A i mori vetëm 3 milionë marka komandant Remi dhe shtabi i tij?! / Pse, në Listën e zezë amerikane!

Aktuale

A i mori vetëm 3 milionë marka komandant Remi dhe shtabi i tij?! / Pse, në Listën e zezë amerikane!

Nga: Idriz Morina Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 13:57
Rrustem Mustafa - Remi, ish komanant i Zonës Operative të Llapit

Lufta në Kosovë ka përfunduar 22 vjet më parë, por bilancet e saj nuk janë mbyllur, thuaja për asnjë gjë. Madje shteti nuk e ka krijuar një listë të vetme edhe për personat e vrarë gjatë luftës. Listat janë bërë kryesisht nga disa studiues, shqiptarë dhe të huaj, nga ndonjë institutë, por asgjë nëpërmjet institucioneve politike.

As dëmet e luftës nuk janë llogaritur në mënyrën e duhur.

Pas luftës ishte një nismë, e cila kishte filluar të grumbullonte në çdo fshat dhe qytet, dëshmi për dëmet e shkaktuara nga Serbia dhe forcat e saj ushtarake, policore, paramilitare dhe të tjera.

Sipas atyre kërkesave duhej të ishin regjistruar që nga vrasjet, plagosjet, dhuna e ushtruar, keqtrajtimet, e deri tek lugët e ushqimit, rrobave, arit, pasuritë e luajtshme e të paluajtshme, shtëpitë e djegura e të granatuara dhe të tjera.

Por, një bilanc për të cilin është folur shumë pak, dhe që nuk është argumentuar ose është shmangur krejtësisht, është ai për financimin e luftës.

Sipas një dokumenti të siguruar nga “Bota sot”, dëshmohet se si vetëm gjatë disa muajve të luftës, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka financuar zonën e Llapit, disa herë me shuma mjaft të mëdha parash.

Qeveria e Republikës së Kosovës e kishte lëshuar një njoftim enkas për financimin e kësaj zone, që sipas shumës së përgjithshme, rezulton se kjo zonë kishte pranuar mbi 3 milionë marka.

Abuzimet në luftë

Se si janë shfrytëzuar ato është e vështirë të thuhet, por derisa nuk ka një bilanc të bërë transparent nga udhëheqësit e Zonës, komandant i së cilës ishte Rrustem Mustafa – Remi, atëherë ka vend për dyshime.

Nuk ishin këto të hyrat e vetme për këtë Zonë. Ata financoheshin edhe nga fondi “Vendlindja thërret”, por nga ai fond nuk ka asnjë të dhënë, madje nuk ka qarkulluar për gjithë këto vite asnjë dokument zyrtarë për asnjë zonë të financuar nga ky fond.

Ftesa nga specialja

Komandant Remi është i pari nga komandantët që është thirrur nga gjykata speciale, dhe sipas tij, hetimi ka të bëjë me dyshimet se gjatë luftës janë arrestuar njerëz, janë mbajtur në burgje, keqtrajtuar dhe dikush prej tyre është vrarë. Ai i ka mohuar akuzat.

Komandant Remi, ka qenë i dënuar nga gjykatat në Kosovë në kohën e UNMIK-ut, më pas nga EULEX-i me 13 vjet burg u dënua, por duke u zvarritur procesi Supremja e dënoi me vetëm 4 vjet heqje lirie.

Për akuzat për krime lufte të kryera kundër civilëve shqiptarë në Llap, gjatë periudhës kohore prej gushtit të vitit 1998 deri në qershor 1999 Rrustem Mustafa (Remi) ishte dënuar me 17 vjet burg; Nazif Mehmeti (Dini) me 13 vjet burg, Latif Gashi (Lata) 10 vjet, ndërsa i fajësuar vetëm për dy vepra penale, Naim Kadriu (Lumi) ishte dënuar me pesë vjet burg. Naim Kadriu ka vdekur pa u përmbyllur proceset gjyqësore, në një aksident komunikacioni.

“Në bazë të dëshmive të dëgjuara dhe fakteve materiale të demonstruara gjatë procesit gjyqësor, paneli i përbërë nga tre gjykatës ndërkombëtarë, Timothy Clayson, Daniel Mambly dhe Leonardo Assira, gjeti fajtor Rrustem Mustafën, ish-komandantin e UÇK-së në ZOLL, për ndalim të paligjshëm, mbajtje në kushte çnjerëzore, rrahje, torturim dhe urdhërim për likuidim të pesë civilëve shqiptarë në qendrat e ndalimit në Majac dhe Potok”, thuhej në njoftimin e atëhershëm.

Remi ka qenë tri herë deputetë i Kuvendit të Kosovës, dhe së fundi ishte edhe këshilltar i presidentit Hashim Thaçit.

I pasur, por në listën e zezë të SHBA-ve

Por, më vonë dënimet e tyre u ulën. Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Remi i ka mbajtur vetëm tri vjet e tre muaj, e 11 ditë burgim të dënimit prej katër vjetësh nga Gjykata Supreme.

