Opinionisti Dardan Sejdiu po quan lajm të mirë lidhjen e koalicioneve mes partive në qeverisjen lokale, përfshirë edhe Vetëvendosjen.
Ai tha se me këto koalicione që u bënë iu dha fund narracionit të “pazareve” që ishte ndërtuar për secilin bashkëpunim që kanë bërë partitë më herët.
“Është lajm i mirë për Kosovën që më në fund të fillojnë diskutimet për bashkëqeverisje dhe t’i kemi jashtë etiketave që janë problematike. I thoshim pazar secilës punë që bënte ndonjë parti me tjetrën, këtu e fus edhe veten si bashkëfajtor, në ndërtimin e një narracioni goxha problematik për bashkëqeverisje”.
Sejdiu në Rubikon tha se këto janë diskutime për bashkëqeverisje dhe ka një kapërcim cilësor.
“Gjuha që është përdorur ka qenë e gabuar dhe tash po dalim në një normalizim të retorikës politike. Vetëvendosjen po e shohim se është në koalicion me secilin subjekt të PAN-it. Ky është lajm i mirë, sepse më në fund kemi dalë prej idesë së etiketës dhe akuzës, ankesës e arsyetimit në ide të diskutimit, deliberimit, bashkëpunimit dhe kompromisit”.
Ai kritikoi kryeministrin Kurtin për mosmbajtje të qëndrimeve, por tha se në këtë rast kjo ishte pozitive.
“Kurti është te parulla. Ai ka hequr dorë nga përmbajtja moti dhe fatkeqësisht kjo është arma e tij kryesore. Ai është një kryeministër me një retorikë të paparë dhe një person që artikulon jashtëzakonisht bukur fjali, të cilat kanë probleme logjike dhe shpesh shpërfaqen si telashe më vonë, por është lajm i mirë për vendin që s’i ka qëndruar stoikisht as kësaj”.
Megjithatë, Sejdiu tha se lajmi i keq i lidhjes së koalicioneve është se në asnjërin prej këtyre koalicioneve nuk ka parë një program me plan të veprimit për katër vjetët e ardhshme.