Radosh Kastratoviç, një avokat i Odës së Avokatëve të Malit të Zi, është përzgjedhur nga Qeveria e Kosovës për përpilimin e një ekspertize ligjore në kontestin e shtetit me Devollin në rastin e Telekomit të Kosovës.
Kastratoviç është një jurist malazez që vepron në Podgoricë, kryeqendrën e Malit të Zi.
Nga të dhënat publike, Kastratoviç shfaqet një avokat i një niveli jo shumë të lartë publik dhe mediatik. Në mediat malazeze, emri i tij përmendet në raste sporadike.
Në vitin 2020, Radosh Kastratoviqi mbrojti ish-drejtorin ekzekutiv të bankës komerciale NLB, Çrtomir Mesariq, i cili akuzohej për një rast të dyshimtë privatizimi.
Lidhur me këtë rast, ai ishte dënuar me 500 euro gjobë për shkak të mungesës në një nga seancat e lëndës.
MD, përmes një njoftimi në faqen zyrtare të prokurimit publik, ka bërë të ditur se ka angazhuar Radosh Lolo Kastratoviq për përpilimin e ekspertizës ligjore në rastin Devolli.
Kastratoviq nga qeveria do marrë si kompenzim 17 mijë e 700 euro.
Në arbitrazhin e dytë, Z-Mobile kërkon rreth 13.5 milionë euro për shkak të dëmeve të shkaktuara nga Telekomi.
Z-Mobile pretendon se marrëveshja, e nënshkruar në vitin 2009, është në fuqi dhe nuk ka përfunduar më 31 korrik 2019, siç pretendon Telekomi i Kosovës.
Sipas kësaj kompanie, marrëveshja mbetet në fuqi për faktin që Telekomit, po më 31 korrik, i është vazhduar licenca nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit.