Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi i shoqëruar nga zëvendësministri, Arsim Berisha dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi ka vizitur Klinikën e Infektivës dhe Klinikën e Pediatrisë në QKUK.
Latifi i falënderoi mjekët dhe infermierët për punën që po bëjnë në trajtimin e të prekurve nga COVID-19.
Përmes kësaj vizite ai gjithashtu u njoh me ecurinë e rasteve që po trajtohen aty.
Kjo është bërë e ditur në një postim të Ministrisë së Shëndetësisë në rrjetin social Facebook.
“Nga dr. Arben Vishaj, drejtoir i Infektivës u njoftua se brenda 24 orëve të fundit në këtë klinikë ka pasur shtatë raste të pranuara me COVID-19 dhe gjashtë të shëruar, derisa nga 54 pacientë sa aktualisht janë në këtë klinikë, katër prej tyre janë në mjekimin intensiv. Në Klinikën e Pediatrisë, drejtoresha Violeta Grajçevci Ukaj tha se për momentin në klinikë janë duke u trajtuar 4 fëmijë me COVID-19 dhe se personeli është I organizuar për të menaxhuar rastet”, thuhet në këtë postim.
Tutje, bëhet e ditur se Ministri Latifi tha se puna e profesionistëve shëndetësor është një shembull i përkushtimit për ta menaxhuar sa më mirë çdo rast me COVID-19 dhe bëri thirrje popullatës që të vaksinohen dhe t’i zbatojnë masat në fuqi me qëllim që punë e mantelbardhëve të lehtësohet.