Në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, sot pati përplasje mes deputetes Eliza Hoxha dhe kryetarit të Komisionit Ardian Gola.
Aty ishte paraparë që të bëhet shqyrtimi i Projektligjit pёr Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe Projektligjin pёr Arkivat Shtetërore, ku po raportonte ministrja Arbëri Nagavci, ndërsa mbledhja përfundoi pasi Hoxha e lëshoi sallën.
Deri te kjo erdhi pasi Gola kërkoi nga deputetja e PDK-së që të fokusohet te çështja për të cilën ishin mbledhur.
“Mos e konsumojë kohën për me na zhvendos komplet temën për çka jemi mbledhur këtu, pra projektligji për agjencinë e akreditimit dhe ta orientojmë komplet debatin në këtë projektligj. Çështjet që kanë të bëjnë më KSHC-në janë çështje tjera”, i tha ai.
Kjo e nervozoi Hoxhën.
“Nëse nuk ka mundësi në këso lloj atakimesh të diskutohet me dashamirësi për sfidat që i kemi në proces, pozitë e opozitë, për institucionet publike dhe private në cilësinë e arsimit, atëherë urdhëroni, e keni kohën e duhur dhe të mjaftueshme të bëni çfarë të doni”, deklaroi ajo duke dalë nga salla e mbledhjes.
Pas kësaj, mbledhja përfundoi për shkak të mungesës së kuorumit.