Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu duke komentuar vrasjen e Lirije Qerimaj nga bashkëshorti në Llaushë të Skenderajt, ka thënë se prokurorja kujdestare dhe mbrojtësja e viktimës, nuk i ka kryer detyrat, prandaj duhet të ndërmerren masa urgjentisht.
Haxhiu ka shkruar në Facebook se sipas informatave zyrtare, prokurorja kujdestare ka kërkuar që rasti të kualifikohet si "Dhunë në Familje" por edhe përkundër kësaj kishte kërkuar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt pra që dhunuesi të mbetet i lirë.
“Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme që të mos ketë tolerancë ndaj rasteve të dhunës në familje pra që dhunuesit të shkojnë prapa grilave, sërish neglizhohen këto raste të ndjeshme.
Ndërsa mbrojtësja e viktimave paska kërkuar dërgim me email të lëndës në vend se të shkonte tek viktima sa ishte në polici. Dy gra që është dashur të veprojnë për të mbrojtur jetën e tani të ndjerës dhe asnjëra nuk i ka kryer detyrat prandaj duhet të ndërmerren masa urgjentisht”, ka shkruar ajo.