Që nga tetori i vitit të kaluar, Enver Sekiraqa po qëndron në arrest shtëpiak pasi gjykata aprovoi kërkesën e palës mbrojtëse për lirim nga paraburgimi.
Për vazhdimin apo jo të arrestit shtëpiak do të vendos gjykata javën e ardhshme, tha mbrojtja e Sekiraqës, avokatja Kosovare Kelmendi.
“Javën tjetër e kemi seancën gjyqësore dhe aty do të shohim nëse do të mund të parashtrojmë kërkesën për arrest shtëpiak, ende nuk kemi vendosur pasi duhet ta shohim si do të shkojë seanca”, u shpreh ajo.
Ky ishte lirimi i dytë i tij nga masa e paraburgimit pasi nga kjo masë ishte liruar edhe pesë vite më parë.
Në tetor të vitit 2017 Gjykata e Prishtinës e kishte dërguar Sekiraqen në arrest shtëpiak mirëpo ky vendim nuk kishte zgjatur shumë pasi ishte dërguar sërish në paraburgim.
Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.
Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, e që sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali “AM:PM”, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.
Për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vite burg.
Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.
Për të njëjtat akuza ai ishte dënuar edhe në vitin 2020 mirëpo çështja ishte kthyer edhe një herë në rigjykim.