Kryesia e degës së LDK-së në Vushtrri, gjatë mbledhjes së mbrënshme ka larguar dhe shkarkuar Agron Perçukun, Alban Bajramin e Behar Durakun nga të gjitha pozitat e tyre në strukturat e këtij subjekti politik.
Kjo për shkak se “asamblistët e lartpërmendur bashkuan votën e tyre me PDK-në, mbështetën zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit dhe zgjedhjen e KPF-së, e në kundërshtim me vendimin e degës së LDK-së duke e dëmtuar rëndë LDK-në”.
Lajmi u bë i ditur nëpërmjet një postimi në Facebook nga kjo degë e LDK-së.
Lidhur me këtë çështje, deputetja e këtij subjekti politik, Rrezarta Krasniqi, thotë se nuk ka qenë e ftuar në këtë mbledhje, madje lajmin e ka marrë veshë nga mediet.
“Unë sapo u njoftova përmes mediave për këtë mbledhje, pasi nuk kam qenë e ftuar. Konsideroj se për vendime të tilla do duhej të ishte ftuar e gjithë kryesia e partisë”, tha nënkryetarja e degës së LDK-së në Vushtrri.
Ndërkaq, dega e LDK-së në Vushtrri deklaroi se “Për z. Idrizin e sekserët e tij politik, që blejnë e tregëtojnë me vota asambleistësh, ju themi që janë të humbur, qeverisja juaj është e paaftë dhe pa vizion për qytetin e Vushtrrisë. Pushteti me votat të manipuliara nuk mundet të caktoj përfaqësuesit e opozitës në KPF, është praktikë jo demokratike e pa parë dhe e padëgjuar në historinë institucionale të Kosovës. LDK Vushtrri do ti drejtohet me ankesë MAPL për këtë shkelje të Kuvendit të Komunës”.
“LDK-së në Vushtrri, ka arritur që të rikthej besimin e qytetarëve të Vushtrrisë me punë e përkushtim. Mandati i blerë i Z. Idrizit dhe PDK do të ketë fund të keq, njësoj siç keq e kanë nisur. LDK Vushtrri do të jetë opozitë dhe gardiane e interesave të qytetarëve të Vushtrrisë. Dega e LDK-së Vushtrri i falënderon asambleistët dhe votuesit besnik për përkrahje të parezervë”.