(E plotësuar 12:15) - Kusari-Lila: Liberalizimi i tregut energjetik është i pashmangshëm, 7 kompani janë licensuar nga ZRRE-ja
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit ka thënë se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i pashmangshëm.
E pyetur për këtë çështje, Kusari-Lila tha se Kosova ka marrë obligime sa i përket liberalizimit të tregut energjetik. Ajo tha se bizneset kanë kërkuar që kjo të mos ndodhte më 1 prill, pasi do t’u shkaktonte shtrenjtim të rrymës për 30-40%.
“Më 1 prill ka qenë data kur Kosova do të duhej të lëshonte në treg të liberalizuar të gjitha kompanitë apo konsumatorët e mesëm. Atëherë ka qenë kërkesë e të gjitha organizatave të bizneseve që kjo të mos ndodhë se çmimi do të rritej 30-40%”, ka thënë ajo.
Çështja e liberalizimit të tregut energjetik, Kusari-Lila tha se ka të bëjë me rregulla të cilat aplikohet në sektorin e energjisë dhe të cilat janë të njëjta për të gjitha vendet.
“Është proces i pashmangshëm. Duhet të përgatitemi me të gjitha masat e nevojshme, përfshirë këtu 7 kompanitë e licensuara të cilat kanë marrë livensë nga ZRRE-ja për të ofruar energji elektrike”, tha ajo.
***
Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, se çështja e ngritjes së çmimeve të energjisë nuk duhet të ndodhe.
Tahiri njoftoi se sot do të mbahet seanca e jashtëzakonshme lidhur me propozimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Ndërsa edhe ditëve pasuese deputetët do të mblidhen në Kuvend për seanca të tjera.
Tutje, ai ka thënë se ngritja e çmimit nuk do ta lejojnë të ndodhë.
“Seanca e sotme nuk është se kush kënd po e kritikon më shumë, por një seancë e reflektimit dhe ta vendosin gishtin në kohë. Ky shtrenjtim nuk do të ndodh për një muaj. Vërtetë e bëri kiametin me çmimet që po i rritë. S’ka logjikë që qytetari i Kosovës, ai që shpenzon 800 kw energji të paguajë si ai në Paris a në vende të tjera të Evropës. S’ka logjikë mbi 50 për qind të qytetarëve shpenzojnë mbi 800 kw. Gjendja sociale në Kosovë nuk është e mirë për ata që janë në punë, e lërë më për ata me gjendje sociale. Jemi të gëzuar që opozita i ka vendosur nënshkrimet për një debat të tillë, seanca e sotme s’është kush po e mund kë me fjalime”, ka thënë Tahiri
“Ne do të marrim veprime shumë konkrete, asnjë politkë nuk po bëjmë por po mundohemi ta ngrisim vetëdijen e Qeverisë dhe ZRRE-së, ne po duam që kjo tarifë të mos ndodhë, do të shkojmë me të gjitha metodat rend me rend. Po i themi reflekto”, ka thënë Tahiri.
“Kosovën e Re nuk po e don, Countur Globalin nuk po e don, kënd tjetër po e don, ngritjen e çmimit a. Ka ardhë në pushtet me fjalët “krejt hajna, çmimet shtrenjtë”, e tash po vepron njëjtë”, ka thënë tutje ai.
Tahiri ka paralajmëruar një javë të ngjeshur me seanca parlamentare pasi sipas tij, Kuvendi deri më tani ka qenë në pauzë.
***
Deklarata pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot në orën 11:00. Në rend të ditës janë katër pika, përfshirë disa të papërfunduara nga seancat e mëparshme.
Gjithashtu, do të bëhen përgatitje për seancën plenare të radhës.
Rendi i ditës
Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,
Pikat e papërfunduara nga seancat e mëparshme:
Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 18, 19, 22, 23 nëntor dhe 6 dhjetor 2021:
Votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2020,
Votimi i Raportit vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2020,
Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “KOSMONTE FOODS” Sh.P.K.
Pikat e papërfunduara të Seancës plenare, më 13 dhe 14 dhjetor 2021:
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-071 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-060 për mbeturina,
Votimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2020,
Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me pagat në sektorin publik.
III. Përgatitjet për Seancën plenare të radhës:
Deklarimet jashtë rendit të ditës,
Pyetjet parlamentare,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit ne.08/L-035 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-017 për ndihmën Juridike Falas,
Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-118,
Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve,
Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb.
Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.