“Statusin si person i “non grata” nuk është i aplikueshëm për të punësuarit në OKB”, ka deklaruar zëdhënësi i sekretarit të OKB-së, Stefan Dizharek, duke komentuar vendimin e Kosovës për dëbimin e diplomatit rus, ndërkohë që shtoi se “OKB thotë se nuk ka marr asnjë kumtesë zyrtare nga autoritetet në Kosovë lidhur me rast”, transmeton “Bota sot”.
“Kemi mësuar se autoritetet e Kosovës e kanë shpall person të padëshiruar dhe e kanë dëbuar një të punësuar në misionin e OKB në Kosovë (UNMIK). Autoritetet e Kosovës nuk kanë dhënë asnjë kumtesë zyrtare në lidhje me këtë”, citohet të ketë deklaruar Dizharek.
Përfaqësuesi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së nënvizoi se “doktrina non grata (person i padëshiruar) nuk aplikohet ndaj stafit të OKB dhe nuk është e parashikuar me rregulloren e UNMIK-ut 2000/47 (për statusin e privilegjuar dhe imunitetin e KFOR-it dhe UNMIK-ut dhe stafit të tyre në Kosovë)”.
Dizharek ka shtuar se “secili shqetësim lidhur me stafin e misionit të OKB në Kosovë duhet të drejtohet në udhëheqjen e saktë, ashtu që të mund të zgjidhet ajo çështje në harmoni me statusin e privilegjuar dhe imunitetin e vetë misionit dhe stafit të saj”.
“UNMIK-u dhe selia e OKB kanë ndërmarr masa përgjegjëse me qëllim të krijimit të sigurisë së anëtarit të misionit dhe është në kontakt me organet përkatëse lidhur me këtë situatë”, tha zëdhënësi i OKB-së.
Prishtina me 31 dhjetor e ka shpall person të padëshiruar të punësuarin e misionit të OKB-së nga Rusia, për shkak të aktiviteteve që nuk ndërlidhen me statusin diplomatik. Ndërsa ambasada ruse në Serbi e ka quajtur provokim vendimin.