ‘future’ është brenda bursës. Qysh është e mundshme ti me qenë ministër dhe mos me i ditë qeto. Është dallim esencial. Studentët e vitit të tretë në Ekonomi mos me i ditë këto, duhet me i rrëzu nga provimi. Ministrja e energjisë nuk di se çfarë flet për energji, ministri i Financave nuk di për senet bazike në financa, unë me të vërtetë nuk di çka me ju thënë ma shumë. Nuk ia vlen as me folë me ju”, shtoi kryetari i PDK-së.

Në replikë ministri Hekuran Murati përmedni “komplekset e mosdijes”.

Komplekset e mosdijes s’mund t’i pasqyroni tek unë. Nëse thoni që ‘forward contract’ bëhet mes dy palëve jashtë tregut, s’mund të thuash ‘forward market’. Pra vetë e the, bëhet jashtë tregut, jashtë bursës bëhet”, tha Murati.

Është koncept bazik. Z. Krasniqi, këto punë nuk mësohen duke shikuar video në YouTube”, shtoi ministri.

***

Krasniqi: Rizvanolli nuk po di ta ushtrojë detyrën, po provon e qytetarët kanë mbetur në terr

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka akuzuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli se nuk ka aftësi ta ushtrojë detyrën e saj të ministres.

Krasniqi tha se derisa ministrja Rizavnolli po provon ta ushtrojë detyrën e saj të ministres, qytetarët janë duke pësuar keq në terr dhe në të ftohtë.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po shqyrtohet vendimi të Qeverisë së Kosovës për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, Krasniqi ka kërkuar qëndrime të qarta nga Rizvanolli dhe kryeministri Kurti për rritjen e tarifave.

Krasniqi: Me vjen keq me nivelin e papërgjegjësisë dhe padijenisë që e keni

“Ministrja(Rizvanolli) e nisi shumë mirë fjalën e vet. Tha nuk po di qysh të përgjigjem, por po provojë. Realisht, ti edhe detyrën e ministres nuk po din si ta bësh, veç je ka provon, njëjtë sikur shumica e kësaj qeverie. Nuk e keni idenë çka është detyra e përgjegjësia jote, s’je ka e kupton as thelbin e problemit, por je ka e provon. Por derisa t’i po provon ta kryesh punën tënde, njerëzit janë në të ftohtë dhe janë në terr. Këto 20 milionë neve na paskan sigurua dritat, çka mundesh me iu thënë njerëzve në Kroin e Vitakut që tri ditë që nuk kanë rrymë. Çka mundesh me iu thënë qytetarëve në Kosovë që kanë reduktime deri në 12 orë. Kë po e mashtroni? A je duke mashtruar veten, a je duke mashtruar kryeministrin, apo je duke i mashtruar qytetarët të cilët janë të mërdhimë dhe në terr. Me vjen keq me nivelin e papërgjegjësisë dhe padijenisë që e keni. Shteti i Maltës as nuk ka krizë energjetike, as s’janë rrit çmime[...]Po thoni nuk na ka prekë kriza deri në fund, ju a jeni zjarrfikës e çka jeni? Veç kur del zjarri ju e nxirreni ujin për me shuar zjarrin. Ju duhet me na e bë të qartë, a jeni pro rritjes së çmimit të energjisë apo jeni kundër. Arsyetimi se ju nuk e rritni çmimin, por e rrit ZRRE-ja është miratimi që ju po ia bëni me ia rritë çmimin qytetarëve të Kosovës. Ti personalisht(Rizvanolli) dhe kryeministri duheni me deklaruar e jeni pro rritjes të energjisë, apo jeni kundër, tregoni drejt”, theksoi Krasniqi. 

