Liza Marku dhe Sead Mujovi janë zgjedhur si drejtorë të bordit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës - KOSTT. Marku është votuar për drejtoreshë të bordit të kësaj ndërmarrje sipas kuotës gjinore për pjesën tjetër të mandatit të mbetur deri në vitin 2024. Ndërsa, Sead Mujovi është zgjedhur drejtor i bordit nga radhët e komunitetit joshumicë në këtë kompani publike.
Kandidatë për drejtorë të KOSTT-it ishin Liza Marku dhe Anita Cucoviq. Ndërsa, nga radhët e komunitetit joshumicë Hajrije Shkriel dhe Sead Mujovi.
Kryetari i komisionit votues, Hajdar Beqa tha se në këtë votim kanë votuar 83 deputetë.
Beqaj: Liza Marku ka fituar 73 vota
“Në votim kanë marrë pjesë 83 deputetë, të pavlefshme kanë qenë katër fletëvotime, votat e fituara për kandidatët e propozuar për zgjedhje të anëtarëve të bordit të ndërmarrjes-KOSTT, sipas kuotës gjinore janë Liza Marku ka fituar 73 vota dhe Anita Cucoviq ka fituar gjashtë vota. Sipas këtij rezultati, komisioni konstaton se zonja Liza Marku është zgjedhur drejtore e bordit të ndërmarrjes së KOST-it”, ka njoftuar ai.
Po ashtu, ai ka njoftuar se për drejtor nga komunitetet joshumicë kanë marrë pjesë 83 deputetë.
Beqaj: Sead Mujovi është zgjedhur drejtor i bordit të KOSTT-it
“Në votim kanë marrë pjesë 83 deputetë, të pavlefshme kanë qenë dy vota. Votat e fituara për kandidatët e propozuar për zgjedhje të drejtorit të bordit të ndërmarrjes KOSTT nga radhët e komunitetit joshumicë janë Hajrije Shkreli ka fituar 23 vota, kurse Sead Mujovi ka fituar 58 vota. Sipas këtij rezultati komisioni konstaton se Sead Mujovi është zgjedhur drejtor i bordit të KOSTT-it”, ka shtuar ai.
Organi më i lartë legjislativ po voton edhe për tre anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave.