Petrit Kllokoqi, kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, e ka cilësuar “katastrofik” propozimin e Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës për COVID-19, për kufizimin e orarit të punës së lokaleve të gastronomisë.
Mbyllja nga ora 21:00 e lokaleve të gastronomisë, sipas Kllokoqit është e tepruar.
“Kjo është katastrofike. Nëse nuk ka vendim për subvencionim të drejtë të bizneseve të gastronomisë, atëherë kjo do të thotë një goditje tjetër të rëndë për veprimtarinë e bizneseve”, u shpreh ai në një bisedë të premten.
Kllokoqi tha se shoqata nuk është ftuar në mbledhjet e komitetit
“Më e keqja është që nuk po na thërrasin më në mbledhjet e komitetit. Nuk na kanë njoftuar as dje dhe as sot”, tha ai.
Gjatë ditës së sotme pritet që Qeveria e Kosovës të miratojë masat e reja anti-COVID. Propozimet e Ministrisë së Shëndetësisë pritet që të hyjnë në fuqi prej nesër.
Këto masa përfshijnë kufizimin e lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 05:00, ndërsa edhe veprimtaria e gastronomisë do të lejohet të zhvillohet deri në orën 21:00.