Analisti politik Rrahman Paçarizi ka thënë se ka qenë e pritshme që nëse dikush nga Bosnja e Hercegovina do të futej në ‘listën e zezë’ të SHBA-së do të ishte pikërisht Millorad Dodik.
“Ishte e pritshme, sepse nëse dikush nga Bosnja dhe Hercegovina do të përfshihej brenda fushëveprimit të urdhrit ekzekutiv të SHBA-së do të ishte Millorad Dodik për shkak të rolit të tij destruktiv dhe destabilizues për rajonin, veçmas për Bosnje dhe Hercegovinën për shkak të veprimeve të kohëve të fundit, kur u kërcënua se do të dilte nga institucionet shtetërore atje, përfshirë edhe ushtrinë, gjyqësorin dhe të tjera”.
“SHBA-ja nuk i godet direkt aktorët kryesorë, por godasin rreth tyre. Është shumë interesant se bashkë me Dodikun është goditur edhe televizioni ‘Alternativa’ që financohet nga ai. Goditjet janë të kombinuara dhe nuk janë vetëm politikë, por janë edhe politikë financiare sepse gjithmonë ekziston një mbështetje e caktuar financiare pas personave që zhvillojnë politika të caktuara destabilizuese. Millorad Dodik ka kaluar të gjithë kufijtë edhe për shkak të qasjes me Rusinë dhe politikat e brendshme përçarëse deri te rrezikimi i rajonit me një konflikt të ri, prandaj ka qenë hap i domosdoshëm dhe SHBA-ja bën veprime të kalkuluara mirë, të cilat kalojnë përtej një administrate të caktuar”.
Ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe qasjen që Kosova duhet ta ketë karshi SHBA-së.
Paçarizi deklaroi se Kosova duhet të sillet si partner serioz dhe një nga mënyrat për ta bërë këtë, sipas tij, është që të implementojë zotimet e dhëna në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020.
“SHBA-ja në vazhdimësi e ka dëshmuar përfshirjen e tyre dhe seriozitetin e angazhimit të tyre në rastin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në kuptim të gjetjes së zgjidhjes përfundimtare, e cila do të nënkuptonte njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo që duhet të bëjë Kosova është që të të sillet si partner serioz i SHBA-së dhe seriozitetin e dëshmon me veprime konkrete dhe në këtë rast veprimi konkret do të ishte ndërmarrja e hapave për implementimin e zotimeve që janë bërë në atë që është quajtur Marrëveshja e Uashingtonit. Kosova nuk guxon ta shohë veten si shtet i përkohshëm, por duhet ta shohë veten si shtet serioz dhe i konsoliduar sepse vetëm në këtë mënyrë mund të jetë partner serioz i SHBA-së, të cilët e kanë dëshmuar në shumë raste dashamirësinë dhe puqjen e interesave sepse kur je shtet serioz i kalkulon interesat dhe sillesh si partner dhe nuk pret të ndjehesh si shtet i vogël inferior, të cilin duhet ta mbështesë SHBA-ja”.
“Kosova ka bërë disa hapa për t’u konsideruar si shtet serioz, madje ka qenë shumë premtuese deklarata e Albin Kurtit me rastin e pranimit të refugjatëve afganë dhe besoj se duhet ta vazhdojë atë kurs dhe jo të kurthohet në veprime populiste. Me SHBA-në duhet të kemi raporte të tjera sepse është në interes të Kosovës dhe interesi i Kosovës është që njëherë e mirë të zgjidhet çështja e saj dhe të ketë njohje të ndërsjellë me Serbinë”.