Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Skenderaj, Rrezarta Hasani-Ibrahimi ka thënë se për rastin e dhunës në familje ndaj gruas që u vra në Llaushë të Skenderajt janë njoftuar me datë 1 janar të këtij viti.
Ajo konfirmoi se po me këtë datë ka qenë e lajmëruar edhe Policia e Kosovës.
“Për këtë rast ne jemi njoftuar vetëm me datën 1 janar domethënë hera e parë që është raportuar në Qendrën Sociale ka qenë data 1 janar. Atë natë është lajmëruar rasti edhe në Polici, me që rast mendoj që është neglizhuar pak nga ana e tyre. Mendoj që nuk kishte ardhë deri tek vrasja”, tha ajo.
Më tutje ajoi tregoi edhe për ndihmën që i kanë ofruar tashmë të ndjerës L.Q., por se e njëjta nuk kishte pranuar që të strehohet në Strehimoren në Mitrovicë.
“Jemi njoftuar për dhunë në familje. Zonja tashmë e ndjerë zonja Lirije ka raportuar dhunë në familje. Ne jemi munduar që ta ndihmojë në ndonjë formë duke e strehuar në strehimoren në Mitrovicë, mirëpo ajo nuk ka pranuar.
Hasani-Ibrahimi pohoi se e ndjera L.Q. ka treguar tek Qendra Sociale se ka probleme të vazhdueshme me burrin e saj.
“E ndjera ka shkuar në Polici dhe e ka lajmëruar rastin, por që nuk është ndërmarrë asgjë. Ajo në Qendrën Sociale ka njoftuar se ka probleme të vazhdueshme me burrin e saj”.
Ajo më tutje deklaroi se në Skenderaj ka numër të madh të rasteve të raportuara për dhunë në familje.