Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk mori pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për votimin e rezolutës për referendumin serb.
Për këtë gjë, ka reaguar analisti politik, Bleron Baraliu.
Ai në një postim në Facebook radhiti gabimet sistematike të PDK-së, të cilat i kushtuan shumë këtij subjekti politik.
“Çka tjetër duhet të pësoj e ngrata PDK për të mësuar se vetëm politikat dhe qëndrimi parimor e dinjitoz i jep vlerë e fuqi popullit dhe shtetit për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me aleatët ndërkombëtarë në përgjithësi dhe Shtëpinë e Bardhë në veçanti?!
PDK duhet të zgjohet nga amullia ku e ka futur Thaçi me kalkulimet e tij të dobëta politike, dhe të rikujtoj kauzën mbi të cilën ka lindur - pavarësinë, lirinë, dhe bashkimin e shqiptarëve në një njësi sovrane, me çdo kusht e çdo çmim”, deklaroi Baraliu, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Gabimet sistematike të PDKsë
Mospjesëmarrja e PDKsë (Memli Krasniqi et al) në Kuvend në lidhje me rezolutën kundër referendumit serb është asgjë më shumë e as më pak se një kalkulim qyqar mendjengushtë, tipik për lidershipin tipik dhe strukturave tipike të PDK-së gjatë gjithë kohës (prej Rambujesë e këtej) karshi trysnisë ndërkombtare. Prima facie PDK po tenton t'i tregoj miqëve ndërkombëtarë se janë kundër veprimeve që mund të shtyjnë deri në eskalimin e situatës, duke deklaruar e pretenduar se çfarëdo rezolute e Kuvendit do të ishte superfluoze, sepse qeveria i ka ingirencat dhe mjetet e nevojshme për të kryer veprimet e duhura në mbështetjeje të ligjit dhe rendit kushtetues.
Mirëpo, PDK bën mirë të kuptoj e mësoj se rezolutat e Kuvendit, përveç se kanë kuptimet domethënëse implicite, janë edhe instrument i rëndësishëm në ballafaqimet diplomatike dhe dyluftuese të shtetit, lexo qeverisë. Zatën PDK duhet t'a dijë se as rezolutat e Kongresit Amerikan nuk janë obligative (pra janë non-binding), por mbesin si mjeti më efikase në ushtrimin e diplomacisë dhe politikës së jashtme amerikane.
Sa i përket kalkulimit politik, shija e keqe e mospjesëmarrjes së PDKsë veç se dëshpëron rishtas votuesin e luhatshëm anues që sapo ka marrë paksa motiv nga politika konstruktive e PDKsë në opozitë tash e ca muaj. Përndryshe, në rrafsh ndërkombtar, politikat vasaliste të PDKsë veç se kanë sjellë votën e dyfishtë Ahtisariane, fluskën Kosovo*, Gjykatën Speciale, dhe burgosjen dhe tentim njollosjen e liderëve të saj dhe të UÇKsë. Çka tjetër duhet të pësoj e ngrata PDK për të mësuar se vetëm politikat dhe qëndrimi parimor e dinjitoz i jep vlerë e fuqi popullit dhe shtetit për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me aleatët ndërkombtarë në përgjithësi dhe shtëpinë e Bardhë në veçanti?!
PDK duhet të zgjohet nga amullia ku e ka futur Thaqi me kalkulimet e tij të dobëta politike, dhe të rikujtoj kauzën mbi të cilën ka lindur - pavarësinë, lirinë, dhe bashkimin e shqiptarëve në një njësi sovrane, me çdo kusht e çdo çmim! ♥️