Këshilltari për medie në Presidencën e Kosovës, Bekim Kupina ka demantuar analistin Nexhmedin Spahiu, i cili ka thënë se Presidetja e vendit, Vjosa Osmani e ka pagën sa 40-fishi i pensionit në Kosovë.
Kupina në një postim në Facebook e quajti propagandë të qëllimshme deklaratën e Spahiut.
“Nexhmedin Spahiu, duke bërë propagandë të qëllimshme, ka deklaruar se Presidentja e vendit ka pagën sa 40-fishi i pensionit në Kosovë, pra ka pretenduar se paga e Presidentes është diku 4 mijë euro. Kjo është e pavërtetë dhe thjeshtë dëshmon qëllimet e tij tendencioze dhe dezinformuese.
Ai ka drejtuar kritika ndaj nivelit të pagës së Presidentes (pagë të cilën nuk e ka caktuar Presidentja Osmani) e në këtë kontekst ka lavdëruar presidentin e Serbisë, i cili sipas tij merr pagë më të ulët”, ka theksuar Bekim Kupina.
Sipas këhsilltarit të Osmanit, si një kontradiktor që është me qëndrime, analogjia e Spahiut le që është qesharake, por e nivelit mediokër.
“Secila analogji çalon, por kjo e z.Spahiu është e paparë. Thjesht është i pavërtetë pretendimi krahasimor i z.Spahiu. Matematika e tij shpërfaqë paaftësi në përllogaritje dhe në kuptimin e situatës në Ballkan. Paga që e merr Presidentja është 2700 euro (e jo 4000) dhe kjo e dhënë është publike. Ka dhjetëra persona në pozita të ndryshme publike që marrin pagë më të lartë se Presidentja, si institucioni më i lartë në vend”, ka potencuar ai.
Kupina është shprehur se presidentja Osmani ka vetëm një burim të ardhurash si drejtuese e institucionit.
“Dihet se Presidentja ka vetëm një burim të ardhurash dhe drejton një institucion, në të cilin paratë e taksapaguesve trajtohen me përgjegjësi maksimale. Në të kundërtën, Vuçiqi mund ta marrë zyrtarisht një pagë të një niveli tjetër, por se mbetet i lidhur me bandat kriminale sikurse edhe nivel të lartë të korrupsionit”, nënvizoi ai.