Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se sot ka dërguar njoftim me shkrim në Drejtoritë Komunale të Arsimit për procedurat e punësimit të 100 asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara, në mënyre që punësimi i tyre të bëhet në tre mujorin e parë të këtij viti.
Kështu bëri të ditur ajo në një postim në Facebook, teksa shtoi se ky zotim po përmbushet.
“Ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë është prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë sonë”, shkroi ajo.
“Në përmbushje të prioriteve të këtij viti për rritjen e përfshirjes, ofrimit të mësimdhënies dhe mësimnxënies cilësore për fëmijët me nevoja të veçanta në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, në Ligjin Nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës se Kosovës për vitin 2022, janë ndarë normat dhe mjetet financiare për punësimin e 100 asistenteve për fëmijët/nxënësit me nevoja të veçanta”.
“Tani do të vazhdojmë bashkëpunimin me komunat dhe do ta monitorojmë këtë proces për së afërmi për t’u siguruar që punësimi i tyre të bëhet brenda kohës së paraprarë dhe nevojave të identifikuara nëpër komuna. Pikësynim i Qeverisë sonë mbetet që deri në fund të mandatit t’i kemi 500 asistentë për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkolla.
Vitin 2022 e kemi shpallur “Vit të personave me aftësi të kufizuara” dhe mbesim të përkushtuar që fëmijëve tanë t’ua lehtësojmë qasjen në arsim të barabartë dhe cilësor”.