(E plotësuar 13:50) - Në ditën e parë të punës si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka përkujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.
Bashkë me kryetaren e shtetit, Vjosa Osmani, ambasadori amerikan ka vendosur lule pranë shtatores së presidentit historik për të cilin ka thënë se duhet nderuar e përkujtuar.
Hovenier: Është e rëndësishme për mua të shpreh nderim për presidentin Rugova
“Mendoj se ishte e rëndësishme për mua në ditën e parë si ambasador i ri të shpreh këtë mirënjohje, këtë nderim duke e ditur atë çfarë ka përfaqësuar presidenti Rugova, kam pasur nderin që ta njoh presidenti Rugova gjatë procesit të Rambujesë dhe e di se për çka ka luftuar ai dhe mendoj që është e rëndësishme që edhe ta përkujtojmë, edhe ta nderojmë”, ka thënë ambasadori Hovenier.
E presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ish-presidenti Rugova ka ndërtuar miqësi të cilat i kanë rezistuar kohës.
Osmani: Presidenti Rugova ka ditur të ndërtojë miqësi të cilat vazhdojnë të lulëzojnë
“Si themeltar i shtetit të Kosovës ai diti të ndërtojë jo vetëm hapat drejt shtetit tonë të pavarur dhe sovran por të ndërtojë miqësi të sinqerta, miqësi të forta të cilat i kanë rezistuar kohës dhe do të vazhdojnë të ujiten e lulëzojë edhe më tej nga ana e secilit prej nesh. Në nderim të këtij njeriut të madh të kombit tonë i cili dha shumë për Kosovën e pavarur dhe sovrane dhe për miqësitë që ne sot i gëzojmë, së bashku me ambasadorin e shteteve të Bashkuara të Amerikës deshëm që sot s simbolikë e kësaj miqësie të fortë ta vendosim këtë kurorë këtu së bashku”, ka thënë presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Hovenier është emëruar në këtë post nga presidenti amerikan Joe Biden në korrik të vitit 2021.
***
Në ditën e parë si përfaqësues diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, ambasadori i ri amerikan, Jeff Hovenier ka zgjedhur të bëjë homazhe te shtatorja e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ambasadori Hovenier, para se të dalë nga Presidenca ku shkoi për t’i dorëzuar letrat kredenciale te presidentja Vjosa Osmani, tha se ndien që duhet të bëjë homazhe te shtatorja e Rugovës.
“Tani kur të dalim jashtë, desha që të bëj homazah te statuja e Presidentit Rugova dhe kam ndier se ky është veprim që si ambasador i SHBA-së duhet ta bëj për këtë personalitet në historinë e Kosovës”, tha Hovenier.
Jashtë, presidentja Osmani u shpreh e nderuar që bashkë me ambasadorin e ri amerikan vendosën kurora lulesh te shtatorja e Ibrahim Rugovës.
Ambasadori Hovenier e falenderoi presidenten Osmani në gjuhën shqipe, ndërsa tha: “Kam nderin të jem këtu për ta njohur kontributin dhe historinë e Presidentit Rugova.”
“Desha ta bëj këtë në ditën time të parë si ambasador i SHBA-së në Kosovë. Për shkak të respektit për Presidentin Rugova, atë çfarë ai ka përfaqësuar… Pata nderin ta njoh atë në procesin e Rambujesë”, u shpreh ambasadori i SHBA-së.
Hovenier tha se beson se është shumë e rëndësishme që ta kujtojë dhe nderojë presidentin Rugova në ditën e tij të punës si ambasador në Prishtinë.
Paraprakisht, presidentja Osmani tha se Rugova diti të ndërtojë miqësi të sinqerta e të forta, të cilat i kanë rezistuar kohës.