Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbereshë Kryeziu Hyseni, e konsideron të papranueshëm presionin ndaj Qeverisë Kurti, për ta lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.
“I papranueshëm presioni ndaj Qeverisë së Kosovës, për ta lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.
Dje nga shefi i diplomacisë evropiane Borell dhe sot nga shtetet e QUINT-it. Pavarësisht faktit që dje u dha qëndrimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, lidhur me këtë.
“Serbët e Kosovës me shtetësi të dyfishtë, mund të votojnë me postë ose nëpërmjet zyrës ndërlidhëse në Prishtinë”, u tha nga ai”, shkruan Hyseni në Facebook.
Kryeziu ka deklaruar se një kërkesë e tillë bie ndesh me ligjet dhe Kushtetutën e vendit tonë dhe cenon rëndë sovranitetin e Kosovës, si një shtet të pavarur dhe demokratik.
“Prandaj të tilla presione do të ndalen, sepse nuk do të mund të gjejnë përkrahje dhe as zbatueshmëri nga Qeveria Kurti”, përfundoi deputetja.