Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se qeveria që ai e udhëheq nuk është anti-serbe, pasi siç tha, ai ka ministër nga Lista Serbe.
Kurti duke iu përgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe Igor Simiq, tha se në kabinetin e tij ka edhe zëvendësministra e këshilltar nga komuniteti serb.
Kurti: Qeveria jonë nuk është anti-serbe
“Qeveria jonë nuk është anti-serbe. Ne kemi një ministër nga komuniteti serb, madje është i Listës Serbe, madje është kryetar i Listës Serbe dhe është ministër i imi. Pastaj kemi edhe zëvendësministra e këshilltarë. Në anën tjetër luftimi i krimit dhe i korrupsionit nuk njeh etni dhe policët kur e luftojnë krimin dhe korrupsionin në Kosovë nuk zbatojnë urdhra të qeverisë, por të prokurorisë. Ata janë institucion, organ i shtetit, i cili vepron në përputhje me ligjin dhe në zbatim të ligjit”, tha ai.
Kreu i qeverisë dha sqarime edhe ndaj kritikave të opozitës se pse po mbahet seancë e jashtëzakonshme, për çka Kurti tha se është gabim që një çështje si kjo e referendumit të mos diskutohet në Kuvendin e Kosovës.
Kurti: Është gabim të mos diskutohet në Kuvendin e Republikës
“Po të ishte seancë e zakonshme, në Kuvendin e Republikës me siguri që do të diskutohej kjo temë, mirëpo seancë e jashtëzakonshme është meqenëse nuk ishte e mundshme të ishte seancë e zakonshme. Nuk ka filluar ende sesioni pranveror andaj edhe është seancë e jashtëzakonshme, për ndryshe padyshim që është një temë aq e rëndësishme dhe aktuale saqë do të diskutohej edhe në seancë të zakonshme. Seanca është e jashtëzakonshme meqenëse ndodhemi ende në pushimin dimëror. Nuk ka vendbanim, nuk ka lagje, nuk ka shtëpi që nuk diskutohet kjo temë, e është gabim të mos diskutohet në Kuvendin e Republikës. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk është vetëm një organ normativ ligjvënës, por është edhe një organ përfaqësues aktual, është organ i përfaqësuesve, është organ aktual politik”, tha ai.