​Rizvanolli: S’është e vërtetë që kemi bërë presion politik në KEK, tarifat i vendos ZRRE

Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli iu është përgjigjur të gjitha kritikave të adresuara nga opozita karshi dikasterit që ajo udhëheqë dhe Qeverisë së Kosovës lidhur me krizën energjetike në vend. Ministrjanë seancën e jashtëzakonshme ku po shqyrtohet vendimi të Qeverisë së Kosovës për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë ka theksuar se nuk është e vërtetë që Qeveria ka bërë presion politik në KEK.

Fillimisht ajo u shpreh se kritikat e opozitës janë kontradiktore.

Rizvanolli: Kritikat janë kontradiktore, nuk po di kah t’ia filloj

“Kritikat e juaja janë shumë kontradiktore nuk po di në cilën me u përgjigj dhe qysh njëri thotë se efektet e vendimeve që i keni marr nuk po shihen në terren, tjetri thotë se po i legjitimoni ato që i keni marrë, njëri thotë ZRRE po e falimenton KEDS, tjetri thotë pse po i subvencionin e tjetri thotë shumë mirë që po i subvencionin është dashur t’i subvencioni moti. Nuk po di kah me fillua”, u shpreh ajo.

Rizvanolli i ka quajtur të pavërteta akuzat se Qeveria po ndikon në ndërmarrjen publike KEK.

Rizvanolli: Nuk është e vërtetë se kemi bërë presion politik në KEK

“Thatë presion politik në KEK, unë di as qysh me komentuar dhe as nuk po e komentoj hiç vetëm po them se nëse mendoni që kryeministri ose ministrja që ka shkuar dhe i ka thënë KEK-ut hyr në remont në këtë muaj apo mos hy në remont në këtë ditë qoftë në Kosovën ‘A’ verës apo në Kosovën ‘B’ tash vetëm mund të them se kjo nuk është e vërtetë. Pse ka eksportuar KEK-u gjatë verës e pse nuk është planifikuar energjia më mirë nuk e kemi pas mundësi me e bë një bllok verës e me i bë gjashtë blloqe dimrit, kapacitetet janë fikse”, theksoi ai.

Lidhur me atë se po ngritën çmimet e energjisë elektrike, ministrja e Ekonomisë u shpreh se me tarifat merret ZRRE e jo qeveria. Ndërsa, shtoi se menjëherë pas fillimit të shpenzimeve të 20 milionëve eurove kanë nisur të reduktohen ndërprerjen e energjisë elektrike.

Rizvanolli: Për tarifat vendos ZRRE dhe jo ne

“Shteti nuk ka blerë energji me kohë këtu së pari më duhet ta sqaroj se shteti nuk blen energji janë furnizuesit ata që blejnë energji, ma tregoni një vend nëse veç e keni një kritik për KESKO që nuk ka blerë energji më herët iu ftoj të ma tregoni një vend në Evropë ose kudo tjetër që në këtë mënyrë e ka tejkaluar krizën dhe është duke kaluar mirë[...]U fol për tarifa që Qeveria po don me i rrit tarifat. Po ju informoj që vendosja e tarifave është kompetencë e ZRRE-së e jo e jona[...]Në momentin që kanë filluar që të shpenzohen 20 milionët janë ndalur reduktimet apo së paku janë ndalur reduktimet në masë të madhe dhe këto janë këto që po i shihni ”, theksoi ministrja e Ekonomisë. 

​Krasniqi: Vendimi i Qeverisë nuk ofron zgjidhje, legalizim për ndaljen e rrymës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi duke akuzuar Qeverinë Kurti për dështimin e zgjidhjes së krizës energjetike, ka thënë se fatkeqësisht kjo qeveri nuk ka treguar as vetëbesim për të ofruar zgjidhje të kësaj krize.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po shqyrtohet vendimi të Qeverisë së Kosovës për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, deputeti Krasniqi theksoi se me vendimin e Qeverisë të sjellë në Kuvend këtë vendim, nuk po kërkohet zgjidhje, por siç tha ai vetëm legalizim për shkëputjen e rrymës për qytetarët.

Krasniqi: Vendimi legalizon vetëm shkëputjen e rrymës për qytetarët

“Kosova është në krizë energjetike, kjo krizë ne të cilën po kalon vendi është krizë reale dhe e prekshme për secilin qytetarë të Kosovës. Mënyra më e drejtpërdrejt se si e ndiejnë qytetarët këtë krizë, janë reduktimet e rrymës. Reduktimet meqenëse janë fakt dhe diçka që po e përjetojnë tash e disa ditë me radhë qytetarët tanë, nga ajo që e pashë, nga vendimi që e keni sjellë, krejt çka po kërkoni është që të legalizoni shkëputjen e rrymës për qytetarët e Kosovës. Më shumë se dy javë i ka që ne si PDK, iu kemi kërkuar që të vini me një vendim për shpalljen e gjendjes emergjente[…]Ajo që neve po na intereson është zgjidhja për krizën, sa do e vonuar që është. Prandaj, qeveria, institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet përgjegjëse përfshirë edhe kuvendin dhe neve si deputet duhet të shohim tek rrugëdalja drejt kësaj zgjidhje. Ka pasur vlerësime dhe mendime të ndryshme për shteg-dalje, por fatkeqësisht më së paku për këtë çështje ka menduar qeveria[…]Fatkeqësisht deri më sot nuk kemi parë qeverinë të ketë treguar as vetëbesim për të ofruar zgjidhje. E kur nuk ka zgjidhje, atëherë më së lehti është me pasur akuza”, theksoi ai. 

***

Abdixhiku: Nëse Kurti si inxhinier s’e di se çmimi i rrymës rezervohet, le ta kthejë diplomën në universitet

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti i cili kishte thënë se “nuk mund të blinin energji elektrike dhe ta konservonin në frigorifer”.

Ai, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për masat emergjente për furnizim me energji, tha se nëse Kurti si inxhinier nuk e di se çmimet e energjisë elektrike kontraktohen duhet ta kthejë diplomën në universitet.

“Sot pas një dekade furnizimi stabil kur terri, reduktimet e agregatët na u kthyn dhe bizneset po e ndalin prodhimin se s’kanë rrymë kryeministri jonë na thotë se rryma nuk blihet sepse nuk konservohet në frigorifer. Për këtë merreni me mend sikur për çdo dështim tjetër të tij fajtorë janë krejt, përveç tij që është në pushtet. Një kryeministër që me profesion inxhinier ka zgjedhur populizmin si mjet. Kjo tani është më shumë se padituri, është krizë e tij, e qeverisë së tij dhe e gjithë vendit që drejton. Jam i bindur se e din dhe nëse nuk e din si inxhinier ta kthejë menjëherë diplomën në universitet, se çmimi i rrymës kontraktohet, rezervohet. Çmimet fiksohen, se sikurse grurin, naftën e çdo mall tjetër në treg mund të blesh edhe energji elektrike me çmime që nuk ndryshojnë. Për të bërë një gjë të tillë duhet të veprosh në kohë, dhe jo i fundit në Evropë.

Abdixhiku deklaroi se kriza energjetike ka bërë që Kosova të përmendet për të keq në mediat ndërkombëtare.

“Kosova është në krizë energjetike, në terr, reduktime, agregatë e qirinj – aq krizë sa bëri lajm për të keq sërish në media ndërkombëtare. E kur bëhesh lajm për të keq në media ndërkombëtare do të thotë se kriza këtu është më e dalluar. Të gjitha vendet e Evropës janë përballur e po përballen me krizën energjetike sot. Shkurtimet në furnizim me gaz, rritja e çmimeve të thëngjillit dhe rritja e konsumit të gjithëmbarshëm gjatë dimrit e ka vendosur secilin shtet evropian në nivele më të larta konsumi sesa prodhimi. Në Evropë shtetet po konsumojnë më shumë energji sesa prodhojnë, prandaj edhe duhet të blejnë energji, pra importojnë. Te të gjitha këto vende furnizimi me energji elektrike bëhet kryesisht prej kompanive private, pra natyra publike ose private e furnitorëve nuk e diferencon sasinë e furnizimit. Sasinë e furnizimit në Evropë e diferencon angazhimi i qeverive, sepse ato nuk janë spektatore, edhe më pak ankuese”.

I pari i LDK-së ka thënë se qeveria e Kosovës ka reaguar me gjashtë muaj vonesë karshi krizës energjetike.

“Çdo qeveri në Evropë, nga fqinjët tanë në Shqipëri e Maqedoni të Veriut deri ato në Francë e Gjermani, janë marrë me urgjencë me temën e energjisë në momentin kur ka pasë krizë, në korrik të vitit 2021. Vetë qeveritë në momentin e parë të krizës kanë filluar me lehtësim, me çmimin e sasisë së furnizimit dhe përballjen e qytetarëve të tyre me mungesë furnizimi të energjisë. Nuk kanë hedhur faj, nuk janë ankuar për kapacitetet që edhe ata nuk i kanë, por kanë vepruar shpejt. Sepse kanë vepruar shpejt kanë bërë edhe zgjidhja, prandaj të gjitha këto shtete sot i furnizojnë qytetarët e tyre me energji dhe ngrohje, derisa Kosova nuk mund të ofrojë furnizim bazik dhe bëhet lajm ndërkombëtar. Nuk bëhet lajm ndërkombëtar Shqipëria e Maqedonia e Veriut, por Kosova, sepse këto dy të parat gjendjen e emergjencës e kanë shpallur në tetor të këtij viti kur çmimet ishin më lirë dhe kriza ishte më e lehtë. Këto dy shtete fqinjë si çdo qeveri tjetër e përgjegjshme në Evropë janë marrë më krizë, aq në detaje sa njëra prej tyre ka blerë thëngjill prej Kosovës. Ne jemi sot në dhjetor, katër ditë pa përfunduar viti dhe gjashtë muaj pas nisjes së krizës dhe tre muaj pasi vendet e rajonit janë marrë me këtë krizë, dhe kemi nisur të dëgjojmë masat e qeverisë. Nuk është parapërgatitje, por menaxhim i krizës dhe kur menaxhon krizë nuk mund të kesh rezultat të mirë”.

***

Tahiri për krizën energjetike: Kurti po lyp fajtor e s’po ofron zgjidhje

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme, tha se Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti, po sillen me papërgjegjësi totale dhe po e injorojnë problemin madhor siç është kriza energjetik me të cilën po përballet aktualisht edhe Kosova.

Sipas Tahirit, Qeveria është dashur të jetë shumë më largpamëse dhe të kontraktojë energji shumë më herët me çmime të arsyeshme të tregut.

“AA duke parë gjendjen e rënduar e krizës energjetike, dy javë më parë, më 13 dhjetor, ka kërkuar debat parlamentar për ta adresuar këtë çështje që është shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Më 6 tetor të këtij viti, Ramush Haradinaj i është drejtuar Albin Kurtit që pas paralajmërimeve për krizën energjetike botërore, ‘a do të thellohet kriza energjetike në Kosovë?’. Ne po bëhen gati dy muaj e gjysmë e kemi ngrit alarmin te Qeveria të adresojmë këtë çështje që është bërë barra më e madhe për qytetarët e Kosovës”.

“Sot Qeveria në fakt më qëllim që ta zbeh dhe ta pengoj iniciativën tonë për debat përmbajtësor, ka sjell në Kuvend një vendim i cili ne esencë është dashur të vi para këtij Kuvendi tash e shumë muaj më parë dhe vendim i cili praktikisht s’ka asnjë ndikim te qytetarët veç se justifikimin e kursit të Qeverisë në raportime te gjitha veprimet me shkëputjen dhe ndaljen e rrymës. Sic jemi ne dijeni, Kosova tanimë është duke u përballur me krizën më të rëndë energjikte që nga shpallja e Pavarësisë. Qytetarët e Kosovës, ekonomia, bizneset e mëdha dhe të vogla janë duke u përballur me reduktime shumë të ashpra mu në kohën kur temperaturat kanë rënë në zero, ajo që na bën më të shqetësuar është fakti që Qeveria dhe Kurti i cili po sillet me papërgjegjësi totale po e injoron këtë problem madhor”.

Tahiri ndër të tjerash tha se Kurti e la Kosovën në terr që të fitojë vota më shumë, pasi siç theksoi ai, ka dalë në fushatë për të kërkuar vota për kandidatët e Vetëvendosjes në komuna.

“Është për t’u habitur se si ka mundësi që Qeveria Kurti të harrojnë që tash e 15 vjet në Kosovë nuk ka pasur asnjëherë mungesë të rrymës, ku qytetarët të mbesin pa rrymë jo dy orë siç thuhet por me 6-7 e deri 10 orë në ditë. Kurti duhet të kthej memorien e vet një vit më pas e të bindet si ka qenë Kosova dhe si është në aspektin energjetik. Kjo qeveri është dashur të jetë shumë më largpamëse dhe të kontraktoj energji shumë më herët më çmime të arsyeshme të tregut. Kurti nuk ka pas mundësi që t’i bëjë këto veprime, pasi që me 13 tetor i ka lënë 700 punë anash pa kryer për t’iu dalë në ndihmë kandidatëve për të marrë pushtet në komuna. E len Kosovën në terr që të fitojë vota ma shumë, s’gjeti kohë që me veprime konkrete të parandalojë krizën energjetike. Kërkojmë nga Kurti e Qeveria që të jetë shumë ma serioz në këtë temë, të marrë përgjegjësinë për gjendjen në vend dhe të marrë vendime konkrete për ta stabilizuar gjendjen. Kurti po lyp fajtor e s’po ofron zgjidhje, ai ka qenë dhe VV kundërshtari më i madh i investimeve në sektorin e energjisë. Kurti është zotuar që me qeverisjen e tij do të ulë çmimin e rrymës sepse është tepër e shtrenjtë. Sot nga pozita e udhëheqësit të qeverisë, thotë o reduktime o shtrenjtim. Qeveria po vepron gjithmonë pasi që po ndodh e keqja, kërkohet një lloj fajtori kujdestar por jo një zgjidhje e problemit”, tha Tahiri

***

Rizvanolli: Vendimi nuk nënkupton që masat kufizuese për energji do të merren menjëherë

Në seancën e jashtëzakonshme ku po shqyrtohet vendimi të Qeverisë së Kosovës për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka arsyetuar propozim vendimin që Qeveria ka vendosur për masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

Ajo theksoi se sipas vendimit të qeverisë, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë; Vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Derisa theksoi se një shpallje e tillë nuk do të thotë që merren masa kufizuese menjëherë

Rizvanolli: Një shpallje e tillë nuk do të thotë që merren masa kufizuese menjëherë

“Si rrjedhojë e konsumit të shtuar mund të paraqiten pasoja të shumta siç janë amortizimi i aseteve, i balancit në sistemin interkonjektiv. Si rrjedhojë e mos balancës së theksuar në mes të kërkesës dhe ofertës të energjisë elektrike në vend, aktualisht janë duke u shkaktuar balance të mëdha ndaj sistemit inetkonjektiv me rreth 40 përqind të konsumit në Kosovë të tërhequr nga sistemi intekonjektiv i Evropës kontinentale në formë të devijimeve. Për këtë KOSTT ka marrë edhe vërejtje nga ENTSO-e, të cilët kanë kërkuar në mënyrë strikte ndërprerjen e menjëhershme të devijimeve ndaj rrjetit interkonjektiv evropian. Për të ruajtur integritetin e sistemit dhe kontribuar në balancimin e sistemit elektro energjetik të Kosovës dhe atij evropian, Qeveria autorizohet përmes ligjit për energji që të shpallë masat emergjente në furnizim me energji. Një shpallje e tillë nuk do të thotë që merren masa kufizuese menjëherë, mirëpo një vendim I tillë I mundëson qeverisë marrjen e masave që kanë të bëjnë me vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji ose vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë”, theksoi Rizvanolli.

Ministrja Rizvanolli ka shtuar se vendimet do të dalin në bazë të rekomandimeve të Komitetit teknik që parashihet të formohet me vendim.

Ajo theksoi se propozim vendimi parasheh që këto masa të vendosen për një periudhë kohore deri në 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. 

Shala e quan të vonuar vendimin për gjendje emergjente për rrymën

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, në seancën e Kuvendit ku po diskutohet vendimi i Qeverisë për masat emergjente për furnizim me energji elektrike, e ka cilësuar si të këtë vendim si të vonë.

Shala shtoi se në seancën e kaluar kanë kërkuar që vendi të shpallë gjendjen emergjente energjetike

Është e vërtetë që në seancën e kaluar ne e kemi kërkuar një vendim të tillë, por sot para nesh e kemi një vendim shumë të vonuar”.

Do të duhej të ishte i planifikuar që në vjeshtën e hershme e do të na shoqëronte me një arsyetim me të thukte për sfidat e rrethanat që ne sot të pajtoheshim apo jo për një krizë emergjente”.

Kërkuam që vendi ta shpallë mbi bazën e fakteve dhe veprimeve që janë ndërmarr paraprakisht”, ka thënë ai.

Ky vendim duhet të kthehet dhe të diskutohet edhe më gjerësisht. Ju vetëm po e legalizoni. Po doni t’i mbroni disa operatorë turk dhe këtë nuk mund ta mohoni”, ka thënë Shala.

***

Mimoza Kusari thotë se rryma stabilizohet duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme për rrymën

Shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se e vetmja mënyrë për të stabilizuar rrymën në Kosovë, është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për energjinë.

E vetmja mënyrë për të kthy gjithë prodhimin e energjisë elektrike për furnizim në Kosovë është që të kemi një rrethanë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë”, ka thënë ajo.

Kusari Lila ka bërë thirrje që deputetët ta përkrahin qeverinë në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

***

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka sqaruar para deputetëve se çka nënkupton shpallja e gjendjes emergjente rreth çështjes së energjisë në vend.

Ajo u ka kërkuar deputetëve ta votojnë shpalljen e gjendjes emergjente për energjinë.

Një shpallje e tillë nuk do të thotë qe merren masa kufizuese menjëherë, por i mundëson qeverisë marrjen e masave që kanë të bëjnë me vendosjen e kufizimeve me energji për konsumatorë”.

Aprovimi i një vendimi të tillë i mundëson qeverisë të zbatojë masat menjëherë, megjithëse i njëjti duhet të aprovohet edhe nga Kuvendi brenda 7 ditësh. Masat duhet të jenë në fuqi deri në 60 ditë. Propozim vendimi parasheh themelimin e Komitetit teknik emergjent”.

Duke qenë se në opinion ka pas paqartësi, vendosja e këtyre masave nuk do të thotë që masat vendosen menjëherë por ia jep të drejtën qeverisë që të vendosë masa në kohëzgjatjen që e sheh të domosdoshme për të tejkaluar krizën më lehtë. Andaj ju deputetë, ju ftoj ta aprovoni këtë vendim”.

***

Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë.

Pas kësaj seanca, nis edhe vazhdimi i seancës plenare ku pritet të mbahet debati parlamentar në lidhje me krizën energjetike në Kosovë.

I iniciuar nga Grupi parlamentar i AAK-së.

Po ashtu sot pritet të votohen edhe 5 marrëveshje ndërkombëtare. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat