(E plotësuar 20:27) - Mocioni i partive opozitare kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike ka mbetur që të votohet të mërkurën në Kuvend për shkak se në seancën e sotme nuk kishte kuorum.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se në sallë janë të pranishëm vetëm 45 deputetë dhe se seanca për votimin e mocionit të mbahet të mërkurën në orën 14:00.
Shefi i GP të PDK-së Abelard Tahiri paraqiti mocionin në emër të tri partive opozitare, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe që të ofrohen alternativa të reja nga Qeveria.
Berisha: Prokurori i Shtetit të nisë hetime për këto humbje të qëllimshme që po i shkaktohen Kosovës
“Kriza energjetike në Kosovë nuk erdhi si rezultat i krizës globale sepse Kosova nuk u ndikua nga kriza globale energjetike... Kosova nuk varet as nga gaz-përçuesi Gazprom, as Nord Stream, as naftësjellësit, as nga kriza politike në Rusi e Ukrainë dhe këto arsyetime nuk qëndrojnë. Kryeministri dhe Qeveria e tij e solli këtë krizë si rezultat i keqmenaxhimit sepse nuk u krijuan rezervat energjetike me kohë, u ndërhy me urdhra politik në riparimet e KEK-ut pa u bërë inspektimet e duhura dhe për pasojë krijuan avari në bllokun 2 duke shkaktuar miliona euro për KEK-un dhe Kosovën. Tani po keqpërdorni para për të ashtuquajturin ekspert dhe për këtë kisha kërkuar nga Prokurori i Shtetit të nisë hetime për këto humbje të qëllimshme që po i shkaktohen Kosovës”, tha Berisha.
***
Deputeti i LDK-së, Anton Quni tha se nuk e ka besuar se mund t’i flasë kryeministrit Albin Kurti për çështjet e energjetikës.
Pasi e mori fjalën në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për krizën e rrymës, Quni tha se kryeministrit ka menduar se mund t’i flasë me kompetencë vetëm për çështje të sigurisë.
“Gjithnjë kam menduar se si ushtarak mund të dal të flas para jush me kompetencë për çështjen e sigurisë. Nuk e kam besuar asnjëherë që do të kem nevojë me dalë me folë edhe për çështjet e energjetikës, veçanërisht që kryeministri vjen me profesion nga kjo fushë”, tha ai.
Quni tregoi për një bisedë me një votues të LVV-së në fushatën për zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai tha se votuesi ishte i bindur se me Kurtin kryeministër, rryma do të ishte pothuajse falas.
“Ai këmbnguli se njeriu i duhur për Kosovën është Albin Kurti. Kërkova të ma arsyetojë. ‘Ka me e luftu krimin, korrupsionin, liberalizimi i vizave, integrimet, etj, dhe në fund e potencoi, tha ‘thuajse rrymën do ta kemi falas’. Thash nga kjo. Tha po ka premtuar se do të kemi lirim. Ne tani pothuajse e kemi falas, plus kur ta bëjë lirimin kryeministri, sikur ajrin që e konsumojmë, ashtu edhe rrymën”, tha ai.
Quni tha se deri atëherë s’e kishte ditur se cili është profesioni i kryeministrit. Kur e kuptoi, tha se kishte nisur t’i besonte atij votuesi, së paku për çështjen e çmimit të rrymës.
“Me të vërtetë në atë kohë s’e dija se nga cili profesion vjen kryeministri dhe nga ai e kuptova se është inxhinier i elektros dhe për me ju tregu drejt, me qenë i sinqertë me ju, fillova edhe unë me besu së paku për këtë çështjen e fundit”, tha ai.
***
Deputeti i LVV-së kërkon një minutë heshtje pas fjalimit të tij, deputetët ngrihen në këmbë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj pasi ka folur për krizën energjetike dhe mundësinë e shtrenjtimit të rrymës, në fund të fjalës së tij ka kërkuar të mbahen një minutë heshtje për vdekjen e profesorit Rifat Gjota.
Kokaj tha se dëshiron ta shfrytëzojë në këtë mënyrë një minutë nga koha e tij, ndërsa u kërkoi të ngrihen në këmbë edhe deputetët tjerë.
“Dhe në fund, kërkoj që minutin e fundit, apo një minutë e gjysmë ta shfrytëzoj për diçka që kam dëshirë t’ju lus – kur flasim për efiçencë, energji – këto ditë ka vdekë profesor doktor Rifat Gjota, për të cilin unë kam dëshirë këtu para jush në Parlament ta mbaj një minutë zi dhe ata që dëshirojnë ta bëjnë të njëjtën kam dëshirë që të ngrihen në këmbë”,tha Kokaj.
Me këtë u pajtua kryeparlamentari Glauk Konjufca. Ai tha se kontributi i Rifat Gjotës në shkencë ka qenë i madh.
***
Kurti iu kundërpërgjigjet deputetëve: Nuk jam magjistar, për fatin tuaj të keq
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se veç një magjistar mund të besojë se për krizën energjetike me të cilën po përballet Kosova, zgjidhja mund të jetë pa subvencion nga Qeveria, pa shtrenjtim të rrymës dhe pa shkyçje nga rrjeti elektrik.
Duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve të cilët kërkojnë zgjidhje tjetër nga ai, Kurti tha se është “veç kryeministër”.
“Duhet të jesh magjistar, magjistar, asgjë më pak se magjistar, që të besoj se ka një zgjidhje pa subvencion, pa shtrenjtim dhe pa shkyçje. Unë magjistar nuk jam, jam veç kryeministër, për fatin e keq tuajin”, tha ai.
Paraprakisht, Kurti e ka komentuar deklaratën e tij të shkurtit të vitit 2019, kur para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare kishte thënë se me të në Qeveri do të ulej çmimi i rrymës.
“Pati një referencë tek një deklaratë e imja në fushatën zgjedhore, jo në këto zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit të vitit 2021, por në fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Në atë fushatë është e vërtetë që unë kam thënë e synojmë uljen e çmimit. Edhe me siguri që ne e synojmë uljen e çmimit”, tha ai.
“Mirëpo duhet ta kemi parasysh, në një fushatë zgjedhore unë nuk jap as zotime dhe as premtime për vitin e parë, por për katër vjet”, shtoi Kurti.
****
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme, të 6 tetorit të vitit 2019, kishte thënë se do ta kenë synim uljen e çmimit të energjisë elektrike.
Ai, në Kuvend iu përgjigj deputetëve të opozitës, duke u thënë se premtimet e tij i jep për katër vjet qeverisje dhe jo për vitin e parë.
“Është shumë interesante një numër i madh i kritikave që i bëhet Qeverisë sonë është sikur të ishim në vitin 2024. Jemi akoma në vitin 2022, ka mundësi që këta dhjetë muaj iu janë dukur shumë të gjatë në opozitë. Ama viti është vetëm 2022, nuk është 2024, nuk jemi në përmbyllje të mandatit. Ende nuk është bërë asnjë vit i mandatit tonë dhe ju kërkoni që ne t’i realizojmë premtimet tona katërvjeçare dhe atë të kësaj fushate të fundit, por të asaj para kësaj. Shikoni me çfarë standardi na matni neve”.
“Me fjalë të tjera kundërshtarët tanë i kanë pritshmëritë më të mëdha se votuesit tanë. Votuesit po kërkojnë që premtimet t’i kryejmë për katër vjet, dhe ju po kërkoni që ne t’i realizojmë për 10 muaj. Me fjalë të tjera, pritjet e opozitës janë më të mëdha se të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Kurti.
I pari i ekzekutivit ka shtuar se kanë në plan rindërtimin e Kosovës A edhe për dy blloqe të reja tek Kosova B.
***
Kryeministri Albin Kurti u ka thënë deputetëve të opozitës se janë duke shprehur dëshira të parealizueshme sa i përket krizës së energjisë elektrike në Kosovë.
Ai, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka theksuar se nuk ka një të vërtetë ku ka menaxhim të kësaj situate pa rritje të çmimeve apo dhënies së ndihmës shtetërore.
“Unë kam mirëkuptim për dëshirat, unë besoj se njeriu është subjekt i dëshirës. Ne jemi ata që jemi si njerëz për shkak se dëshirojmë. Mirëpo, as subvencion, as shkyçje dhe as shtrenjtim është regjistri i fantazisë. Fantazia nuk është zgjidhje, unë po ju ftoj të zbrisni në tokë dhe të diskutojmë”.
“Sepse kreativiteti nënkupton propozime të realizueshme e jo përfytyrim të një bote imagjinare që nuk realizohet kurrë. Ju mund ta përfytyroni një botë të tillë, ku nuk ka as subvencion, as shkyçje dhe as shtrenjtim, ajo është fantazi, nuk është realitet. Kam mirëkuptim për dëshirën secili prej neve ka dëshira. por fantazia nuk është zgjidhje”, ka thënë Kurti.
Kontratat afatgjate për energjinë përplasin ministren Rizvanolli me opozitën
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se asnjë shtet në Evropë nuk ka arritur të evitojë krizën energjetike përmes kontratave afatgjate.
Në debatin parlamentar për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ministrja tha se kontraktimi i kontratave është vetëm një mit i opozitës.
Rizvanolli: Cili shtet në Evropë e ka evituar krizën përmes kontratave afatgjate
“Më thoni, cili shtet në Evropë e ka arritur të evitojë krizën përmes kontratave afatgjata. Për më tepër në cilin vend është zbutur përmes kontratave afatgjata. Në Evropë kontratat afatgjata nuk përdoren më. Përdoren blerja e energjisë një ditë përpara për shkak të rritjes së konkurrencës. Në fakt kjo mund të jetë një prej arsyeve të krizës nëse i lexoni çka po flitet në mesin e ekspertëve që merren me këtë. Pra definitivisht Kosova nuk është e vetme në këtë. Në fakt kur ka pasur kontrata afatgjata, këto kontrata janë ndalur, pasi e kanë një penallti, për shembull 50 euro, edhe kur ke blerë energji me këto, por çmimi ka arritur në 500 euro ka qenë më e dobishme që të shkëputen kontratat edhe në rastet e rralla kur ka qenë. Prandaj ju lutemi harroni këtë mit”, tha ajo.
Por asaj i reagoi shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se një gjë e tillë ndodh me Ibër-Lepencin, që shet energji prej 50 euro megavatin.
Tahiri: Ibër-Lepenci sot e shet diku 50 euro megavatin e energjisë elektrike
“Ibër-Lepenci sot e shet diku 50 euro megavatin e energjisë elektrike. Kontratë që është bërë më herët, ndërsa Kosova është diku i shitë një kompanie 10 herë më lirë se sa është duke shkuar në bursë ndërkombëtare”, tha ai.
Ministrja tha se kjo kontratë ka klauzolë arbitrazhi dhe po shqyrtohen gjitha mundësitë për të dalë nga kontrata pa dëme. Madje ajo tha se kjo kontratë është dërguar në hetuesi te krimet ekonomike.
Rizvanolli: Po shqyrtohen mundësitë për të dalë nga kjo kontratë e dëmshme
“Jam informuar se kjo kontratë ka klauzolë arbitrazhi si shumë kontrata të institucioneve që janë lidhura nga ndërmarrjet publike dhe na kushtojnë me qindra dhe miliona në muaj. Rrjedhimisht kontrata nuk ka mundur të ndërpritet pasi është llogaritur se dëmet mund të jetë më mëdha se fitimet. Megjithatë unë kam kërkuar nga ndërmarrja që të shqyrtohen mundësitë për të dalë nga kjo kontratë e dëmshme”, tha ai.
Lidhur me kontratat afatgjate të energjisë, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se një gjë të tillë e ka bërë edhe shteti i Maltës.
Bajrami: Nuk është mit krijimi i kontratave afatgjate
“Nuk është mit krijimi i kontratave afatgjate. Malta ka bërë kontrata dyvjeçare. Kontratat që i kemi me Shqipërinë që kemi marr energji, do t’i kthejmë”, shtoi ajo.
Kadrijaj ia përmend Kurtit humbjen në zgjedhjet lokale: Kurrgjë s’ishte Shën Valentini çka ishte Shën Balotazhi
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj para se ta kritikojë kryeministrin Albin Kurti lidhur me krizën energjetike dhe shtrenjtimin e rrymës, ia ka përmendur atij humbjen e LVV-së në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.
Kadrijaj tha se “karriga e opozitarit është krejt ndryshe nga karrigeja e pushtetarit”.
“Ndërsa ju e patë. Kurrgjë nuk ishte shën valentini çka ishte shën balotazhi, i cili ju shpalli si parti opozitare, partinë me më së paku komuna të fituara si dhe me rënie drastike të votave”, tha ajo.
Zemaj – Qalajt: A mund t’i ndihmojë Policia kryeministrit se e ka humbur rrugën
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka folur për një artikull që tha se e ka lexuar në një nga mediat ndërkombëtare, duke nisur kështu fjalën e tij në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për krizën energjetike dhe propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtim të rrymës.
“Një person në Australi e kishte thirrur Policinë me arsyetimin se kishte humbur. E thirri edhe dikush nga komshinjtë e tij, po thonë që një person është duke bërtitur që ka humbur. Kur erdhën Policia, e gjetën. Kishte humbur në oborr të vet. 300 metra brenda hapësirës së oborrit i kishte humbur rruga në oborr të vetin”, tha ai.
Zemaj me ironi e pyeti ish-drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj, tani deputet i PDK-së, nëse mund ta ndihmojë Policia kryeministrin që ta gjejë rrugën.
“Tash nuk e di – ndoshta Rashiti na kish ndihmu – a ka Policia ndonjë mekanizëm që të ndihmon kryeministër ty me e gjetë rrugën e duhur për me e zgjidhë krizën energjetike, apo edhe ty, edhe kolegëve ju ka humbur rruga në oborr e s’po dini as çka me na thënë neve, e as qytetarëve”, tha ai.
***
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra i ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha sot në seancën e Kuvendit se rryma ka qenë aq e lirë, sa që shumë qytetarë nuk e kanë ditur se sa po paguajnë.
Ajo e ka pyetur Kurtin se a e ka ditur këtë në vitin 2019, kur kishte premtuar se me të në pushtet, çmimi i rrymës do të ulej.
“Tash po e pyes Z. kryeministër se a e ka ditur këtë në vitin 2019 kur në fushatën zgjedhore deklarohej se çmimi i rrymës është i shtrenjtë e premtonte se kur të vijë në pushtet do ta ulte çmimin e energjisë elektrike”, tha ajo.
Rizvanolli: Kemi dy opsione, reduktime të ashpra ose rritje të çmimit
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në seancën e jashtëzakonshme për shtrenjtimin e energjisë, tha se Kosova si shtet nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të prodhuar energji elektrike që konsumohet, sidomos gjatë dimrit dhe çmimit të lartë të importit.
Ministrja Rizavanolli theksoi se në situatën në të cilën ndodhet Kosova, ekzistojnë vetëm dy opsione, reduktime të ashpra ose rritje të tarifave.
Rizvanolli: Janë dy opsione, reduktime të ashpra ose rritje të tarifave
Deliu tha se është skuqur nga deklaratat e Kurtit.
“A turpërohet pak Albin Kurti nga këto deklarata të cilat mua si deputete e disa legjislaturave më bëjnë të skuqem… A ka ma ofendim? Për besë unë sot jam skuqur nga Qeveria”, tha ajo.
Deliu e ftoi Kurtin që t’i shoh qytetarët, të cilët, sipas saj, janë tronditur nga deklaratat e kryeministrit.
“Dil kryeministër kqyri njerëzit të cilët janë të tronditur nga deklarimet që i ke bërë sot në Kuvend”, tha ajo.
***
Vazhdon seanca e Kuvendit.
***
“Që nga viti 2017 kur është hequr bllok tarifa, ne konsumojmë më shumë energji elektrike vit pas viti. Ne si shtet nuk kemi kapacitete të mjaftueshme për të prodhuar energjinë që konsumojmë, sidomos gjatë dimrit ne varemi nga importi. Gjatë muajt dhjetor, janar e deri tani kemi importuar rreth 10 përqind të energjisë. Evropa, tani edhe Kosova po përballen me një krizë të jashtëzakonshme. Varësia jonë nga importi nuk ka qenë problem derisa çmimet kanë qenë 6 deri 9 centë për KWH… Sistemi ynë energjetik është pran kolapsit, nga këto dallime në çmimin e blerjes dhe shitjes janë akumuluar rreth 100 milionë euro borxhe në sistem. Ne jemi shteti më i varfër në Evropë, por prodhuesit dhe qytetarët nuk na pyesin për këtë. Këto janë fakte të dhimbshme, por duhet të jemi të sinqertë me veten dhe qytetarët dhe janë dy opsione, reduktime të ashpra ose rritje të tarifave. Pajtohemi të gjithë që reduktimet janë opsioni më i keq për qytetarët dhe ekonominë e vendit”, tha ajo.
Ministrja e Ekonomisë më tej theksoi se Qeveria nuk e ka mundësinë për të refuzuar kërkesën apo propozimin e një institucioni të pavarur siç është Zyra e Rregullatorit të Energjisë, derisa shtoi se shteti ynë nuk është i vetmi në këtë krizë.
Rizvanolli: Në këtë krizë nuk jemi të vetmit
“Çfarë mund të bëjmë ne, është ajo që e kemi bërë tani në mënyrë pro aktive. Kemi zotuar subvencion, i cili e zbutë ndikimin tek të gjithë konsumatorët dhe te bizneset… Në këtë krizë nuk jemi të vetmit, çmimet në vendet e rajonit janë rritë rreth 10 përqind pavarësisht faktit që kanë ndarë qindra miliona euro, e mbi 40 përqind pritet të rriten në pranverë në Britani e Turqi”, ka thënë më tej ajo.
Deputetët e kuvendit kanë shkuar në pauzë deri në orën 16:00.
Bislimi-opozitës: Mos na jepni këshilla, jemi në këtë gjendje për shkak të veprimeve tuaja
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, iu ka kërkuar partive opozitare të mos japin këshilla ndaj ekzekutivit, pasi vendi është në krizë energjetike edhe për shkak të veprimeve të tyre në periudhën sa kanë qenë në pushtet.
Në debatin parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, Bislimi tha se sheh shumë paradokse nga ana e opozitarëve.
Bislimi: Kosova është në këtë gjendje falë veprimeve të opozitës së tanishme
“Evidentimi i disa paradokseve të debatit të sotëm. Sa herë që në diskutimet për problemet aktuale po tentojmë të gjejmë korrigjimin e problemit, neve po na mbyllën goja duke thënë mos u merrni me dështimet tona dhe veprat, por zgjidhini problemin. Pastaj të njëjtën fjali po thoni se kështu keni thënë në vitin 2013. Të nderuar deputet, Kosova nuk është këtu falë deklaratave tona, por falë veprimeve tuaja. Nëse nuk duhet të merremi me veprimet e juaja pse duhet të merreni me deklaratat tona. Në se Kosova është këtu për shkak të dështimeve tuaja, më e pakta që mundeni me bërë është mos me na dhënë këshilla. Pasi këshillat tona janë tjera dhe shkojnë tjetër drejtim”, tha ai.
Ai kritikoi tri partitë opozitare edhe për populizëm.
Bislimi: Partitë opozitare na quanin komuniste, ndërsa sot duan me votë të vendosin për çmimet e tarifave
“Partitë opozitare secila më e djathtë se tjetra në vazhdimësi e kanë sulmuar qeverinë Kurti si qeveri komuniste dhe sot po thonë se sot duam që me votë të vendosim për çmimet. Aman a mundeni veç me thanë çka do me thanë fjala populizëm”, shtoi ai.
Kurti replikon me Abdixhikun e Tahirin: S’mund të marrë vendim mbi ZRrE se do të bëhem diktator
Kryetari dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të tregojë nëse qytetarët e Kosovës mund ta përballojnë propozimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në lidhje me shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Kreu i LDK-së, Abdixhiku i ka replikuar kryeministrit Kurtit, duke i thënë se është duke bërë gabim që po e barazon konsumin e energjisë me të ardhura.
Sipas tij, nuk duhet t’i bijë barra gjithkujt që shpenzon mbi 600 kWh që të paguajë me çmim të shtrenjtuar.
Abdixhiku: Po gabon që po e barazon konsumin e energjisë me të ardhura
“A është i drejt, a është i përballueshëm, a mund ta përballojnë qytetarët tanë këtë propozim, kjo është tema. Dhe gabimin e parë që e bënë në trajtimin e kësaj teme, është se konsumin e energjisë e barazon me të ardhura. Nuk je këtu duke folur për ta ardhurat e qytetarëve. Nuk është domosdo ai që shpenzon më shumë është më i pasur, gabim e ke këtë premisë. Njerëzit e pasur sot kanë pajisje efiçente, që shpenzojnë më pak, jo domosdo të pasurit shpenzojnë më shumë, për kundrazi. Një termo e një fukaraje, shpenzon shumë më shumë se sa një pajisje që ngrohë një shtëpi 500 metërshe. Unë fola për tri alternativa, kryeministër, fola për formulën e pagesës dhe shpërndarjes se a është e drejtë… në qoftë se Çekia ka hequr TVSH-në prej 21 përqind në 0, sepse është rritur fatura, pse nuk e heq ti sot 8 përqind TVSH-në. Unë mendova që ju nuk po dini, prandaj, ua dhashë tri propozime, juve s’po doni, sepse ju theksuat që rryma është e lirë, e qytetarët nuk po e dinë sa po harxhojnë. E tash kanë me marrë vesh sa po harxhojnë, sepse keni me rritë çmimin. Ky është problem thelbësor”, theksoi ai.
Kryeministri Kurti tha se nuk mund të marrë vendim kundër raportit të ZRRE-së, përndryshe sipas tij, do të quhej diktator.
Kurti: Të kërkosh prej meje që ta marrë këtë vendim, do të thotë të kërkosh prej meje të bëhem diktator
“Unë e kuptoj që është një barrë e madhe financiare edhe për shtetin, edhe për qytetarët. Bashkërisht duhet ta diskutojmë se si të dalim nga kriza, por unë nuk mund ta marrë këtë vendim përderisa ka ZRRE. Të kërkosh prej meje që ta marrë këtë vendim, do të thotë të kërkosh pikërisht prej meje të bëhem diktator. Na është e vërtet që i kemi fituar mbi 50 përqind, por shteti nuk është i barabartë me pushtetit. ZRRE ka sjellë një raport, ai raport nuk është mere ose leje… Në njërën anë është kërkuar me të drejt që në ZRRE, të mos ketë anëtar të partisë, e në anën tjetër i thuhet kryetarit të partisë vepro mbi bordin të pa anëtar të partisë. A e kuptoni që nuk është e mundshme kështu. ne kemi zgjedhur njerëz profesionistë aty, dhe duhet t’i lëmë të veprojnë të pavarur. Por, sërish ata i përgjigjen Kuvendit, dhe raporti nuk është mere ose leje”, u shpreh Kurti.
Ndërkaq, shefi GP të PDK-së, Abelrad Tahiri tha se heqja e bllok-tarifave në vitin 2017, ishte bërë me propozim të kryesuesit aktual të bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.
Tahiri: Heqja e bllok-tarifave në vitin 2017 ishte bërë me propozim të kryesuesit Ymer Fejzullahu
“Kryeministër po ta kujtoj që në vitin 2017 se personi që i ka hequr bllok tarifat ka qenë pikërisht Ymer Fejzullahu, të cilin ju e keni votuar si kryesues të Bordit të ZRRE-së. pra, ky person në atë periudhë e ka arsyetuar që heqja e bllok tarifave në vitin 2017 e nxitë kursimin e energjisë elektrike, dhe ju sot po e kundërshtoni një akt të tij në vitin 2017. Ndërsa, e keni shpërblyer me një pozitë të rëndësishme në këtë institucion”, theksoi ai.
Për këtë ka reaguar kryeministri Kurti, i cili theksoi se kryesuesi aktual i ZRRE-së, në atë kohë ka qenë kundër.
Kurti: Kryesuesi aktual i ZRRE-së nuk ka qenë kundër heqjes së bllok tarifave
“Porsa ma konfirmuan se kryesuesi aktual i ZRRE-së nuk ka qenë kundër heqjes së bllok tarifave”, tha ai.
Kryeministri Kurti më tej tha se raporti i ZRRE-së i nënshtrohet diskutimit publik, do të marrë komentet sikurse të deputetëve, edhe të Qeverisë e të ministrave të linjës.
Deputeti i LVV-së: Për rikthimin e bllokut B2 kemi përgatitur hallvë me ministren Rizvanolli
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka bërë të ditur se ka shkuar për urime tek ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli për rikthimin në funksion të Bllokut B.
Madje tha se bashkë me të kanë përgatitur edhe hallvë prej gëzimit.
Basha: Ju po bëni hajgare me bllokun B, por unë kam shkuar për përhajër tek ministrja
“Ju po bëni hajgare me bllokun B, por unë kam shkuar për përhajër tek ministrja për bllokun B, hallve kemi përgatitë. Gëzim more është, duhet me kuptu, pasi janë 250 megavat në orë. Nëse e krahasojmë me çmimin që e kemi paguar për import i bie 1.2 milionë euro dita. Duhet me u gëzu për këtë”, tha ai.
Ai duke ironizuar me opozitën, tha se të kërkosh ide kreative prej tyre është sikur të “lypet sy prej qorrit”.
Basha: Me lypë ide kreative prej opozitës është si me kërku sy prej qorrit
“Kryeministri tha se unë jam i mirëseardhur për ide kreative, është si me lyp prej qorrit sy. Po e them këtë se s’keni pauzu mjaftueshëm për me pas moral me u ankuar për rrymën. Pse PDK-ja i prinë procesit të privatizimit të KEDS-it”, tha ai.
Rizvanolli: Nuk mundemi ta refuzojmë propozimin e ZRrE-së për rritjen e çmimeve të energjisë
Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, ka thënë se janë rrethana të jashtëzakonshme reduktime apo rritje të tarifave.
Ajo ka thënë se ndonëse Kosova është shtet i varfër, prodhuesit energjisë nuk pyesin, prandaj sipas saj duhet të paguhet me çmimin siç është në bursë.
Tutje ajo ka thënë se nuk e kanë mundësinë që ta refuzojnë rekomandimin e ZRrE-së për rritje të çmimeve.
“Që nga vitit 2017 ne konsumojmë energji elektrike e deri më tani kemi importuar 40 për qind të energjisë. Ne jemi shteti më i varfër por prodhuesit nuk pyesin për këtë. Janë rrethana të jashtëzakonshme reduktime apo rritje të tarifave. Çmimi po bëhet 21 cent për KW orë. Deri në 600KW orë. 14 cent ditën 6 cent natën. Asnjëra nga to nuk është 21. Po bëhemi ndër 10 vendet me energjinë më të shtrenjtë. Kjo është shumë e qartë që ZRRE është institucion i pavarur dhe qeveria nuk e ka mundësinë të refuzojë. Kemi ofruar subvencion që zbutë çmimet e energjisë për qytetarë. Është e dhimbshme që qytetarët duhet të paguajnë shtrenjtim të energjisë. Në këtë krizë nuk jemi të vetmit çmimet janë rritur edhe në vende të rajonit”, ka thënë ajo.
***
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arsyetuar propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtim të energjisë elektrike. Në seancën e sotme plenare, ku po debatohet për energjinë, kreu qeveritar tha se nuk ka zgjidhje të lehta, pasi kriza është e rëndë dhe e thellë.
Ai opozitarëve iu drejtua se mund të fantazojnë, pasi kjo nuk është ilegale, por qeveria ka vetëm tri mundësi, shtrenjtimi i energjisë, subvencionimin ose reduktimet.
Kurti: Nuk ka zgjidhje të lehtë dhe optimale, pasi kriza është e rëndë edhe thell
“Ka rënë importi përgjysmë për shkak të rikthimit të bllokut B2. Nuk ka zgjidhje të lehtë dhe optimale, pasi kriza është e rëndë dhe e thellë. Unë nuk jam për shkyçej të konsumatorëve, jo për shkak se atakon mirëqenëve të qytetarëve, por edhe për shkak se me trafo të amortizuar dhe rrjetin e shpërndarjes së lodhur dhe pajisjet në amvisëri, do të paguanim një kosto më të lartë. Çdo shkyçje dhe kyçje po ka pasoja, prandaj unë nuk jam për reduktime të energjisë. Por nëse jemi që mos të kemi reduktime, atëherë duhet të kuptojmë se duhet të kemi ose subvencionim nga shteti ose shtrenjtim të energjisë ose kombinim të këtyre dyjave për të gjetur një mes të artë. Pasi jemi në një situatë ku s’ka zgjidhje të mirë. S’ka mundësi të tjera, me pikun 1.34 gigavat nuk ka mundësi të tjera të nderuar deputetë. Jam i interesuar për ide kreative, por të kërkosh që as mos të shtrenjtohet energjia elektrike, as mos të subvencionoj shteti 75 milionë euro, as mos të shkyçen konsumatorët, është e pamundur. Fizikisht, logjikisht është e pamundur. Unë e di që nuk ka dëshira ilegale, qytetarët kanë fantazi, mund të fantazojmë çka të duam. Mirëpo nuk është e mundshme as mos të shtrenjtohet, as subvencionojmë dhe as mos të ketë shkyçje”, tha ai.
Kurti deputetëve iu tregoi edhe në çfarë mase duhet t’i adresohet gishti qeverisë së tij për shtrenjtimin e energjisë.
Kurti: Në çfarë mase duhet t’i adresohet gishti qeverisë
“Në çfarë mase duhet t’i adresohet gishti qeverisë. Sikur tregu mos të ishte i rregulluar, vetë operatori do ti kishte shumëfishuar çmimet që nga muaji gusht dhe pastaj do të kishte qenë në duart e konsumatorëve të thonë se a duan import apo jo. Të thuash se ne kemi votuar për këtë qeveri dhe duam të konsumojmë energji me çmim astronomik dhe nuk duhet të kemi reduktime dhe nuk duam të paguajmë dhe duhet që Kurti të gjejë zgjidhje është njësoj sikur të kërkohet nga unë që të mbajë ditë gjatë 24 orëve dhe mos të lejoj të bie natën”, deklaroi ai.
Duke arsyetuar shtrenjtimin e energjisë, Kurti tha se aq lirë ka qenë energjia në katër vitet e fundit, sa qytetarët nuk e kanë ditur sa po paguajnë energjinë.
Kurti: Aq lirë ka qenë energjia elektrike, sa qytetarët s’kanë ditur sa paguajnë
“Kurrë s’ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Kosovës se sa këto katër vitet e fundit që nuk e dinë se sa paguajnë për energjinë elektrike. Aq lirë ka qenë sa nuk e kanë ditur sa paguajnë. Në historinë e Kosovës numër më të madh të qytetarëve nuk ka pasur ndonjë herë. Nuk po them se janë shumica të tillë, por numër më të madh nuk ka pasur ndonjë herë”, tha ai.
Ai tha se dy problemet kryesore të dekadës së fundit lidhur me energjinë elektrike, ka qenë privatizimi i KEDS-it dhe heqja e bllok tarifave në vitin 2017.
Kurti: Qëllimi i heqjes së bllok tarifave ka qenë të rritet konsumi për arsyetimin e Kosovës së Re
“Përshtypja ime është se qëllimi i atyre që e kanë shtyrë duhet të ketë qenë që të rritet kërkesa në mënyrë që të arsyetohet projekti privat i Kosovës së Re. Projekti ka dështuar, ne kemi përfunduar duke rritur konsumin e energjisë vit pas viti, pa kapacitete të reja dhe pa mundësi të riparimeve të vazhdueshme. Në tri vitet para heqjes së bllok tarifës konsumi i energjisë elektrike ka pasur trend në rënie, nëse nuk do të kishim rritjen e konsumit që ka pasuar nga heqja e bllok tarifës do të ishim shumë më pak të ndjeshëm nga krizës së jashtme gjatë këtyre muajve të fundit”, përfundoi ai.
Tahiri dhe Konjufca përplasen për rrymën e papaguar në veri
Shefi Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri para deputetëve e ka quajtur qeverinë aktuale të përgjumur, pasi sipas tij, kjo e fundit nuk ka reaguar me kohë për menaxhimin e krizës energjetike.
Në seancën e jashtëzakonshme për shtrenjtimin e rrymës, deputeti Tahiri theksoi se Lista Serbe e ka falë rrymën elektrike, por për këtë i ka reaguar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Tahiri: Kemi pasur një qeveri të fjetur, Lista serbe e ka falë rrymën
Tahiri: Lista serbe siç e dini e ka falë, në atë pjesë e paguajnë qytetarët e Kosovës rrymën elektrike, sot po flasim.
Konjufca: Moti ua keni paguar, Besnik. Qe disa vite.
Tahiri: Po, vetëm po e sqaroj. Ne sot si parti opozitare me 40 nënshkrime, me inicimin e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, kemi kërkuar një seancë të jashtëzakonshme për me diskutu një problem të jashtëzakonshëm, i cili prek secilin qytetarë, secilën familje. Edhe si problem i jashtëzakonshëm, po e theksoi me gjuhën me konstruktive se do të krijojë problem zinxhiror e të jashtëzakonshëm, të ngritjes së çmimeve në të gjitha segmentet e vendit tonë. Rreth shtrenjtimit të energjisë, ne si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës kemi ngritur çështje dhe debate, duke u nisur nga gazsjellësi amerikan, i cili është refuzuar, pastaj edhe për shtrenjtimin e energjisë, por realisht kemi pasur një qeveri të fjetur, e cila ka reaguar vetëm atëherë kur ka rënë Blloku B2.
Kurti: Aq lirë ka qenë çmimi i rrymës, sa që shumë qytetarë s’e kanë ditur se sa paguajnë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë ka qenë aq i lirë, sa që sipas tij, një numërt i madh i qytetarëve nuk e kanë ditur se sa paguajnë për rrymë.
Kurti ka thënë se rritja e konsumit të energjisë elektrike që u vërejt në vitin 2021 është shkak edhe i një ndryshimi të strukturës tarifore në vitin 2017.
“Kurrë nuk ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Republikës së Kosovës sesa në këto katër vitet e fundit që nuk e dinë se sa paguajnë për energji elektrike. Aq lirë ka qenë, sa që nuk e kanë ditur as sa paguajnë. Në historinë e Kosovës, numër më të madh të qytetarëve që nuk e kanë ditur sa e kanë faturën, nuk ka pasur. Nuk po them që shumica janë të tillë, por numër më të madh nuk ka pasur”, ka thënë Kurti.
***
PDK me tetë rekomandime, një ndër to mos shtrenjtimi i rrymës për qytetarët
Në emër të grupit parlamentar të PDK-së si iniciues i debatit për shtrenjtimin e rrymës, deputeti Ferat Shala ka dhënë tetë rekomandime për Qeverinë se si të dilet nga kriza energjetike dhe për të mos e miratuar raportin e ZRRE-së për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Deputeti Shala ka thënë se të gjitha resurset e këtij vendi i ka në dorë kryeministri Kurti për t’u përballuar me krizën energjetike dhe për të ndaluar shtrenjtimin e rrymës.
Shala: Pika e tetë të mos miratohet raporti i ZRRE-së për tarifat
“Të gjitha resurset i ke në dorë kryeministër, dhe po ti numëroj disa ide duke e plotësuar edhe kërkesën të parafolëses time, sepse po më duket që edhe ajo nga një herë po harron. Në një fillo, menjëherë me planifikimin dhe rivitalizimin e Termocentraleve A dhe B, ashtu siç ju mendoni dhe na krijo stabilitet energjetik. Fillo po ashtu menjëherë me përgatitjet dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja nëse guxon energjetike nga thëngjilli. Fillo po ashtu për zgjerimin e kapaciteteve të reja energjetike nga era në Shalë të Bajgores, ende ka kapacitete dhe fusha deri tek bjeshkët e Llapit… dhe Pika e tetë të mos miratohet raporti i ZRRE-së për tarifat”, theksoi ai.
Ndër rekomandimet e PDK-së, ishte edhe nisja e projektit për gazin.
***
Abdixhiku: Kuvendi ta rrëzojë propozimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të rrëzojë propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Në seancën e jashtëzakonshme për debatin parlamentar për këtë temë, deputeti Abdixhiku tha se shtrenjtimi i energjisë është i papërballueshëm, padrejtë dhe diskriminues ndaj një grupi shoqëror.
Abdixhiku: Kuvendi ta rrëzojë propozimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë
“Kush duhet të mbajë përgjegjësi për milionat e djegura si rezultat i mos reagimit të qeverisë . Kjo çështje s’mundet të kapërcej si asgjë. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi edhe nëse 1 euro është shpenzuar më shumë, e leremë dhjetëra miliona euro. Tani që dëmi enorm është bërë si duhet ta paguajmë atë dhe a mund ta paguajnë qytetarët tanë atë dëm. Në paraqitjet e deritanishme të qeverisë pyetja se a do të përballohet ky çmim nuk zë vend fare. Zë vend pyetja ku t’i gjejë paret shteti. Pra s’flitet nga perspektiva e familjarëve, por nga pozita e karriges së shtetit. Si breng e një njeriu të vetëm, kryeministrit. Ku t’i gjejë paret kryeministri, se ku t’i gjejnë paret shteti, kryeministri është dashur t’ia bëjë vetit pyetje në tetor. Pasi homologët e tij bënin përgatitjet për këtë krizë. Sot kryeministri ka vetëm një pyetje për të bërë, si mos të gjunjëzohen 200 mijë familje kosovare shtatë ditë nga sot. Kjo është pyetja e vetme që duhet të shtrohet sot...Ky Kuvend duhet të rrëzojë propozimin e ZRrE-së, pasi ky propozim s’ka marrë mundin të ketë për kriter të papërballueshme, por ka krijuar si kriter barazimin financiar”, tha ai.
Ai kërkoi edhe përgjegjësi për siç tha paaftësinë e qeverisë për djegien e miliona eurove për shpenzimin e energjisë elektrike.
Abdixhiku: Propozimi për shtrenjtim të energjisë i papërballueshëm
“Është i papërballueshëm është i padrejtë dhe mbi të gjitha është diskriminues dhe dënues ndaj një grupi shoqëror. Prandaj si i tillë meriton përgjigje refuzuese nga ky kuvend. Ky debat parlamentar duhet të shihet si vazhdimësi e debatit parlamentar të datës 28 dhjetor të vitit të shkuar, kur Kosova në vonesë kishte nisur debatin publik për krizën e energjetike. E kishte nisur me tre muaj vonesë nga rajoni dhe 6 muaj vonesë nga vendet evropiane. Meqenëse ishte e fundit në debat ishte e natyrshme e fundit në reagim. Institucionet e Kosovës dhe qeveria në vazhdimësi e kishin mohuar se kishte krizë. Këtë lloj krize e kishin vazhduar me mos veprim dhe për të përfunduar me paralajmërimin e javës që shkoi se nga muaji i ardhshëm çmimet e energjisë do të rritshin në shkallë rekorde për qytetarët, më të lartën në histori. Pra është reagimi i vonshëm për shkak të paaftësisë që fillimisht ka sjell reduktime e më pas rritje enorme të çmimeve. Tani mohimi krizës kur shtetet bënin reagimin e tyre me kohë, natyrisht se shkakton dëme. Dëmi për Kosovën në përgjithësi në bazë të pagesave dhe tërheqjeve nga sistemi dhe tash e tutje nga propozimi i ZRrE-së do të arrijë nga 150 milionë deri në 200 milionë, varësisht sa i ftoftë është ky dimër”, shtoi ai.
Opozitari gjithashtu kritikoi mazhorancën për mungesë të konsensusit parlamentar në Kuvend.
Abdixhiku: Standard i tillë i sjelljes parlamentare të LVV-së do të marrë përgjigjen e duhur në kohën e duhur
“Kjo seancë e jashtëzakonshme është rrjedhojë e refuzimit të pashpjegueshëm të pushtetit për të trajtuar temën më të rëndësishme të tanishme dhe të ardhme. Refuzimi i temës së ngritjes astronomike të çmimeve javën që shkoi tregon një frikë të pashpjegueshme të pushtetit për t’u përballur me të vërtetën. Mbi të gjitha shpërfaqë një lloj hipokrizie politike në Kuvend ku konsensusi politik kërkohet, por nuk jepet. Një standard i tillë i sjelljes parlamentare do të marrë përgjigjen e duhur në kohën e duhur”, tha ai.
Abdixhiku: Qeveria s’po pyet se a mund ta përballojnë qytetarët shtrenjtimin e rrymës
Abdixhiku: Qeveria s’po pyet se a mund ta përballojnë qytetarët shtrenjtimin e rrymës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se Qeveria po frikësohet për t’u përballur me krizën energjetike dhe situatën kur Zyra e Rregullatorit për Energji ka propozuar shtrenjtim të rrymës.
Abdixhiku tha se për shkak se sipas tij, Qeveria po refuzon të merret me këtë çështje, opozita e ka thirrur këtë seancë të jashtëzakonshme.“Kjo seancë e jashtëzakonshme është rrjedhojë e refuzimit të pashpjegueshme të pushtetit për ta trajtuar temën më të rëndësishme të tanishme.
Abdixhiku tha se lidhur me rritjen e çmimit të rrymës, Qeveria po flet nga perspektiva e pushtetit dhe jo nga persepktiva e familjarëve, të cilët, siç tha ai, do të goditen rëndë pas shtatë ditësh.
“Në paraqitjet e deritanishme të Qeverisë, pyetja se a mund të përballohet e paguhet ky çmim nuk zë vend fare. Zë vend pyetja ku t’i gjej paratë shteti. Pra, nuk flitet nga perspektiva e familjarëve, që shtatë ditë nga sot do të goditen rëndë – më së rëndi në rajon e më gjerë – por flitet nga perspektiva e karriges së pushtetit, si brengë e një njeriu të vetëm – e kryeministrit, se ku t’i marrë paratë shteti”, tha ai.
Abdixhiku theksoi se këtë pyetje kryeministri “është dashur t’ia bëjë vetës në tetor”.
Në fund, ai tha se Qeveria duhet ta refuzojë propozimin e ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës, sepse ai nuk merr përsipër përballimin nga qytetarët.
***
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka adresuar kritika ndaj partive opozitare për manipulim me opinionin publik, lidhur me propozimin e ZRrE-së për rritjen e tarifave për energji elektrike.
Në debatin parlamentar për krizën energjetike, Kusari-Lila tha se Qeveria po punon për të gjetur zgjidhje që shtrenjtimi i energjisë të ketë ndikim të vogël te qytetarët.
Kusari-Lila: Opozita nuk po ofron zgjidhje, por po manipulon
“Seanca e sotme do të arsyetohej sikur të kishte për qëllim ofrimin e zgjidhjes konkrete, apo alternativave të pa shqyrtuara nga autoriteti i cili ka vendosur në diskutim publik, shqyrtimin e strukturës tariforeve për konsumatorët të ZRrE-së. Se opozita nuk e ka seriozisht diskutimin përmbajtjesor të kësaj çështje e kuptuam edhe ditën e enjte”, tha ajo.
Nga ana tjetër, deputetja e mazhoracës tha se krizën energjetike nuk e krijoi ekzekutivi.
Kusari-Lila: Ka ende mundësi për shqyrtim të modeleve
“Ka ende mundësi për shqyrtim të modeleve me ndikim të vogël dhe mekanizma mbrojtës të interesave të qytetarëve të vendit tonë. Kjo është për çfarë po angazhohemi bashkë me qeverinë në ditët dhe orët në vijim. Qeveria e Kosovës për të dëshmuar angazhimin dhe përkujdesen maksimal ndaj qytetarëve në momentin kur ZRrE-ja e hapi shqyrtimin e jashtëzakonshëm të hyrave të lejuara dhe sistemin e ri tarifor ndau 75 milionë euro subvencion për të amortizuar ndikimin e rritjes së çmimit tek qytetarët. Është e njëjta qeveri që deklaroi se tarifat nuk janë finale dhe mund të konsiderohen, pasi konsulta është e hapur deri më 29 janar”, tha ajo.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Kusari-Lila thuri edhe lavde ndaj Qeverisë Kurti, ku tha se e njëjta po dëshmon se kursen buxhetin dhe mbron interesin e qytetarëve./
Tahiri: Shtrenjtimi i rrymës goditja më e madhe për qytetarët
Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiti, tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike është goditja më e madhe që mund t’i bëhet ekonomive familjare dhe qytetarëve të Kosovës.
Deputeti Tahiri tha se për pensionistët dhe kategoritë sociale, rryma e shtrenjtuar do të jetë e papërballueshme.
Teksa shtoi se 25 përqind e popullsisë aktive të papunë, kryeministri Kurti po ia shtrenjton energjinë elektrike 100 përqind. Po ashtu, deputetit Tahiri shtoi se 54 përqind e popullsisë që kanë problem me koston e banimit, Kuri po ua shtrenjton rrymën 100 përqind.
Tahiri: Goditja e rëndë për qytetarët
“Krejt përpjekjet për ta kategorizuar e subvencionuar në formulën plus minus 600 KW, nuk e fshehin të vërtetën e asaj që kësaj shoqërie kostoja e energjisë elektrike do t’i shkojë deri në 100 përqind më e shtrenjtë se sa e paguan aktualisht. Pikërisht tash kur rritja e çmimeve të produkteve esenciale dhe mbijetesa është duke u rënduar me të madhe në jetën e qytetarëve tanë, pikërisht në kohën kur ekonomitë familjare e bizneset janë duke u përpjekur për me u rimëkëmb pas dëmit të pandemisë e po vazhdon të shkaktojë, rritja e çmimit të energjisë elektrike është goditja më e madhe që mund t’i bëhet ekonomive familjare dhe qytetarëve tanë”, theksoi ai.
Më tej, Tahiri theksoi se qeveria aktuale i ka ofruar dy alternativa, shtrenjtimin 100 përqind të energjisë elektrike apo reduktime sikur në kohën e pasluftës, 8 me 2, 8 me 4, gjë që sipas tij, asnjëra prej këtyre alternativave nuk janë të pranueshme për qytetarët e Kosovës.
Kusari i thotë opozitës se po shtiren: Fajëson qeveritë e kaluara për gjendjen në energji
Shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari, ka kritikuar opozitën se po shtiret.
“Seanca e sotme do të arsyetohej sikur të kishte qëllim zgjidhje konkrete, apo alternative të pashqyrtuara nga autoriteti që ka vendosur në diskutim publik strukturën tarifore, dhe kjo është ZRRE. Se opozita nuk e ka seriozisht trajtimin e kësaj çështje, e pamë edhe të enjten. Ideja është që opozita të bëhet kinse po brengoset për hallin e qytetarëve”, ka thënë Mimoza Kusari.
“Aktualisht janë propozime, nuk janë vendime. A duhet deputetët të diskutojnë për cmimin e energjisë, absolutisht po.
Situatën nuk e krijuam ne, e trashëguam”, ka thënë Kusari-Lila.
“Nuk është investuar në kapacitete të reja për energjinë elektrike”, ka thënë ajo.
***
Tahiri: U dasht me u ndalë rrymë për me u dhezë Qeveria, e kjo na tha a doni reduktime a shtrenjtim
Shefi i deputetëve të PDK-së Abelard Tahiri, ka kritikuar qeverinë për rritjen e cmimit të rrymës. Këto komente ai i bëri në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga PDK dhe AAK lidhur me cmimin e rrymës.
“Qeveria ka shpërfillur totalisht këtë krizë derisa goditi drejtpërdrejt qytetarët tonë. Prej muajit shtator qeveritë në rajon patën nis me marrë masa. Masa rregullative, dikush duke ulë tvsh për importin e rrymës e dikush me lehtësira për operatorët Kurse qeveria jonë foli për herë të parë kur nisën reduktimet. Pra fillimisht u dasht me u ndalë rryma, për me u dhezë Qeveria Kurtid he na dhanë dy alternative, e para shtrenjtim 100 për qind ose reduktime”, ka thënë Tahiri
***
Paralajmërimet për shtrenjtimin e rrymës, Kuvendi sot në seancë të jashtëzakonshme
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme lidhur me paralajmërimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Në rend dite është vetëm një pikë, debat parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Seanca e jashtëzakonshme është thirrur nga PDK-ja, në koordinim edhe me partitë tjera opozitare, LDK-në dhe AAK-në.
Kujtojmë se në seancën e së enjtes pati debate të shumta lidhur me paralajmërimet për shtrenjtimin e rrymës.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri gjatë një konference për media, deklaroi se do ta ndalojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është e nevojshme.
“Një seancë e tillë është e nevojshme dhe miratimi i një rezolute që do ti kërkojë ZRrE-së për mos ngritjen e çmimeve. Për ne është e rëndësishme parandalimi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike”, deklaroi Tahiri.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi javën e kaluar deklaroi se do të bëhet propozimi i një rezolute që sipas tij do të ndaloj rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.
“Qytetarët do të paguajnë çmim më të lartë të energjisë elektrike së vendet evropiane, më lartë se në Francë, ku paga mesatare është dhjetë herë më e lartë se në Kosovë. Kjo është e papranueshme që të merret energjia elektrike më 6 centë dhe të dërgohet 22.4 centë. Ne jemi këtu që ta ndalojmë, pra do të propozojmë rezolutë që mos të ketë rritje të çmimeve”, tha Gashi.
Ndërkaq Qeveria e Kosovës në mbledhjen elektronike të mbajtur të premten, miratoi ndarjen e 10 milionë eurove në mbështetje për të tejkaluar krizën energjetike.
“Kabineti qeveritar ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej dhjetë milionë euro (10,000,000.00€), për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga Qeveria.