(E plotësuar 12:27) - Qeveria me vendim të përhershëm: S’ka pensione nën 100 euro
Qeveria e Kosovës me vendim të përhershëm ka vendosur për rritjen e shumës së përfitimit të skemave pensionale. Rrjedhimisht, gjitha pensionet në vend nuk do të jenë nën 100 euro. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi vendosi për pagesën e specializantëve me vetëfinancim prej datës 1 janar deri më 31 gusht të këtij viti.
Derisa edhe themeluan Njësinë për ekspertizë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe miratuan Projektligjin për pronën publike.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati, i bëri të ditura kategoritë që do të kenë rritje të pensioneve.
Murati: Vendimi që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro është i përhershëm
“Janë pensionet bazike që kishin vlerën 90 euro, pensionet e aftësisë së kufizuar që kanë vlerën 75 euro, pensioni familjar që ka vlerën 90 euro dhe pensioni invalidor i punës që ka vlerën 90 euro. Gjitha këto që në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike kemi aplikuar shtesa për këto lloj kategori pensionesh në mënyrë që mos të jenë nën 100 euro. Siç e kemi premtuar tash e kemi të reflektuar edhe në buxhet se kjo shtesë do të bëhet rritje e përhershme dhe që nga tani e tutje këto lloj kategori pensionesh asnjëra s’do të jetë nën 100 euro”, tha ai.
Duke arsyetuar vendimin për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha se pagesa e tyre është çështje me prioritet për vendin, pasi edhe ndikon pozitivisht në ofrimin e shërbimeve shëndetësore
Latifi: Ministria e konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim si çështje me prioritet për vendin
“Me qëllim të stimulimit të stafit shëndetësor, ashtu siç e tha edhe kryeministri, sidomos duke marrë parasysh trendin aktual të migrimit të mjekëve tanë dhe pandeminë, ministria e konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim si çështje me prioritet për vendin. Kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse”, tha ai.
Në vendimin për themelimin e Njësisë për ekspertizë, kryeministri Albin Kurti tha se e njëjta do të mbështesë iniciativat zhvillimore dhe përshpejtojë reformën në sektorin publik.
Kurti: Kjo njësi do të mbështesë iniciativat tona të shumta zhvillimore
“Kjo njësi do të mbështesë iniciativat tona të shumta zhvillimore, do të përshpejtojë reformën në sektorin publik dhe do të na ndihmojë të arrijmë objektivat tona prioritet në vend”, theksoi ai.
I rëndësishëm nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u konsiderua edhe vendimi për miratimin e projektligjit për pronën publike.
Haxhiu: Projektligji për pronën publike synon rregullimin dhe përcaktimin e të drejtës pronësore publike
“Projektligji për pronën publike ndër të tjera synon të rregulloj çështjet si në vijim: Rregullimin dhe përcaktimin e drejtës pronësore publike dhe të drejtave të tjera pasurore të Kosovës dhe të njësive të vetëqeverisës lokale”, shtoi ajo.
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se miratimi i draft-konceptit për inteligjencë dhe siguri do të jetë në funksion të përafrimit të standardeve të NATO-së.
Mehaj: Ky akt normativ do të jetë në funksion të përafrimit të standardeve të NATO-së
“Agjencia e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe siguri me autorizimet dhe përgjegjësitë të rregulluara qartë me dispozitat ligjore do të kontribuoj edhe në sigurinë e trupave në operacionet e ndryshme gjatë vendit. Kosova është e përcaktuar të bëhet pjesë e NATO-së dhe organizatave të tjera të sigurisë. Në këtë kontekst ky akt do të jetë në funksion të përafrimit të standardeve të NATO-s”, tha ai.
Qeveria në mbledhjen e sotme shfuqizoi edhe vendimet e qeverive të kaluara, të ndërlidhura me Komisionin Qeveritar për Njohjen e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës.
Ekzekutivi emëroi Leonora Selmani kryetare të komisionit, ndërsa ish kryetarja Minire Begaj u caktua anëtare e komisionit.
Ndërkohë, themeluan edhe Këshillin Kombëtar për ndryshime klimatike.
Pensionet tash e tutje do të paguhen me datë 15
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati, ka bërë të ditur se pensionet tashmë do të paguhen në mes të muajve, në datat 15.
Në një konferencë për medie, pas mbledhjes së qeverisë, Murati tha se me vendim të përhershëm të ekzekutivit, nuk do të ketë pensione nën 100 euro.
***
Qeveria e Kosovës ka vazhduar vendimin për rritjen e shumës së përfitimit të skemave pensionale edhe për vitin 2022.
Rrjedhimisht, gjitha pensionet në vend nuk do të jenë nën 100 euro.
Ekzekutivi në mbledhjen e sotme qeveritare, vendosi edhe për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, prej datës 1 janar 2022 deri më 31 gusht 2022.
Ndërkohë, themeluan Njësinë për ekspertizë.
“Qeveria jonë është e interesuar të tërheq profesionist brenda dhe jashtë vendit. Të mbështes institucione në fusha të ndryshme dhe mbështesë reformat në arritjen e objektivave prioritare në vend”, tha kryeministri Albin Kurti.
Gjatë kësaj mbledhje është miratuar edhe Projektligji për Pronën dhe është emëruar komisioni përzgjedhës për rekomandimin e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurorimit.
Kurti: Të lënduarit në aksidentin e mbrëmshëm në Serbi janë jashtë rrezikut për jetë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se të gjithë të lënduarit në aksidentin e mbrëmshëm në Serbi janë jashtë rrezikut për jetë.
Ai në mbledhjen e qeverisë tha se bashkëndjejnë me gjithë mërgimtarët që sakrifikojnë për të ardhur më Kosovë.
“Urojmë që udhëtimet e tyre të jetë sa më të lehta dhe sigurta. Iu urojmë shërim të plotë të lënduarve”, tha ai.
***
Nis mbledhja e Qeverisë së Kosovës.
Mblidhet Qeveria e Kosovës
Sot, Qeveria e Kosovës mban mbledhjen e radhës.
Mbledhja pritet të mbahet në ora 10:00.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Zyra për media e Kryeministrisë.