Policia dhe Prokuroria e kanë vazhduar sot aksionin e njohur me emrin “Brezovica” në Prishtinë, Ferizaj, Shtërpcë, me ç’rast janë arrestuar shtatë persona.
Në mesin e këtyre të arrestuarve është edhe biznesmeni i njohur nga Ferizaj, Ismet Asllani. Ai dyshohet për dhënie të ryshfetit.
Asllani bashkë me familjarët e tij, është pronar i dy kompanive. Njëra prej tyre është “Kashtanjeva Dekor SHPK”, që merret me prodhimin dhe montimin e produkteve nga druri. Sipas ARBK-së ky biznes kap vlerën e 75 mijë eurove.
Emri i Ismet Asllanit si pronar figuron edhe në një biznes tjetër të regjistruar në ARBK. Bëhet fjalë për kompaninë “Lirimi SHPK”. Kjo kompani, sipas përshkrimit, merret me prodhimin e betonit të përzier, të gatshëm për përdorim, ndërkaq si aktivitet dytësor ka edhe tregtinë me shumicë jo të specializuar.
Sot Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, në një konferencë për media bëri të ditur se investitori i një lagjeje në Brezovicë, që siç mëson media është Ismet Asllani, dyshohet se ka kryer veprën penale “ushtrim i ndikimit dhe dhënie e ryshfetit”.
I njëjti tashmë është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Krahas, biznesmenit Ismet Asllani, policia sot ka arrestuar edhe kryeinspektorin e Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “marrje ryshfeti”.
Kapiteni, Adnan Haziri, deklaroi se policia gjatë aksionit të sotëm ka konfiskuar mbi 5 milionë euro dhe 86 mijë dollarë.
“Sot kemi vazhduar operacionin “Brezovica”, nga Krimet e Rënda, katër janë arrestuar, një është liruar në procedurë të rregullt dhe pesë janë në kërkim policor që dyshohet se kanë kryer veprat penale të cekura më lartë. Gjatë hetimeve në xhirollogaritë e të dyshuarve janë ngrirë 5 milionë e 389 mijë euro dhe 86 mijë dollarë amerikan”.
“Gjatë aksionit janë sekuestruar një veturë “BMW X1” armë “CZE” e “Zastava”, një kuti me armë, një shtëpizë e kompjuterit, një karikator i zbrazët, një USB, një uniformë e policisë serbe dhe dokumente të ndryshme”.
Media ka kontaktuar me Prokurorin Shukri Jashari i cili në konferencë (0:55) dëgjohet duke thënë se investitori nga Brezovica dyshohet se ka kryer veprën penale “ushtrim i ndikimit dhe marrje e ryshfetit”, ndërkohë që për mediumin ka potencuar se mund të ndodhin gabime dhe se i dyshuari është arrestuar për veprën penale “ushtrim i ndikimit dhe dhënie e ryshfetit”.