Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e ka cilësuar si ngjarje jashtëzakonisht të rëndë, vrasjen e një gruaje nga bashkëshorti i saj më fshatin Llaushë të Skenderajt.
Në një postim në Facebook ajo ka ftuar organet përgjegjëse që të vendosin drejtësi për këtë rast tragjik.
“Ngjarje jashtëzakonisht e rëndë për të gjithë, vrasja e një gruaje nga bashkëshorti i sajë në fshatin Llaushë të Skënderajt.
Dhuna nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë mjet për zgjidhje të problemeve, e kurrsesi vrasja. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet më të thella për familjen e viktimës.
Institucionet përkatëse të përgjigjen me shpejtësi dhe vendosmëri, për të vënë drejtësinë për këtë rast tragjik”, shkruan Deliu-Kodra.
Kujtojmë se një 51-vjeçar me inicialet S.Q., dyshohet se ka qëlluar për vdekjen gruan e tij 48-vjeçare me inicialet L.Q., në fshatin Llaushë të Skenderajt.