Si duket për vepra të ngjashme të asaj kohe, ai sërish po hetohet nga specialja.

Remi është në mesin e komandantëve që kanë krijuar një pasuri të pajustifikueshme pas luftës. Pasuria e tij rezulton disa milionëshe, edhe pse në deklarimin e pasurisë vlera mund të jetë nën një milion.

Ai e ka deklaruar një objekt banimi, në “Breg të Diellit” në Prishtinë me madhësi mbi 1600 metra katror, që kap vlerën e 500 mijë eurove, sipas asaj që ka deklaruar në antikorrupsion. Por, duke e ditur zonën në të cilën ndodhet, vlera e atij objekti nuk mund të jetë nën 1.5 milionë euro (apo minimalisht një mije euro për metër katror). Edhe mënyra se si ka rritur ta pronësojë atë objekt, është e diskutueshme apo nëse mund ta ketë blerë me ‘disa’ para të mbetura nga financimet për luftë.

Mustafa është në listën e zezë të personave nga Kosova të cilëve u ndalohet hyrja në SHBA, e shpallur nga presidenti Bush i riu.

Image
Kopja e dokumentit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dëshmi se si u financua Zona e Llapit gjatë luftës

Pagesat për Zonën Operative të Llapit

Pagesat për Zonën e Llapit, shumë prej të cilave para mendohet se kanë përfunduar në duart e komandantit Remi, Qeveria e Republikës së Kosovës, me kryeministër Bujar Bukoshin, i kishte kryer në data dhe kohë të ndryshme.

Pagesën e parë e kishte bërë ish-ministri i parë i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, i cili ia kishte dërguar 233 mijë Dm, vetëm dy javë para vrasjes së tij, me 21 shtator 1998.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në një njoftim të saj, që mban datën 24 prill 1999, jep të dhënat për financimin e Zonës Operative të Llapit. Sipas këtij njoftimi deri në datën e përmendur kjo zonë kishte pranuar 3.076.550 DM. Mjetet janë paguar me datat: më 7 shtator 1998 me urdhër të Ministrit Ahmet Krasniqi ishin lejuar 233 mijë marka, ndërsa me 16 janar 1999 me urdhër të ministrit Halil Bicaj, janë lejuar dhe paguar 295 mijë Dm për njësitë e Gollakut, të cilat ishin pjesë e Zonës Operative të Llapit”, thuhet në dokument.

Vetëm në dy urdhra për pagesa, në janar dhe shkurt, të vitit 1999, ministri pasues i Krasniqit, Halil Bicaj, ia kishte dërguar 2.5 milionë Dm (marka gjermane).

“Me datën 20 janar 1999 me urdhër të ministrit Halil Bicaj, janë lejuar dhe paguar një milion DM për Zonën e Llapit (brigada 151 dhe 152); Me datën 15 shkurt 1999 me urdhër të ministrit Halil Bicaj janë lejuar dhe paguar 1.5 milion DM për Zonën Operative të Llapit”.

Ndërsa, në muajin mars, me datën 30, 1999, po me vendim të Qeverisë janë paguar telefonat satelitor për nevoja të këtij shtabi në shumë prej 48.450 mijë DM.

Po ashtu Qeveria e Republikës së Kosovës, zotohej se nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes iu është përgjigjur dhe do t’i përgjigjej çdo kërkese konkrete nga ai shtab.

Financime të tjera

Është interesante se vetë dokumenti bën të ditur se Qeveria ka paguar edhe shuma të tjera për këtë zonë, por që nuk tregon se cilat janë, por që sipas saj janë shpenzime të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Qeveria ka paguar edhe shpenzime të tjera, por të cilat nuk i ka lidhur drejtpërsëdrejti me këtë shtab, por me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës”, thuhet në dokumentin-njoftim.

Po ashtu, për të mos lënë dyshime, se ku do të shkonin mjetet, qeveria në kanale të tjera, e njoftonte komandën për paratë e dërguara.

Po ashtu, sipas këtij njoftimi për të gjitha mjetet e lejuara, qeveria i ka ruajtur provat e veta për dërgimin e parave.

“Qeveria nëpërmjet organeve të saj, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, disponon me dokumentacionin konkret lidhur me angazhimin e mjeteve të saj për këto nevoja”, thuhet në njoftim.

Njoftimi ishte bërë, siç thuhet në atë dokument për shkak të presionit publik, që po i bëhet Qeverisë, për të treguar se ku po përfundonin mjetet.

“Për shkak të presionit që po bëhet, ajo do të detyrohet të publikojë edhe mjetet të cilat deri më tani i ka paguar drejtpërsëdrejti për nevoja të zonave të tjera operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sikurse edhe mjete të cilat drejtpërsëdrejti i janë dorëzuar Shtabit Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shihni kopjen e dokumentit në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat