Hatim Berisha dhe Zaim Domazeti janë dy pronarët e “Timi & Zaimi” në Prizren kanë mashtruar së paku 12 qytetarë për rregullimin e vizave të punës për në Gjermani dhe Kroaci.
Për disa muaj ata arritën të përfitonin rreth 5 mijë euro duke i mashtruar qytetarët kinse për pajisje me viza pune në Gjermani e Kroaci.
Berisha dhe Domazeti janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Ata dyshohet se “me dashje dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe për t’i shkaktuar dëm material personave tjerë, i mashtrojnë apo vazhdojnë lajthimin e personave tjerë dhe me këtë i nxisin të dëmtuarit që të njëjtit të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre”.
“Të pandehurit me qëllim të përfitimit pasuror në vitin 2020 krijojnë biznesin “Timi & Zaimi” SH.P.K., si agjenci punësimi, kinse për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për në Kroaci dhe Gjermani, nga të cilët kërkojnë plotësimin e dokumentacionit dhe si kundërvlerë paraprake marrin parapagime nga të dëmtuarit, me ç’ rast secilit veç e veç i shkaktojnë dëm material ndërsa për vete në mënyrë të kundërligjshme përfitojnë dobi pasurore”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Siç njoftoi sot Prokuroria, dy të dyshuarit janë hetuar nga muaji qershor i vitit 2021.