Ramush Haradinaj ka filluar një luftë të hapur me Albin Kurtin. Nuk e ka me të gjithë Qeverinë e Kosovës, sepse nuk ndihet i rrezikuar prej saj.
Ramushi po ndihet i rrezikuar nga të katër anët, për shkak të vendosmërisë së Albin Kurtit, që ngadalë, kujdesshëm, por pakompromis të ecë drejt vendosjes së rendit dhe ligjit në Kosovë, të nëpërkëmbur kryesisht nga fuqia e grupit të ‘komandantëve’ të luftës.
“Zhytja në korrupsion përmes tenderomanisë, pra tenderë njëburimor, dhënia e punëve punëdhënësve të mëhershëm, i pasuar me familjarizëm, pra punësime të familjarëve në poste kyçe, e pastaj politizim i bordeve të kompanive. E gjitha kjo në funksion të një lidhjeje të shkurtër për korrupsion dhe veprime joligjore, e që janë alarm për Kosovën”, ka shkruar në llogarinë e tij në Fb, Ramush Hardinaj, ish kryeministër i Kosovës, i zgjedhur dy herë, dhe që asnjëherë nuk ka mundur ta vazhdojë deri në fund mandatin.
Breshëri akuzash - hasmërim
Ta akuzojë një qeveri të re, që ende se ka bërë një vit punë, me breshëri akuzash, njeriu që gjatë qeverisjes së fundit, ata që ky dhe partia e tij i punësonte, merrnin rroga sepse nuk kishin vend, hapësirë për karriga në institucionin ku ishin punësuar, në disa të tjera, nuk kishin ku të uleshin, dhe rrinin në këmbë të mbaronin punën, dhe mos të flasim për kontingjentin tjetër, për të cilët kishte edhe ulëse edhe hapësirë.
Kështu ka ndodhur në Ministri të Arsimit, në PTK dhe ngado që ka drejtuar institucione qeveria e tij.
Të akuzojë për tenderomani, Ramush Haradinaj, që vetëm në një tenderë, e ka rritur paligjshëm vlerën e tij për gati 5 milionë euro, nga 500 mijë, në 5.3 milionë euro, duke falsifikuar kushtet e kontratës.
Pra, vetëm për këtë shkelje ai apo kushdo nga qeveria e tij që ka marrë pjesë në këtë krim meriton disa vite burg, por ai del dhe sulmon, pa sjellur asnjë argument, por vetëm akuza, është poshtëruese për opinionin shqiptar.
Por, nuk është dhimbja e tij, as tenderomania, as korrupsioni, por fati i tij personal dhe familjar, pra edhe i vëllait të tij, Dautit, se nëse gjykata speciale ushtron efektivisht kompetencat e saja, mund të jenë më së largu vetëm disa muaj larg aktakuzës.
Akuzat për krim të organizuar dhe korrupsion, krijimi i pasurisë së paligjshme, e shoqëruar edhe me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, janë një goditje tjetër e pritshme për të dhe njerëzit e tij, nëse institucioni i hetimit dhe gjykatat do të ishin të pavarura, të besueshme dhe nëse do të kishin vullnet të plotë për ushtrim të paanësisë.
Hija e vrasjeve
Vetëm dje qindra veta u mblodhën në Strellcë të Deçanit, ta përkujtonin në 19 vjetorin e vrasjes kolonelin Tahir Zemaj, që pamëshirshëm u vra, së bashku me të birin Enisin dhe kushëririn Hasanin, dhe ai nuk u pa aty!
Akuzat se ai mund të jetë i përfshirë apo vëllai i tij, në zbatimin e urdhrit për aktin terrorist nuk kanë pushuar kurrë.
Në burg gjendet ish truproja i tij besnik, Bedri Krasniqi i dënuar me 30 vjet burg për vrasjen makabre të Sebehate Tolajt dhe Isuf Haklajt, pikërisht sepse i kishin rënë në gjurmë, ekzekutorëve të kolonelit.
Një lidhje e këputur nga drejtësia, që pret përgjigjen!
Ekzekutorët jo rastësisht fillimisht u fshehën në fabrikën e “Birrës” në Pejë, që aso kohe kishte në menaxhim njerëz të besueshëm të tij.
Po ashtu me shumë gjasë, sipas veprimtarisë së SHIK-ut, në kryerjen e vrasjeve politike, nuk mund të kryhej një akt i tillë, pa dijeninë e shefit të SHIK-ut për atë zonë apo të ‘komandantit’ të zonës.
Prandaj Ramushi rënkon në këtë shkrim, me një mal akuzash për ta maskuar dhimbjen e tij, të cilën e shpreh nëpërmjet sintagmës se Kurti po bën ‘luftë kundër UÇK-së’.
– “Lufta kundër UÇK-së, e zhvilluar si luftë ndaj pushtetit të keq të dy dekadave, e që si pasojë ka zbehjen e patriotizmit dhe të ndjenjave atdhetare për shtet”.
Me këtë akuzë, edhe presidenti Ibrahim Rugova është shpallur tradhtar dhe bashkëpunëtor i Serbisë, në emër të saj janë kryer disa atentate dhe tentimatentate ndaj tij. Janë vrarë bashkëpunëtorët më të afërt të tij, si Enver Maloku, Xhemail Mustafa etj., dhe po me atë akuzë është vrarë edhe ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi.
Pra, kjo mënyrë e ndërtimit të akuzës, është edhe një parapërgatitje e opinionit apo motivim i kundërshtarëve të Kurtit, për ta sulmuar fizikisht apo qenësisht!
Kur të gjitha këtyre u shtohet edhe një premisë, që ndoshta mund të ndodhet në Listën e zezë të SHBA-ve, atëherë ky do të mund ta humb toruan fare!
Akuzat e tjera të Ramushit mund të qëndrojnë pjesërisht, si mosfillimi i realizimit të projektit të gazsjellësit, që kalon nëpër Maqedoni e Serbi, por jo nëpër Kosovë, dhe që do ta mbështeste SHBA-ja. Por, si alternativë e kësaj zgjidhje qëndron mundësia e kyçjes në të njëjtën rrjedhë të gazit, TAP, por në Shqipëri. Pse të mos fitojë Shqipëria, por Maqedonia e Serbia nga ky financim e investim?!
“Refuzim dhe dëmtim i mundësive investive në energji, i projekteve si Kosova e Re, Contour Global 500 MW dhe Gazsjellësi Amerikan me 200 milionë dollarë falas”, thotë Haradinaj, pra as në këtë pikë të akuzës nuk është racional.
Për të gjitha akuzat, Ramushi, duhet t’i faktojë për të pasur besueshmëri, pasi imazhi i tij është i trishtë për nga korrupsioni dhe përdorimi i forcës, deri në fuqi vrastare.