Padia “milionëshe” e Bedri Selmanit kundër shtetit

Aktuale

Padia “milionëshe” e Bedri Selmanit kundër shtetit

Më: 5 janar 2022 Në ora: 23:56
Bedri Selmani

Derisa një trup i Tribunalit të Arbitrazhit Ndërkombëtar pritet që “muajve në vijim” të nxjerrë aktgjykimin e rastit “Selmani”, një padi tjetër e Bedri Selmanit kundër qeverisë është ushtruar në gjykatat vendore.

Sipas një padie të ushtruar më 2013, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës ka kërkuar 5.6 milionë euro dëmshpërblim nga shteti i Kosovës.

Aty, Selmani kërkon nga shteti saktësisht shumën prej 5.667.445 euro.

Kompensimin e kërkon mbi pretendimet e tij për shpronësimin e kundërligjshëm të parcelës së tokës në të cilën janë ndërtuar “Autoservisi” dhe hoteli e restoranti “Victory”.

Këtë sipërfaqe tokësore, sipas autoriteteve vendore, ai e kishte mbajtur të uzurpuar për 13 vjet.

“DETYROHET i padituri, Qeveria e Republikës së Kosovës që paditësit, Ndërmarrja ‘Kosova Petrol’, me pronar Bedri Selmanin, në emër të kompensimit të dëmit për punët përgatitore në ndërtimin e rrethrrotullimit t’i paguaj shumën prej 186.585 euro, në emër të kompensimit të dëmit për shpronësimin e kundërligjshëm të objektit afarist të ndërmarrjes dhe mjeteve të punës t’i paguaj shumën prej 171.463 euro, në emër të kompensimit të dëmit në emër të afarizmit t’i paguaj shumën prej 5.309.397 euro, apo shumën e tërësishme prej 5.667.445 euro”, thuhet në padi.

“Dhe të gjitha me kamatë ligjore prej 3.5%, nga dita e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës në shumë aq sa do të jenë në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, dhe krejt këto brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcënim përmbarimi të dhunshëm”, vijon padia e ushtruar nga Selmani ndaj shtetit.

Bedri Selmani, e ka dorëzuar padinë ndaj Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris të Francës, më 29 prill të vitit 2019.

Deri më 2013, Selmani e kishte sfiduar shtetin në të gjitha mënyrat. Ai kishte pushtuar pas lufte një hapësirë të madhe toke shoqërore si dhe një objekt të cilin e kishte kthyer në hotel, kishte raportuar Koha Ditore më 2013.

Deri në maj të vitit 2013, nuk ishte bindur ta lëshonte pronën pavarësisht vendimeve të Gjykatës.

Më 2013, i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila i kishte dhënë përgjigje negative pretendimeve të këtij ish-deputeti të PDK-së.

Ai kishte kërkuar edhe të drejtën e parablerjes së tokës shoqërore ku janë ndërtuar objektet e “Autoservisit” dhe hotelit e restorantit “Victory” me rastin e privatizimit. Edhe këtë kërkesë e kishin hedhur poshtë gjykatat vendore.

Selmani kërkon 65 mln euro në Arbitrazh – së shpejti del vendimi

Janë përmbyllur procedurat e Tribunalit të Arbitrazhit Ndërkombëtar në rastin e kontestit ligjor nga i cili Bedri Selmani, ish-deputet i PDK-së, kërkon 65 milionë euro kompensim nga shteti i Kosovës, ka bërë të ditur juristi, Qerim Qerimi, i angazhuar për ekspertizë në këtë rast.

Qerimi, i cili është angazhuar për ofrimin e shërbimeve ligjore në favor të Qeverisë së Kosovës, ka thënë se vendimi i Tribunalit të Arbitrazhit Ndërkombëtar pritet të publikohet së shpejti.

“Unë e kam përfunduar me ofrimin e të gjitha ekspertizave ligjore në rastin Selmani kundër Republikës së Kosovës (Hotel Victory) dhe, gjithashtu, me një pjesë të ekspertizës në rastin Mabco Constructions SA kundër Republikës së Kosovës”, ka thënë Qerimi.

“Sa i përket rastit Selmani kundër Kosovës, të gjitha procedurat e arbitrazhit tashmë kanë përfunduar dhe çfarë pritet për pasoje është vetëm vendimi i Tribunalit të Arbitrazhit në muajt në vijim.“

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat