Dhuna në familje është një dukuri shqetësuese në Kosovë. Përgjatë viteve janë raportuar shumë raste të dhunës familjare, kryesisht ndaj grave, të cilat kanë përfunduar edhe në fatalitet.
Tani është bërë më se “normale” që çdo ditë në media të raportohet për dhunën ndaj grave. Ndonëse institucionet po thonë se po angazhohen, madje po bëjnë edhe fushata vetëdijësuese kundër dhunës në familje, të dhënat po e tregojnë të kundërtën.
Rasti i fundit që tronditi shoqërinë kosovare është ai i ndodhur para dy ditësh ku një 48 vjeçare mbeti e vrarë si pasojë e plagëve të marra nga gjashtë plumba të qëlluar me armë zjarri nga i dyshuari bashkëshorti i saj.
L.Q. nga fshati Llaushë i Skenderajt dyshohet se u qëllua për vdekje nga burri i saj S.Q. në mesditën e së mërkurës. 48 vjeçarja nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe përafërsisht pas një ore vdiq në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.
Por rasti i L.Q. nuk është i vetmi që alarmoi vendin. Përgjatë vitit 2021, ndodhën edhe dy vrasje të tjera të cilat ende nuk kanë marrë epilog.
I tillë është ai i M.O., 18 vjeçares e cila fillimisht u keqtrajtua e pastaj u la të vdes të dielën e 22 gushtit në Ferizaj. Ajo u dërgua pa shenja jete nga në emergjencën e këtij qyteti nga dy të dyshuarit Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu.
M.O. dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj Dardan Krivaqa, pasi ky i fundit dyshonte se e ndjera e kishte tradhtuar me djalin e dajës së tij. Kësisoj Krivaqa dyshohet se kishe ushtruar dhunë psike dhe fizike ndaj M.O., deri në momentin kur ajo kishte humbur jetën.
Një rast pothuajse për motive të njëjta ishte edhe ai i 14 marsit 2021, ku një 40 vjeçare kishte mbetur e vrarë nga ish-bashkëshkorti i saj 45 vjeçar.
45 vjeçari dyshohej se kishte vrarë ish-gruan e tij për motive xhelozie, ku pasi kishte vrarë atë, e kishte ekzekutuar edhe veten.
Ky nuk ishte rasti i vetëm për dhunë në familje që ishte paraqitur në polici nga 40 vjeçarja. Ajo e kishte raportuar në polici ish-burrin e saj edhe dy herë të tjera, porse në asnjë rast nuk ka pasur vendim efektiv nga ana e prokurorisë.
Nga plagët e rënda të shkaktuara nga goditjet me shufër metalike, vdekjen e kishte gjetur edhe S.M. nga Kamenica në korrik të vitit 2020.
Sipas aktakuzës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën, ashtu që pas fjalosjes, i njëjti me mjet të përshtatshëm – shufër metalike, e ka goditur në dorën e majtë dhe në kokë, e cila pasi është rrëzuar në dysheme, përsëri ka vazhduar ta godasë disa herë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Nuhi Mavrovqani kishte pranuar veprën e kryer dhe është dënuar me burgim të përjetshëm.
Një vrasje tjetër që tronditi Kosovën është ajo e Armenda Aliut, gjithashtu nga bashkëshorti i saj, në gusht të vitin 2019.
Çifti kishte pak ditë që kishin ardhur për pushime nga Zvicra në Kosovë. Problemet e çiftit kishin bërë që që 61-vjeçari, të ia marrë jetën me armë zjarri gruas së tij, 42-vjeçare, vetëm pak metra larg shtëpisë së tyre, në lagjen “Hysni Morina” të Prizrenit.
Policia kishte gjetur 15 gëzhoja plumbash në vendin e ngjarjes, të cilat u shkrepën nga revolja me të cilën dyshohet të ketë ndodhur e gjithë ngjarja e rëndë.
Gushti i vitit 2018 ishte viti kur një ngjarje e radhës tragjike, e cila përfundoi me vrasje. Këtë herë, V.N. 34 vjeçare u vra së bashku me vazjën e saj 9 vjeçare, nga bashkëshorti i saj Pjetër Ndrecaj.
Po në këtë vit, kishte ndodhur edhe një vrasje e rëndë e një gruaje.
S.B. e gjeti vdekjen pasi burri i saj, Isen Berisha, e kishte goditur disa herë me sopatë në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. E gjithë kjo kishte ndodhur derisa ajo ishte në gjumë.
Përveç vrasjes së gruas, Isen Berisha kishte plagosur edhe renë e tij shtatzënë e cila ka tentuar ta parandalojë dhunën. Ajo ishte goditur në kokë dhe në krahun e majtë me sopatë.
Viti 2015 shënoi edhe dy vrasje tjera po aq të rënda e po kaq tronditëse.
Me 23 tetor të vitit 2015 Z.B. u vra nga bashkëshorti i saj Nebih Berisha. Vrasja makabër kishte ndodhur në sy të vajzës së tyre të mitur, ku Nebihu kishte goditur 20 herë radhazi, në të gjitha pjesët e trupit, me këmbëngulësi dhe në mënyrë brutale.
Për këtë rast, gjykata kishte vendosur që vrasësi, të dënohet me 12 vjet burgim, por pas presionit dhe analizimit të rrethanave dhe mënyrës së vrasjes ky dënim ishte rritur në 17 vjet burgim.
Por, në këtë vit vendi u trondit me një nga vrasjet më të rënda, atë të 24-vjeçares D.P., nga Strellci i Deçanit. Donjeta u vra nga kushërir i saj Naser Pajazitaj.
Ishte data 9 nëntor e vitit 2015 kur Donjeta ishte zhdukur, për tu gjetur pas 6 javësh në malet e fshatit të saj të lindjes.
Pothuajse 6 vjet pas rastit, gjykata dha verdiktin final në lidhje me këtë vrasje, duke e dënuar Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm, por që në fund të nëntorit 2021, Gjykata e Apelit ka vendosur që ta anulojë dënimin me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Ferizajt.
Edhe viti 2011 shënoi një tjetër vrasje të një gruaja nga bashkëshorti i saj. Ishte mesditë kur D.K. u vra nga bashkëshorti i saj Adnan Jashari, vetëm disa metra larg shtëpisë.
Ndonëse kanë kaluar 10 vite që nga vrasja e Diana, i dyshuari kryesor për vrasjen e saj, Adnan Jashari është ende në arrati.
Gratë në Kosovë shpeshherë hezitojnë ta paraqesin dhunën në familje, e në disa raste edhe përballen me padrejtësinë, pasi shumë dhunues janë ende të lirë apo edhe gjykimet ndaj tyre nuk kanë përfunduar akoma.