Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë nisur një ofensiv ndaj personave që i konsiderojnë si destabilizues të Ballkanit.
Kështu SHBA si masë ndaj tyre ka vendosur sanksione dhe po ashtu janë shpallur edhe non-grata.
Në listë kanë hyrë Milan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq, ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, e së fundmi edhe lideri i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik.
E duket se do të ketë edhe persona të tjerë në Ballkanin Perëndimor që do të hyjnë në “listën e zezë” amerikane gjatë vitit 2022.
Këtë iniciativë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Arben Fetohi, po i sheh si një riaktivizim të SHBA-ve në Ballkan.
“Unë mendoj se janë shenja të një qasje të re ose një riaktivizim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përgjithësi në Ballkan që kanë dy dimensione: e para shqetësimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me nivelin e demokracisë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuptimin që involvimi i institucioneve dhe faktorëve politik në krimin e organizuar është mbytës në vetvete për çdo përpjekje të përmirësimit të demokracisë së shoqërive tona”.
Fetoshi tha se në aspektin gjeostrategjik involvimi i SHBA-ve në Ballkan ka të bëjë me parandalimin e mëtutjeshëm të depërtimit rus.
“Dhe në anën tjetër jam i prirur ta shikoj edhe në kontekst gjeostrategjik, si një rikthim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm të depërtimit rus në rajonin tonë”.
“Pra, në qoftë se i kombinojmë të dyja dhe në qoftë se shikojmë reagimin deklarativ të Dodikut, i cili e ripërsëriti që Bosnja dhe Hercegovina do të shpërbëhet, atëherë kemi të bëjmë me një shqetësim serioz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për paqen në rajonin tonë dhe fillim i një epoke të re e cila duhet të stimulojë sundimin e ligjit në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.