Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, kërkon nga organet shtetërore të Kosovës që të mos lejojnë mbajtjen e referendumit për ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e Serbisë në territorin e Kosovës.
Në komunikatë thuhet se Serbia, me idenë dhe insistimin e mbajtjes së këtij referendumi në Kosovë, po tenton të shkelë rënd kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e Kosovës.
“Assesi dhe me asnjë çmimin nuk duhet lejuar që të mbahet ky referendum në Kosovë, ngase në Kushtetutën e Serbisë, në të cilin po mundohet të bëhen ndryshime, Kosova figuron si pjesë territoriale e Serbisë. Andaj, me votimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës (të nacionalitetit serb) në këtë referendum, vetëm sa po legalizohet preambula e kushtetutës serbe nga qytetarët tonë serb”, thuhet në komunikatë.
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, përkrah pa rezervë dhe përshëndetet qëndrimin unik dhe të paparë të liderëve shtetërore të Kosovës përball Serbisë dhe presioneve ndërkombëtare, duke thënë se Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e Kosovës, assesi nuk duhet zmbrapsur nga qëndrimet e tyre.
“Vetëm të bashkuar ecet përpara. Stop serbizimit të Kosovës”, përfundon komunikata.
Nesër në Serbi mbahet referendumi për ndryshime kushtetuese. Kryeministri Albin Kurti në një bisedë telefonike i ka thënë kryediplomatit evropian Josep Borrell se nuk do të lejohet mbajtja e referendumit në Kosovë, por serbët lokalë mund të votojnë me postë ose në zyrën ndërlidhëse.
Në lidhje me referendumin në Serbi, Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme nga ora 14:00.