Zyra e Kryeministrit të Kosovës i ka quajtur të jashtëligjshme grevat e organizuara nga Federata e Mjekëve të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se Zyra Ligjore e Kryeministrit i është përgjigjur në pyetjen për ligjshmërinë e grevave në sektorin e shëndetësisë.
Kodra ka publikuar edhe përgjigjen e plotë e cila thotë se për shkak të gjendjes emergjente në shëndetin publik grevat e mjekëve janë të jashtëligjshme.
“Zyra Ligjore e Kryeministrit është përgjigjur në pyetjen e parashtruar se a është e ligjshme greva në sektorin e shëndetësisë kur e dimë se kemi një vendim aktiv për shpalljen e gjendjes emergjente të shëndetit publik. Përgjigja është JO, nuk është e ligjshme një grevë e tillë”, ka thënë Kodra.
Ndaj kësaj përgjigje ka reaguar Blerim Syla, Kryetari i Federatës së Mjekëve të Kosovës.
Ai ka thënë se nëse grevat e tyre kanë qenë të jashtëligjshme, qeveria është e lirë të merr veprime ndaj tyre.
“Unë e di që nuk kemi gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë, kishin me quajt të jashtëligjshme, nëse e kishin me shpallë gjendje të jashtëzakonshme, jemi në kohë pandemi, por nëse ata po bazohen në Ligjin AntiCovid – atëherë ata vet e kanë thy Ligjin, duke mos dhënë shtesa për qershor dhe korrik – s’po di kush është i jashtëligjshëm”, ka thënë Syla.
“Ata kanë majtë edhe kampanja elektorale me mijëra njerëz, dhe e kanë thy Ligjin, unë s’po di çfarë Ligji kemi thy kur kemi majtë greva me nga 20-30 njerëz”.
Ai ka thënë se këtë gjë e sheh si trysni të qeverisë ndaj sindikatave.
“…dhe sinqerisht është për me të ardh keq kjo, përkundër tërheqjes së vërejtjes nga Brukseli”.
Syla ka thënë se do të presin deri më 15 janar, nuk do të marrim asnjë masë, pasi qeveria ka thënë se në janar do t’i ftojnë për takim sindikatat.
“Nëse nuk na thirrin, pastaj vendos Këshilli Drejtues se çfarë masa do të marrim”, ka thënë Syla, duke përmendur, se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishe thënë deri me datën 31 dhjetor do ta qesin draftin për Ligjin e pagave, por kjo nuk ka ndodh.