Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi zhvilloi sot një takim me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport, me të cilin ka biseduar lidhur me gjendjen rreth COVID-19 dhe procesin e vaksinimit të popullatës.
Davenport tha se misioni i OSBE-së në Kosovë mbetet i fokusuar në fushën e ndërtimit të demokracisë, respektimit të drejtave të njeriut dhe në fushën e sigurisë e bashkëpunimit, ndërsa shprehu gatishmërinë e misionit për të ndihmuar në segmente të ndryshme në fushën e shëndetësisë që kanë të bëjnë me shërbimet që ofrohen tek komunitetet në teren.
Latifi dhe Davenport kanë theksuar rëndësinë e vaksinimit të të gjithë popullatës në Kosovë dhe jo vetëm në rastin e COVID-19, derisa synim i përbashkët është mbulimi me vaksinimin i të gjitha komuniteteve që jetojnë Kosovë, përfshirë edhe grupet më të cenueshme.
Ata u pajtuan për një bashkëpunim të ndërsjellë në të ardhmen në ato fusha ku ka nevojë për intervenime që rrisin besimin dhe sigurinë e shërbimeve shëndetësore nga të gjithë qytetarët e Kosovës.