(E plotësuar 19:03) - Edhe raundi i tretë i votimit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës nuk ka përcaktuar përfundimisht se cilët do të jenë dy gjyqtarët e Kushtetueses.
Në këtë raund votimi kandidatë ishin Etrur Maloku, Bardh Bokshi dhe Hilmi Jashari.
Në procesin e votimit morën pjesë 79 deputetë, prej tyre 5 vota ishin të pavlefshme.
Etrur Maloku mori 43 vota, Bardh Bokshi 41 vota dhe Hilmi Jashari 18 vota, duke mos arritur asnjëri prej tyre të merr votat e mjaftueshme.
Për t’u zgjedhur, kandidati duhet të marrë dy të tretat e votave të deputetëve të pranishëm në seancë dhe që votojnë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka thënë se pasi asnjëri prej kandidatëve nuk ka marrë votat e mjaftueshme, atëherë do të përsëritet konkursi për të dy këto pozita.
Ndryshe, seanca plenare e Kuvendit të Kosovës nuk do të vazhdojë sot dhe Konjufca tha se për vazhdimin e seancës së sesionit pranveror do të përcaktohet në një mbledhje të kryesisë së Kuvendit që do të mbahet paraprakisht.
Hilmi Jashari vazhdon në raundin e tretë të votimit për dy gjyqtarë të Kushtetueses
Hilmi Jashari do të jetë pjesë e raundit të tretë të votimit për dy gjyqtarët e Kushtetueses pasi në votimin e përsëritur ka marrë më shumë vota se Vigan Qorolli.
Jashari dhe Qorolli kishin marrë vota të barabarta në raundin e dytë të votimit - nga 18, pas së cilës kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca tha se nevojitet një votim tjetër për vetëm këta dy kandidatë.
Në procesin e votimit morën pjesë 75 deputetë, prej të cilëve vota ishin të pavlefshme 12.
Hilmi Jashari mori 38 vota, ndërsa Vigan Qorolli 25 vota. Në këtë mënyrë, Jashari i bashkëngjitet Etrur Malokut e Bardh Bokshit në raundin e tretë për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi dështon të zgjedhë edhe në raundin e dytë dy gjyqtarë për Kushtetuese
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë dy kandidatë për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, pasi asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë votat e nevojshme për këtë pozitë.
Në votim kanë marrë pjesë 79 deputetë, ku 3 vota kanë qenë të pavlefshme, ndërsa Etrur Maloku ka marrë 49 vota, Bardh Bokshi 29 vota, Hilmi Jashari dhe Vigan Qorrolli kanë marrë nga 18 vota.
Konjufca tha se pasi dy kandidatët e fundit morën numër të barabartë të votave, tash do të votohet vetëm për Hilmi Jasharin dhe Vigan Qorollin, pas së cilës do të dihet se cili prej tyre do të hyjë në listën përfundimtare për raundin e tretë.
Ndryshe, nga raundi i dytë më herët ishte hequr kandidati më pak i votuar – Shukri Sylejmani me 14 vota.
***
Rifillon seanca e Kuvendit të Kosovës.
Kuvendi dështon të zgjedh në raundin e parë dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedh dy kandidatë për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, ku asnjë nga kandidatët nuk ka marrë votat e nevojshme për këtë pozitë.
Në votim kanë marrë pjesë 90 deputetë, ku pesë vota kanë qenë të pavlefshme, ndërsa Etrur Maloku ka marrë 56 vota, Bardh Bokshi 31 vota, Hilmi Jashari ka marrë 25 vota, Vigan Qorrolli 22 vota dhe Shukri Sylejmani 14 vota.
Pas përfundimit të votimit, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca tha se do të ketë edhe një raund të dytë të votimit, por që do të hiqet kandidati më pak i votuar.
Më pas, Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në orën 16:30.
Kuvendi i Kosovës të mërkurën ka shpallur gjendje emergjente të energjisë në vend, duke miratuar vendimin e Qeverisë për masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji elektrike.
Vendimi u miratua nga ana e deputetëve me 57 vota për, 17 abstenime dhe asnjë votë kundër.
Me shpalljen e gjendjes emergjente të energjisë elektrike në Kosovë, është bërë i ligjshëm edhe reduktimi i energjisë.
Vendimi parasheh themelimin e një Komiteti Teknik Emergjent me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve te Ministrja e Ekonomisë.
Ky Komitet ka për detyrë të rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të krijuara nga kriza ekonomike. Pas rekomandimeve Ministria duhet të publikojë masat kufizuese obligative.
Në arsyetimin e Qeverisë për këtë vendim thuhet se Kosova aktualisht është duke u përballur me vështirësi në sektorin e energjisë në Kosovë.
Sipas tyre, kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike dhe pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin.
Faktor tjetër që është përmendur në arsyetimin e Qeverisë është edhe rritja enorme e çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.
Si pasojë e konsumit të shtuar për ngrohje, Qeveria ka thënë se mund të paraqiten disa pasoja si: armortizimi i aseteve, mosbalanc në sistemin interkonektiv, vërejtje nga ENTSO-E.
Me këto masa, obligohet Korporata Energjetike e Kosovës të disbursojë subvencionet e Qeverisë për qëllim të importit të rrymës.
Aprovimi i vendimit mundëson zbatimin e masave menjëherë, por vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi.
Ky i fundit për shtatë ditë nga pranimi i vendimit të Qeverisë, ka të drejtë ta refuzojë miratimin e tij duke i ndërprerë masat e aprovuara dhe të ndalojë gjendjen e emergjencës.
Vendimi parasheh masa për 60 ditë, por Kuvendi mund ta vazhdojë edhe për periudha tjera, me shumicë të votave të deputetëve që janë të pranishëm në seancë.
Afati më i largët që ka të drejtë ta shtyjë Kuvendi i Kosovës është 180 ditë shtesë.
***
Kuvendi miraton vendimin e qeverisë për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë
Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e Qeverisë për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë.
Me 57 vota për dhe 17 abstenime, legjislativi ia dha dritën e gjelbër vendimit qeveritar.
Pas dështimit të djeshëm, mazhorancës i dhanë përkrahje përmes abstenimit edhe disa deputetë nga PDK-ja dhe AAK-ja.
Gashi për masat emergjente energjetike: S’e bllokojmë, por s’marrim pjesë në votim
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se LDK nuk e bllokon procesin për vendimin e masave emergjente energjetike, por nuk do të marrin pjesë në votim.
“Përkundër vullnetit tonë pozitivë të deklaruar dje, situatën e krijoj papërgjegjshmëria e ministrit të financave, i cili u deklarua që Kurti nuk do të bisedojë me Kuvendin për këtë çështje. Kjo është arsyeja që lëshuam seancën”, tha Gashi.
“Kjo është papërgjegjësi totale, e konsiderova si sjellje ofenduese për Kuvendin dhe lëshuam seancën. S’pajtohem me mënyrën si është ndërtuar vendimi. Ka elemente që duhet të trajtohen. Nuk do ta bllokojmë procesin, por s’marrim pjesë në votim”, tha më tej Gashi.
Ndërkohë, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar që edhe një herë sot të votohet për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë.
VV-ja kërkon që të votohet sërish për masat emergjente për furnizim me rrymë
Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar që edhe një herë sot të votohet për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë.
Kuvendi në seancën e djeshme nuk ka pasë kuorum për miratimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, pasi në votim kanë marrë pjesë vetëm 55 deputetë.
***
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri u ankua për fillimin me vonesë të seancës së sotme të Kuvendit. Duke iu drejtuar kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Tahiri tha se ai duhet t’i njoftojë deputetët për vonesë, që, siç tha, “mos të rrijmë në sallë sikur huta”.
Tahiri tha se për shkak të miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, deputetët e AAK-së ende nuk e kanë shfrytëzuar pushimin.
“I nderuar kryetar, po ju drejtohem juve. Sot e keni ftu një seancë në ora 11:00 dhe në ora 11:00 kemi qenë vetëm tre apo katër deputetë në sallë. Ora është 11 e 43 minuta dhe ne po fillojmë me 43 minuta vonesë. Ne, Grupi ynë parlamentar, për shkak të marrëveshjeve ndërkombëtare nuk kemi shku në pushim. Ju lutem thirreni seancën, ejani me kohë, dhe në qoftë se nuk vijnë me kohë, lajmëronani, mos të rrijmë ne në sallë këtu sikur huta, por të shkojmë edhe ne në zyrat tona”, tha Tahiri.
Në replikë, Konjufca tha se për të, seanca do të kishte filluar që në orën 08:00. Ai tha se në një rast e kishte pritur Besnik Tahirin në sallën e Kuvendit për gjysmë ore.
“Sa për kryetarin e Kuvendit seanca ka mundur të fillonte edhe në orën 08:00, por problemi është – dhe kjo e ka përcjellë Kuvendin gjithmonë – që, – unë e kam provuar këtu Besnik edhe ty me të pritë gjysmë ore, gjysmë ore t’kam pritë. Po po, ta gjej seancën kur t’kam pritë. Unë jam mësu me ardhë qëtu në Kuvend edhe kur kanë qenë vetëm pesë deputetë, por problemi është që pritjet e mia për juve nuk mu kanë dukur efektive”, tha ai.
Konjufca tha se kjo çështje “ka mbetë si në të kaluarën”, pasi kryeparlamentari shkon në sallën e Kuvendit pasi të bëhet kuorumi.
“Unë vij, nuk është problem. Edhe 10 minuta para 11ve vij edhe ju pres, por kjo – dy herë e kam provu – nuk ka pasur efekt. Ka mbetë si në të kaluarën që kryetari me ardhë kur bëhet kuorumi”, tha Konjufca.
“Tash jeni 86 deputetë shyqyr, mund ta fillojmë seancën”, shtoi kryeparlamentari.
***
Në seancën e Kuvendit të Kosovës nuk pati kuorum për votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit në mes të Ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për shkëmbim akademik në programin Fullbright, votuan vetëm 58 deputetë nga 87 sa ishin në sallë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, tha se duket se rezultati do të jetë i njëjtë edhe për marrëveshjet e tjera, andaj nuk po vazhdojmë me votim për marrëveshjet e tjera.
***
Sërish mblidhet Kuvendi, ja rendi i ditës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot sërish prej orës 11:00 për të vazhduar pikat e mbetura nga seanca plenare e së premtes.
Në rend dite janë një sërë projektligjesh që do të shqyrtohen për herë të parë dhe të dytë, ndërsa ka edhe disa marrëveshje ndërkombëtare për të cilat nuk ka pasur kuorum.
Ky është rendi i ditës:
4. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit në mes Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe MASHTI-t për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright,
5. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë Veriore për Statusin e Pjesëtareve të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Ushtrisë së Maqedonisë Veriore gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve përkatëse,
6. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Programit - Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurinë e ujit,
7. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të BE-së nga njëra anë dhe Kosovës nga ana tjetër, për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Horizon Europe - Korniza e Programit për kërkimin dhe inovacionin,
8. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së Evropa kreative (2021-2027),
22. Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës,
23. Propozimi i dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese,
24. Zgjedhja e dy drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, “NP KOSTT”,
25. Zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,
26. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme,
27. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për tregti me jashtë,
28. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore,
29. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e bujqësisë,
30. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit,
31. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për peshkatari dhe akuakulturë,
32. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit i Kosovës për farërat,
33. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bujqësi organike,
34. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e bimëve,
35. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për verërat,
36. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Gjuetinë,
37. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për materialin fidanor,
38. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pasurimin e miellit,
39. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për rregullimin e tokës,
40. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bletari,
41. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për plehrat artificiale,
42. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për përkujdesjen ndaj kafshëve,
43. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për veterinarinë,
44. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për inspeksionin bujqësor,
45. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit i produkteve për mbrojtjen e bimëve,
46. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për ujitjen e tokave bujqësore,
47. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kooperativat e bujqve,
48. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
49. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për tokën ndërtimore.