Nëse lexon mediat e serbe; si gazeta, portale, tabloide, televizione apo edhe radio, tema e Kosovës është shumë e pranishme.
Natyrisht sipas këndvështrimit të palëve: dikush më radikal, e dikush më liberal- logjikisht aq sa mund të ketë të tillë në Beograd.
Nga ana tjetër, mediat e Kosovës, përveç ndonjë recensioni sipërfaqësor nuk ndjek situatën politike në Serbi, kur në fakt duhet ta bëjë.
Po të marrim një rast analog të situatës armiqësore mes Greqisë dhe Turqisë; mediat e dy vendeve, informojnë dhe analizojnë me hollësi çdo zhvillim politik, ngaqë jo thjesht ka interes politik, por ka edhe rëndësi për të kuptuar se çfarë mendon armiku.
E në këtë sordinë, erdhëm sot, kur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrel, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që serbët e Kosovës, të lejohen në referendumin që mban Serbia të djelën.
Referendum të djelën?
Realisht është shumë i rëndësishëm, madje delikat e i rrezikshëm.
Aleksandër Vuçiç, i ka kërkuar serbëve që të të vendosin nëse do të ndryshojnë Kushtetutën. Nuk bëhet fare fjalë për Preambulën e saj, ku Kosova cilësohet si pjesë e Serbisë, por për gjyqësorin.
Serbia do të vendosë atë që Shqipëria e ka kaluar në vitin 2016; pra reformën në Drejtësi, ku sistemi gjyqësor do të drejtohet nga një KLGJ dhe KLP fiks si në Shqipëri. E më pas do të nisë procesi i vettingut.
Një nga politikanët më perëndimorë të Serbisë, kreu i partisë Liberal Demokrate Çedomir Jovanoviç, edhe pse është kundër Vuçiçit ka bërë thirrje për të miratuar ndryshimet kushtetuese.
Në një deklaratë të postuar në rrjetin social, Çedo thekson se serbët duhet t’i thonë “PO” referendumit për t’u ndarë nga e kaluara.
“Ata që nuk e kuptojnë se referendumi nuk është në mbështetje të Vuçiç, por një rreze shprese për zhvillimin e demokracisë, bëjnë një gabim të madh. Harruam se si u zhvillua votimi në Serbi në nëntor 2006 për dy net e tre ditë, ku fletët e votimit u manipuluan në të gjitha mënyrat e mundshme dhe të pamundura. Pra ne duam një gjyqësor të pavarur, sa më të mundshëm, e të votojmë pro”, shkruan Çedomir Jovanoviç.
Në këtë atmosferë, a ka lidhje Kosova në gjithë këtë mesele? Jo aq shumë, por edhe krejt pak jo, ngaqë BE hyn si aktor i rëndësishëm në vetting si në Shqipëri, e nga ana tjetër mund të krijojë trupa gjyqësore të ndryshme nga ato aktuale, nëse një vendim për Kosovën do të përplaset në to, siç edhe pritet.
Albin Kurti ka marrë një vendim të ashpër, të fortë, edhe kur ka marrë presionin nga kreu i diplomacisë së BE-së. Sipas kryeministrit të Kosovës, nuk do të ketë qendra votimi në Kosovë përveç zyrës së Ndërlidhjes së Beogratit- një farë ambasade kjo.
Një qëndrim tipik reciprok- Serbia s’e njeh Kosovën dhe anasjelltas…
Por a do të sjellë një komplikim më të madh për serbët e Kosovës, të paktën pjesën e jugut dhe të qendrës së vendit, që kështu mund të radikalizohen?
Edhe mundet, por në fund të fundit, ata, pra serbët e Kosovës duhet ta ndajnë përfundimisht a i takojnë Serbisë apo vendit të tyre ku jetojnë e marrin rrogat dhe pagesat nga qeveria.
Nëse Albin Kurti do të kishte hapur qendra votimi në Kosovë për këtë referendum siç kanë bërë qeveritë paraardhëse, mund të ishte një gjest i mirë dhe më i qetë, por a do ta kuptonte Beogradi? Deri tani, që nga 1999, jo vetëm që s’ka shprehur asnjë respekt e mirënjohje, por e ka shfrytëzuar për aspektin se Kosova është pjesë e Serbisë.
Sot, Aleksandër Vuçiç mund të bëjë fushatë kundër Albin Kurtit, ngaqë nuk ka hapur qendra votimi në Kosovë, duke e konsideruar si ekstremist. Po a do të hapë Vuçiç qendra votimi në Preshevë, pasi shumica e qytetarëve të Luginës kanë pasaporta të Kosovës?
Deri tani nuk e ka bërë. Atëherë? Realisht vendimi i Kurtit nuk se i zbut marrëdhëniet me Beogradin, por edhe nëse do t’i zbuste nuk do të qulloste gjë. Megjithatë do të jetë interesant vendimi i serbëve të Kosovës, pasi ky referendum duket si paradhënie për atë tjetrin që pritet të merret pas 6 muajsh e ku Kosova do të njihet nga Beogradi…/Pamfleti