Ish-zëvendësministri i Arsimit në Qeverinë “Kurti I”, Jusuf Thaçi e ka cilësuar të drejtë qëndrimin e institucioneve të Kosovës për moslejimin e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovë.
Ai ka thënë se uniteti i pozitës dhe opozitës kundër mbajtjes së referendumit është një “precedent unik” në Kosovë.
“Qëndrimi i institucioneve shtetërore të Kosovës, i përkrahur edhe nga të gjitha partitë opozitare parlamentare, për moslejimin e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovë është qëndrim i drejtë, nga i cili nuk duhet të tërhiqet askush, posaçërisht institucionet shtetërore të Kosovës, pavarësisht presioneve të jashtme”, ka deklaruar Thaçi.
“Unifikimi i gjithë spektrit politik në Kosovë kundër këtij cenimi të shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është edhe një rast unik për t’u testuar se çfarë mund të arrijmë nëse jemi unik në mbrojtje të të drejtës”, ka thënë ish-zv/ministri.
Thaçi ka deklaruar se “shpresoj që këtë test ta kalojmë me sukses dhe këtë përvojë /precedent ta përdorim edhe në situata të tjera të ngjashme”.