Kaq pjesëtarë u larguan nga FSK-ja gjatë vitit 2021

Aktuale

Kaq pjesëtarë u larguan nga FSK-ja gjatë vitit 2021

Më: 13 janar 2022 Në ora: 16:51
FSK

Forca e Sigurisë së Kosovës ka disa muaj që ka nisur procesin e rekrutimit për mbi 800 pjesëtarë të rinj, por gjatë kohës sa shumë të rinj kanë ëndërr të bashkohen me ushtrinë e re, disa të tjerë e kanë lënë atë.

Luani ka treguar se ka lënë FSK-në pasi kishte aplikuar për vizë pune në Gjermani, ndërsa është ankuar se kushtet jo të mira dhe paga kanë qenë arsyeja pse ka lënë uniformën e ushtrisë.

“Paga është një prej arsyeve që unë kam vendosur të largohem, po ashtu edhe arsyet e tjera, gjysma e pagës na shkonte vetëm në udhëtim”, ka treguar Luani, i cili ka thënë se nga FSK-ja janë larguar edhe dy prej shokëve të tij të cilët gjithashtu tashmë kanë shkuar për të punuar në Gjermani.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur, se njëjtë si Luani, uniformën e FSK-së e kanë lënë mbi 50 pjesëtarë gjatë vitit 2021.

Në përgjigje ministria nuk ka treguar arsyet pse këta pjesëtarë janë larguar nga FSK-ja, ndërsa ka thënë se arsyet dihen vetëm për tre prej pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilët janë larguar pas presioneve nga Serbia.

“Gjatë vitit 2021 e kanë lëshuar (janë demobilizuar) FSK-në 50 pjesëtarë. Kurse nga radhët e komunitetit serb 3 pjesëtarë e kanë lëshuar (janë demobilizuar) FSK-në. Këta persona për arsyet nga më të ndryshmet, sipas procedurave në fuqi kanë shkëputur kontratën e shërbimit me FSK-në. Kjo dukuri nuk bën përjashtim as për ushtarët e komunitetit serb, por te kjo kategori duhet të theksojmë presionin e vazhdueshëm nga Serbia që pjesëtarët e këtij komuniteti të lëshojnë FSK-në”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Mbrojtjes.

Në anën tjetër ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se interesimi i qytetarëve është i madh për të shërbyer në Ushtrinë e Kosovës.

Ai gjatë raportimit që kishte bërë para dy muajve në Komisionin për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se shërbimi në FSK “është ëndërr e çdo qytetari të Kosovës”.

“Unë besoj se kjo është ëndërr e çdo qytetari të Kosovës, që ta kemi një ushtri të mirëfilltë dhe të jepet mundësia që çdo qytetar të shërbejë në Ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Mehaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat