(E plotësuar 13:43)- “Lirija ka emrin liri, pse e vratë Lirinë”, ishte thirrja e grave nga Drenica që protestuan pas vrasjes së 48-vjeçares nga Llausha. Lirije Qerimaj dy ditë më parë, u vra më armë zjarri nga bashkëshorti i saj.
“Boll më”, “Duam siguri”, “Shtëpia është e jona”, “Mos i vrisni nënat tona”, ishin disa nga thirrjet tjera të grave që marshuan nga sheshi “Adem Jashari” në drejtim të Gjykatës dhe Stacionit Policor në Skenderaj. Ato kanë kërkuar nga institucionet që të marrin seriozisht këto raste, në mënyrë që të parandalohen vrasjet e grave.
Kryetarja e organizatës “Gratë Intelektuale të Drenicës”, Sevdije Hoxha u shpreh se trimëri nuk është që të vriten gratë. Ajo ka kërkuar drejtësi për vrasjen e gruas nga Llausha e Skenderajt.
Hoxha: Kërkojmë që rasti të trajtohet dinjitetshëm
“Ne gratë e Drenicës kemi dalë me ngrit zërin, të mbrojmë drejtat tona, të protestojmë për të gjitha vrasjet që janë bërë në rajonin e Drenicës, vit pas viti. Kjo ishte ndër rastet e fundit, lus Zotin që asnjë rast i vrasjeve të mos jetë më. Në emër të grave të Drenicës kërkojmë që rasti të ekzekutohet dhe në mënyrë më dinjitoze... kërkojmë drejtësi për gjithë viktimat, drejtësi për Lirije Qerimaj, boll më vrasje, boll më. Qoftë e fundit kjo vrasje”, ka thënë ajo.
E, kryetarja e Federatës për Shoqatën e Pensionerëve të Kosovës, Bahtije Sejdiu tha se ngjarja që ka ndodhur në fshatin Llaushë është e tmerrshme.
Sejdiu: Me vra gruan nuk është trimëri, është poshtërsi
“Kisha bërë apel tek të gjithë njerëzia, tek të gjithë këta njerëz që po bëjnë krime të ndalin dorën. Mos të lejnë fëmijë jetimë, mos të shkatërrojnë familjet, mos të shkatërrojnë fëmijët që mbesin jetimë për tërë jetën me ato tmerre që i kujtojnë tërë jetën e tyre. Dhashtë Zoti që të mos përsëritet më kurrë asnjë vrasje askund, jo në Drenicë, po hiç askund...Me vra gruan nuk është trimëri, është poshtërsi, për krejt familjen është diçka e tmerrshme”, ka deklaruar ajo.
Në marshin e grave nga Drenica nuk pati edhe përfaqësues të institucioneve. Megjithatë, aktivistja Arbnora Fejza - Idrizi ka kërkuar nga këto të fundit që të tratjojnë me përgjegjësi këtë rast.
Fejza-Idrizi: Kërkojmë nga institucionet që të marrin me përgjegjësi këtë çështje
“Kërkojmë nga institucionet tona që të marrin me përgjegjësi këtë çështje, në mënyrë që të trajtohen këto raste, mos të lihen në qetësi. Në vazhdimësi të dënohen ata që marrin jetë, nuk e meritojnë nënat tona të trajtohen në këtë mënyrë sepse janë ato që përkujdesen për familjet tona dhe po japin gjithçka për neve. Të ngrisim zërin sa më tepër ndaj padrejtësive që bëhen çdo ditë e më tepër”, u shpreh ajo.
Pas përfundimit të marshit protestues të grave nga Drenica, pankarta me mbishkrimin “Stop vrasjeve të grave, të shkarkohet komandanti i policisë dhe prokurori” është vendosur në shkallët e Stacionit të Policisë në Skenderaj. Kjo protestë është organizuar nga organizata “Gratë Intelektuale të Drenicës”.
Vrasja në Llaushë: Protestuesit kërkojnë shkarkimin e komandantit të Policisë dhe Prokurorit
Në fshatin Llaushë të Skenderaj, para dy ditësh u vra Lirije Qerimaj nga bashkëshorti i saj.
Në Skenderaj po protestohet kundër dhunës dhe vrasjes së grave, duke dënuar vrasjen e L.Q nga bashkëshorti në Llaushë të Skenderajt.
Protesta paqësore është organizuar nga OJQ Gratë Intelektuale të Drenicës.
Me moton “Vrasja nuk është virtyt trimërie por forma më e ulët e ligështisë”, ato po protestojnë para Gjykatës e Stacionit të Policisë në Skenderaj.
Ndryshe, vrasja e rëndë ka ndodhur të mërkurën, në fshatin Llaushë të Skenderajt.