Vrasja e gruas 48 vjeçare në Llaushë të Skenderajt, gjithçka çka dihet deri tani

Aktuale

Vrasja e gruas 48 vjeçare në Llaushë të Skenderajt, gjithçka çka dihet deri tani

Më: 6 janar 2022 Në ora: 08:55
Foto ilustrim

Një vrasje e rëndë ka ndodhur ditën e mërkurë në fshatin Llaushë të Skenderajt, ku një burrë dyshohet se vrau gruan e tij, 48 vjeçare.

Policia ka njoftuar se i dyshuari 51 vjeçar, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës.

Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar personin e dyshuar dhe nga i njëjti ka sekuestruar një armë të llojit Pistoletë me tre fishekë dhe ka sekuestruar në vendin e ngjarjes 6 gëzhoja.

“Nga hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se personi i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës (gruas së tij) L.Q., 48 vjeçare, e cila kishte pësuar lëndime të rënda, të njëjtën me urgjencë e kanë dërguar në spitalin rajonal në Mitrovicë”.

“Lidhur me veprën penale është arrestuar një person i dyshuar, nga i njëjti është sekuestruar një armë e llojit Pistoletë me tre fishek, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gjashtë (6) gëzhoja. Pas intervistimit të dyshuarit S.Q,.51 vjeçar, i është caktuar masa e ndalimit policor. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Për vrasjen në Llaushë të Skenderajt ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, të cilat kanë kërkuar dënim maksimal për dorasin.

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim të thellë ka përcjellë raportimin e bërë sot nga mediat lidhur me vrasjen e gruas me inicialet L.Q., 48 vjeçare nga bashkëshorti i saj S.Q,.51 vjeçar, në Llaushë të Skenderajt”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, në komunikatën për medie thuhet se duke parë se rastet e vrasjes së grave nga burrat e tyre janë në rritje, RrGK kërkon nga institucionet që rastet e tilla të trajtohen me seriozitet të shtuar nga të gjitha organet e drejtësisë si Policia, Prokuroria dhe Gjykatat.

“Ky rast vetëm se na shpërfaq e na rikujton edhe njëherë mangësitë institucionale në trajtimin e duhur të vrasjeve të grave dhe femicidit. Edhe një grua vdiq në vendin në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të dënimeve dhe me dënime të ulëta. Prandaj, RrGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit”, thuhet në reagimin e tyre.

Ndryshe, së fundmi në Kosovë janë rritur rastet e dhunës në familje, ku në bazë të njoftimit të Policisë, janë burrat ata që ushtrojnë dhunë fizike ndaj bashkëshorteve të tyre. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat