Për çka do të mbahet referendumi në Serbi, të cilin e kundërshton Qeveria e Kosovës?

Aktuale

Për çka do të mbahet referendumi në Serbi, të cilin e kundërshton Qeveria e Kosovës?

Më: 14 janar 2022 Në ora: 14:19
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

Nëse ndryshimet miratohen, sipas autoriteteve të Serbisë, politika do të përjashtohet nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Referendumi i fundit në Serbi për konfirmimin e Kushtetutës së re është mbajtur në vitin 2006.

Referendumi ka zgjatur dy ditë dhe kanë votuar pothuajse 55 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.

Preambula e Kushtetutës aktuale të Serbisë, e cila thotë se “Krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”, nuk do të jetë temë e referendumit që do të mbahet më 16 janar.

Qeveria e Kosovës ka refuzuar lejimin e mbajtjes së referendumit brenda territorit të Kosovës.

Ekzekutivi, i duhëhequr nga Albin Kurti, ka ofruar mundësinë për pjesëtaret e komunitetit serb në Kosovë që të mund të votojnë përmes postës ose përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Kjo mundësi duket se është e pamjaftueshme për shtetet e QUINT-it (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia), të cilat mëngjesin e sotëm kanë kërkuar hapur që Qeveria e Kosovës të lejojë mbajtjen e këtij referendum sipas praktikave nga e kaluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat