Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka njoftuar se Jeffrey Hovenier është betuar të martën si ambasador i ri në Kosovë, para Nënsekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Twitter, Ambasada ka publikuar edhe disa fotografi nga ceremonia e betimit.
“Të martën, Jeffrey Hovenier është betuar para Nënsekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland, si Ambasador i ri i Sheteve të Bashkuara në Kosovë. Po presim arritjen e tij”, thuhet në postimin e ambasadës.
On Tuesday, Jeffrey Hovenier was sworn in by @UnderSecStateP Victoria Nuland as the new U.S. 🇺🇸 Ambassador to the Republic of Kosovo 🇽🇰. We look forward to his arrival! pic.twitter.com/1SU0Aw8eq5
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) December 30, 2021
Ndryshe, Jeffrey Hovenier është konfirmuar nga Senati, si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, në nëntor të këtij viti.
Lajmi ishte bërë i ditur në faqen zyrtare të Senatit amerikan.
“Jeffrey M. Hovenier nga Uashingtoni, Anëtar Karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, Kategoria e Ministrit-Konsulentit, do të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës. otimi i nominimit është vendosur në Kalendarin Ekzekutiv të Senatit më 19 tetor 2021. Nominimi është pranuar nga Presidenti më 13 korrik2021″, thuhet në njoftimin e Senatit.
Hovenier kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij në Bellingham dhe shumë nga anëtarët e familjes së tij ende jetojnë në Whatcom County. Hovenier u transferua në Bellingham kur ishte në kopsht fëmijësh, pasi babai i tij mori një punë si profesor në Universitetin e Uashingtonit Perëndimor.
Hovenier ndoqi mësimet në shkollë publike në Bellingham, ku edhe diplomoi në shkollën e mesme në 1983. Hovenier u diplomua në bachelor në Universitetin Brigham Young dhe pastaj përfundoi edhe studimet master në Universitetin e Georgetoën përpara se të fillonte karrierën e tij prej më shumë se tre dekadash si diplomat.
Pjesa më e madhe e karrierës së tij është fokusuar në çështjet e sigurisë në Evropë dhe Euroazi. Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri si ambasador, Hovenier shërbeu si zëvendës shef i misionit në Ambasadën e ShBA-së në Ankara, Turqi.
Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguaj, Peru, Serbi dhe Mal të Zi. Ai flet gjermanisht, greqisht, kroatisht dhe spanjisht dhe ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë disa nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Hovenier luajti një rol në negociatat që përfundimisht çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008.