Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka mirëpritur zgjedhjen e Yll Buleshkajt në krye të Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Në reagimin e ambasadës britanike në Twitter thuhet se Buleshkaj ishte kandidati më i mirë në renditjen e ekspertëve britanikë që morën pjesë në procesin e përzgjedhjes.
“Ne mirëpresim vendimin e Kuvendit të Kosovës për emërimin e Yll Buleshkajt si drejtor i ri i Agjencisë Kundër Korrupsionit. Buleshkaj ishte kandidati më i mirë në renditjen e ekspertëve britanikë që morën pjesë në procesin e përzgjedhjes. Ne mezi presim të punojmë me Agjencinë Kundër Korrupsionit për zbatimin e zotimeve kundër korrupsionit dhe udhërrëfyesit për të cilin është abonuar Kosova”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike.
Me 62 vota, Buleshkaj është zgjedhur drejtor i ri i Agjencisë Kundër Korrupsionit nga deputetët e Kuvendit. Ai do të ketë mandat pesëvjeçar në krye të kësaj agjencie.
Më parë, Yll Buleshkaj ka qenë drejtor ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.