Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, ka folur për përvjetorin e 23-të të Masakrës së Reçakut, dhe pjesëmarrjen e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffery Hovenier në ceremoninë përkujtimore.
Ai tha se me pjesëmarrjen e tij në Reçak, Hovenier donte t’i tregonte opinionit kosovar se kush është miku i vërtetë i Kosovës, teksa shtoi se ishte deklarata e Walker ajo që bëri kthesën e madhe për bashkësinë ndërkombëtarë.
“Është një qëndrim i rikonfirmuar i Ambasadës Amerikane dhe SHBA-së rreth kësaj çështje, që e ka sjellë edhe inkuadrimin e NATO-s në këtë konflikt”.
“Nuk pres që do të ketë presion të shtuar ndaj Serbisë, sepse siç e ceka edhe më herët ky është qëndrim i ditur i SHBA-së, ne duhet ta shohim simbolikën se pse e patëm prezencën e Ambasadorit të SHBA-së këtë herë dhe nuk e shoh si mesazh ndaj Serbisë sa një mesazh popullit të Kosovës”, është shprehur Ibrahimi në “Info Magazine".
Kurse, sa i përket çështjes së referendumit të Serbisë, Ibrahimi tha se këtë duhet ta shohin nga dy kënde, ku tha se duhet menduar mirë nëse i del kundër një kërkese të vendeve të QUINT-it.
“Nëse e shohim nga këndvështrimi i Facebook-ut, atëherë Kosova ka bërë një hap shumë të madh, e ka treguar krenarinë e vetë, e ka treguar të gjithë atë që duhet t’i tregosh fansave në Facebook”.
“Por, të dalësh kaq fuqishëm kundër një kërkesë të vendeve të QUINT-it, duhet menduar shumë mirë përpara se të bësh një gjë të tillë”, është shprehur Ibrahimi.
Më tej ai tha se Kosova nuk i tha jo Serbisë, por i tha jo kërkesës së vendeve të QUINT-it, dhe sipas tij, Kosova nuk u ka mundësuar qytetarëve serbë që kanë dyshtetësi të marrin pjesë në votim. .
“Mos të harrojmë se vetë shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë një kompromis shumë i madh i bashkësisë ndërkombëtare për të arritur për t’i bindur të gjitha këto shtete për ta shpallur pavarësinë dhe për ta njohur më pas”, ka thënë ai.